Home / Aktualitet / Koha e mbrapshtë!

Koha e mbrapshtë!

Nga skulptori Vladimir LLAKAJ-

Për artin ka kohë që ka filluar koha e mbrapsht ku çdo gjë progreson negativisht. Ka rënë hierarkia artistike, ka rënë vlerësimi artistik. Ka rënë interesi i shtetit për një histori të vërtetë monumentesh. Janë bërë gabime të pafalshme edhe këtu ku të paktën në këtë zhanër ne kemi pasur një “stekë”, një nivel shumë të lartë krahasuar me gjithë lindjen, zona ku bënim pjesë. Jemi përfaqësuar ose më saktë gëzojmë disa monumente nga autorë ilustër si : Odise Paskali, Janaq Paço, Thoma Thomai, Hektor Dule, Shaban Hadëri, Kristaq Rama dhe shumë të tjerë të cilëve ju kërkoj ndjesë.
Këta artistë me ndihmën e një sistemi të rregullt shtetëror kanë lënë për ne në fondin e kulturës një pasuri shumë të madhe e cila duhet të vazhdonte më me shkëlqim dhe vrull sepse në këtë rast kishte në krah “qeverirëra demokratike” . Por per ironi të fatit filloi ora e mbrapshtë dhe akoma më ç’orientuese dhe fyese është se filloi ora e mbarme për zgjimin dhe ngritjet në maja të artit pseudo të lirë, amatoresk, ilustrativ dhe destruktiv. Ora e mbarme e banalitetit më në fund ka triumfuar duke mundur gati deri në grahmat e vdekjes vazhdimësinë që pritej e që duhet të ishte më e bukur se e para.
Këtë fat, sigurisht nuk e pati Kosova ku heronjtë e parë i bëri njëri nga Shqipëria, i cili bëri nja 30 copë, por bënë edhe nja dy të ttjerë. Edhe ata, si ky i pari i bënë shpejt e shpejt dhe kështu çuan banalitetin atje. Ka pasur edhe vepra të mira, nuk flas për to.
Tani Shqipëtarët e Kosovës, po mundohen ti bëjnë vetë monumentet. Ka raste ku kanë arritur një mesatare të mirë.
Ky rasti i fundit i shtatores së Skënderbeut në Prizren, është rasti flagrant ku edhe një monument historik bëhet me lehtësinë që mund të bëhet çdo gjë. Më ka pëlqyer reagimi i njerëzve në këtë rast, por të jem i sinqertë do të më pëlqente të reagonin edhe për gjëra të tjera akoma më banale e të rënda, si për shembull muzika që bëhet: tallava, hip hop e ku di unë sepse nuk arrij dot ta emërtoj gjithë atë furfurimë brekësh e fustanesh ku brenda 3 minutave të këngës ty të dhembin sytë ngaqë nuk ke numëruar dot fustanet etj, etj., pa folur për tekstet që janë një tmerr i vërtetë. Të gjitha këto janë me efekte të rënda në edukimin e brezave.
Tani të vijmë tek shtatorja e Prizrenit dhe ti bëjmë një analizë të shkurtër. Njerëzit reaguan me të drejtë duke qenë se shtatorja nuk përputhet me të vërtetat historike për heroin e tyre kombëtar. E vërteta është që portreti është pa psikologjinë e personazhit. Qafa e hollë, shpatullat e ngushta, krahët e hollë, duart e vogla, qëndrimi gati i stepur dhe i mbyllur duket si një personazh i huaj që nuk hyn dot në kontekstin historik të heroit tonë kombëtar. Ta përshtasim pak me historinë e personazhit: Kur sulltani i kërkoi Skënderbeut shpatën e tij si dhuratë, shpata shkoi te Sulltani, ku e provuan të prisnin si Gjergji jonë…. dhe rezultati ishte që Sulltani akuzoi Gjergjin se shpata që ai i kishte dërguar nuk ishte në nivelin e duhur dhe Gjergji i pëgjigjet : Sulltan, të kam dërguar shpatën jo krahin. Prandaj dhe antropologjia e kësaj shtatore e vënë në Prizren del nga konteksti historik ku një “luan” të tillë nuk e lind më nëna. Autori është munduar për mirë, e ka nisur për luan por i ka dalë “mace Siameze”. Pra në fund të kësaj historie, fajin nuk e ka autori apo autorët…., fajin e kanë qeveritë që e kanë katandisur çdo gjë në kaos, ku “maskarallëku” ekonomik, kulturor, social ju intereson që ata të gëlojnë në të mira materiale që një ditë do tu zënë grykën.
Ne kemi shumë për të bërë në këtë drejtim. Kemi “Baballarët e Kombit”, vëllezërit Frashërit pa ia çuar respektin dhe nderin deri në fund. Ata përfaqesohen nga 3 buste të vogla. Duhet tu bëhen shtatore, mundësisht të tre bashkë dhe të zënë një vend qëndror në kryeqytet. Po kështu Ismail Qemali e me radhë.
Po i drejtohem me një lutje Qeverisë: Nuk duam më pallate, duam monumente. Pallatet na pengojnë tashmë, Monumentet na edukojnë fëmijët dhe ne bashkë me ta. Na edukojnë me të vërtetat, me vlerat e larta njerëzore. Me kaq po e mbyll me një citim për Monumentet i cili gjendet në Historinë e Artit, ku thuhet : Do të ishte ideale në qoftë se çdo gjë do të bëhej mbi parimet e Monumentit.
P.S : Një këshillë për qeverinë tonë dhe atë të Kosovës. Meqënëse historinë e kemi të përbashkët edhe historia dhe organizimi i monumenteve duhet të jetë një qëllim dhe një strategji e përbashkët. Për ta filluar mbarë duhet bërë një konkurs ndërkombëtar për figurën e Bill Klinton-it, për arsye se shtatorja e vendosur për mendimin tim është një gafë e madhe diplomatike. Është realizuar shumë keq. Këtë punë duhet ta marri në dorë shteti. Monumentet janë çështje shumë e rëndësishme shtetërore.

Me respekt !

Check Also

“Ka demostruar se është i motivuar të arratiset”, Prokuroria Speciale refuzon lirimin e Kadri Veselit

Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka çuar argumentet e saj në Gjykatën Speciale të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

5 × 5 =