Home / Kryesore / Kohë pandemie, jemi ne që e vendosim se ku do rritet bari…

Kohë pandemie, jemi ne që e vendosim se ku do rritet bari…

Çapajev Gjokutaj

Bari në kodrën përballë po mugëllon çdo ditë e më shumë. E shoh nga dritarja dhe më ngjan se kjo hyn në pranverat më të bukura që kam përjetuar.

Duket kontradiktore: më njerën anë jam i detyruar të mos dal, të mos shetis siç bëja përvit mes barit e luleve, mes pemëve që sythojnë e ajrit që parfumoset për takimin me diellin e mezipritur. Më anë tjetër gjithçka jasht, megjithse e largët, më duket e bukur dhe ngashenjyese si rrallë vit tjetër.

Është mungesa që shton ngashënjimin dhe poezinë, them me vete dhe sjell ndër mënd se e ngrohta na shijon në dimër, fresku në verë, kurse uji poetizohet në shkretëtirë, atje ku mungon dhe jo në vendet e ulëta, ku buis, kërcënon dhe merr trajtë demoni.

Pamundësia, mungesa, ndarja janë të dhimbshme për njeriun, por mbeten njëkohesisht edhe gjenerueset më të fuqishme të ngashenjyeses. Këtë e kishte vënë re edhe ai poeti i lashtë japonez, që thoshte se poezia ka lindur ditën kur qielli u nda nga toka.

Ka dhe një paradoks tjetër, them me vete: gjithë jetën e kalojme duke kerkuar të pranishmen, të vertetën, realen por, kur puna vjen te ndjenjat nuk ngazëllehemi aq nga realja dhe realiteti sa nga e përfytyruara dhe e ëndërruara.

Dhe, me që po kthehem në gjahtar paradoksesh, vazhdoj me një tjetër: Covid-19 vërtet që është kercënim i madh, gjeneron frikë e veshtirësi, por njëkohësisht na mbush me mall per lirinë, jetën normale e pa ndalesa dhe ububura që e kemi përjetuar deri dje.

Jo çdo e keqe ardhka vetëm per keq, shtoj dhe nis e u jap të drejtë ithtarëve të qasjes pozitive që thonë se na bën mirë të gjejmë anët e mira të gjithçkaje dhe të perqëndrohemi në to. Virusi i ri nuk bëka përjashtim.

Entusiazmi i qasjes pozitive nuk vazhdon gjatë se më kujtohet perqeshja e Woody Allen: gjeni pozitiven në çdo gjë, mendoni se edhe vdekja ka anë të mira,kur vdesim psh nuk harxhojmë për ushqim e veshje🤡

Perkundër të gjitha këtyre e të tjerash si këto, kodra perballë, përditë e më e vendosur, po vesh pelerinën e blertë. ‘Dalngadalë po vjen behari/ nëpër … rritet bari’.

Është në dorën tonë të vendosim nëse bari do rritet nëpër fusha apo përmbi varret e të afërmve tanë💀..

( Nga cikli ‘Meditime në kohë karantine’ )

Check Also

SHBA dhuron 225 milion dollarë ndihmë shëndetësore, humanitare dhe ekonomike

Shtetet e Bashkuara po japin 225 milionë dollarë shtesë ndihmë shëndetësore, humanitare dhe ekonomike për …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

2 × three =