Home / Aktualitet / Komisioni hetimor për shkarkimin e Metës mbyll hetimin, të premten del raporti

Komisioni hetimor për shkarkimin e Metës mbyll hetimin, të premten del raporti

Një vit pasi u ngrit, komisioni parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta deklaroi të mbyllura hetimet dhe caktoi datën 17 korrik si datë ku dy relatorët Klotilda Bushka nga Partia Socialiste dhe Halit Valteri nga grupimi i opozitës parlamentare do të prezantojnë raportin paraprak të gjetjeve.

Në një mbledhje të zhvilluar me videokonferencë, kryetari i komisionit, Ulsi Manja, propozoi nga socialistët si relatore zonjën Bushka. Kjo e fundit propozoi që për shkak të volumit të punës dhe për të mos vonuar më shumë kohë të kishte 4 relatorë – dy nga mazhoranca dhe dy nga opozita.

Mirëpo ky propozim nuk u prit mirë nga deputeti Alban Zeneli, i cili tha se komisioni po shkonte “në përvojën e hidhur të atyre komisioneve që nuk nxjerrin asgjë në pah, por të paktën ta mbyllim”. Ai vuri në diskutim se përse do të duheshin 4 relatorë, pyetje që Manja iu përgjigj se me 4 relatorë raporti do të përmbyllej më shpejt.

Manja nga ana tjetër kundërshtoi pretendimet e Zenelit dhe këmbënguli se puna e komisionit ka qenë e suksesshme. Sidoqoftë kryetari i komisionit nuk mori përsipër të thoshte të njëjtën gjë për rezultatet e tij, rezultate që ai ia la më tej punës përfundimtare që do të sillte raporti.

“Në të vërtetë komisioni po e mbyll brenda kohës, por ai u nis për të hetuar veprimtarinë e Presidentit për zgjedhjet vendore e më pas kaloi në shto ujë e shto miell,” – tha Zeneli duke kujtuar shtimin në komision edhe çështjen e emërimeve në Gjykatë Kushtetuese.

Në fund u vendos që Halit Valteri nga opozita parlamentare dhe Klotilda Bushka nga socialistët të punonin për raportin paraprak të hetimeve, raport që do të prezantohet më 17 korrik e më pas më datë 20 do të hidhet për t’u miratuar.

Komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit Meta u thirr nga socialistët, të cilët më pas morën edhe përkrahjen e opozitës parlamentare. Ai u ngrit më 8 korrik dhe në përbërje të tij ka pasur Ulsi Manjën, Klotilda Bushkën, Vasilika Hysin, Bashkim Finon, Alket Hysenin, Adriatik Alimadhin, Alban Zenelin, Halit Valterin dhe Krenar Rryçin.

Në qendër të hetimeve do të ishte veprimtaria e Presidentit Meta në lidhje me anulimin që ai i bëri më 11 qershor zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, zgjedhje të cilat u mbajtën pa praninë e opozitës, vetëm me kandidatë të Partisë Socialiste dhe Bindjes Demokratike.

Por në muajin tetor, këtij komisioni iu shtua edhe çështja e emërimeve për Gjykatën Kushtetuese, ku socialistët pretenduan se emërimi i Arta Vorpsit ishte i ligjshëm dhe mënyra se si veproi Presidenti, duke emëruar përkundër saj Marsida Xhaferllarin, ishte në shkelje kushtetuese.

Rreth 8 muaj më vonë, Manja e quajti këtë çështje të sqaruar nga opinioni i Komisionit të Venecias. Në opinionin e saj Venecia u shpreh se Presidenti nuk kishte shkelur Kushtetutën në procedurën e ndjekur prej tij për emërimet në Gjykatën Kushtetuese pasi Këshilli i Emërimeve kishte “vepruar në mungesë transparence”.

Check Also

Rama kërkon të bëjë ‘PAQE’ me Bushatin, ja posti i rëndësishëm që i ofron

Kreu i qeverisë Edi Rama kërkon të rikthejë në radhët e veta ish-ministrin e Jashtëm …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × three =