Home / Aktualitet / KOASh-i: Ortodoksët në Shqipëri janë grekë.

KOASh-i: Ortodoksët në Shqipëri janë grekë.

Atë Foti CICI-

“Feja mbizotëruese në Shqipëri është islami (2/3-at) ndërsa të krishterët përbëjnë në total 1/3-ën e popullsisë, të cilët janë kryesisht të krishterë katolikë dhe grekë ortodoksë” (7 janar 2021; shih shkrimin origjinal në fund).

Shpallja e mësipërme lexohet në fjalinë e parë të reportazhit të KOASh-it nga Berati me titull: “Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta nderoi kremtimin e Theofanisë”.

Botohet në agjensinë më të madhe të lajmeve kishtare greqisht, Romfea.gr, atje ku tre vitet e fundit gazetari i KOASh-it ka botuar me qindra shkrime anastasiste, mjaft prej të cilave i kam kallëzuar e komentuar në këtë faqe.

Si ka mundësi që në lajmet shqip të KOASh-it ortodoksët figurojnë shqiptarë, ndërsa në lajmet greqisht të KOASh-it anëtarët e saj qëllojnë “grekë ortodoksë”?

Nga pikëpamja e dëshmisë ortodokse, greqizimi i komunitetit tonë jo vetëm që nuk e ka ndihmuar praninë ortodokse në Shqipëri, por e ka dëmtuar rëndë, ashtu siç u duk në censusin e vitit 2011, ku ne zbritëm në 7%, gjë që është njohur edhe në botën ortodokse, siç u dëshmua në lajmet zyrtare të kishës ruse, gjatë vizitës së primatit rus në Shqipëri para dy vjetësh.

Nëse gjendja vazhdon siç është sot, me të njëjtën kryesi antishqiptare në KOASh, ne do ta kemi shumë të vështirë të arrijmë shifrën 4% në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë. Këtë e pranon në ngërç edhe vetë shkrimi i thirrur sot, sepse katolikët atje renditen para ortodoksëve, me gojën e Kryepeshkopatës së Tiranës…

* * *

Përse nuk quhen “grekë ortodoksë (Ελληνορθόδοξοι) edhe rumunët, serbët, bullgarët, maqedonasit, etj.? Përse shqiptarët nuk kanë të drejtë të jenë ortodoksë?

Misioni i Janullatosit në Shqipëri, pra, nuk është në dobi të besimit ortodoks.

Nëse nuk kishte hile dhe sendërgji në punën e kryepeshkopit tonë antishqiptar, lajmet e krishtera do të ishin njësoj në çdo gjuhë, ashtu si Ungjilli i Krishtit, i cili nuk tjetërsohet në vende të ndryshme, por përkthehet me besnikëri dhe pa manipulime në të gjitha gjuhët.

Lajme dhe fakte të tilla rëndojnë shtetin shqiptar dhe përfaqësitë tona diplomatike, si në Greqi ashtu dhe në vendet e Bashkimit Evropian, sepse nuk del kurrë asnjë reagim për të mbrojtur integritetin e shtetit shqiptar, a qoftë dhe një deklaratë për të zbardhur të vërtetën e përqindjeve brendashqiptare.

Heshtja mbi çështje të tilla kombëtare, sidomos kur kryepeshkopi antishqiptar e shfaq hapur misionin e tij politik dhe shkombëtarizues në Shqipëri, kallëzon edhe opozitën, si dhe botën intelektuale shqiptare.

* * *

Shkrimi greqisht i KOASh-it në Romfea.gr (7 janar 2021):

https://www.romfea.gr/ekklisies-ts/ekklisia-albanias/41490-o-proedros-tis-albanias-ilir-meta-timise-tin-eorti-ton-theofaneion

_________

Ky postim mund të shpërndahet (share), por ndalohet rreptësisht kopjimi dhe botimi i tij në gazeta, portale, faqe dhe në çfarëdolloj hapësire tjetër mediatike.

 

Check Also

Ja pse ia hodhi hetimit të SPAK Manastirliu

Një ministre e kabinetit Rama prej muajsh ka qenë nën lupën e prokurorisë së Posaçme …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

seventeen − thirteen =