Home / Kryesore / Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë uron popullin e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët me rastin e 12 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë uron popullin e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët me rastin e 12 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Tiranë 11 Shkurt 2020

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë uron popullin e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, me rastin e 12 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Kosova e lirë dhe e pavarur është arritja më e madhe e kombit tonë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe një hap madhor drejt forcimit të faktorit shqiptar në rajon. Pavarësia e Kosovës përbën një kontribut thelbësor për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Në dymbëdhjetë vite të ekzistencës së saj si shtet i pavarur, Republika e Kosovës ka arritur suksese të ndjeshme, si në avancimin e brendshëm politik dhe ekonomik, ashtu dhe në forcimin e pozitës së saj në arenën ndëkombëtare.

Vlen të përmendet veçanërisht se Kosova është bërë shëmbull në rajon, për sa i përket garantimit të standardeve më të larta për mbrojtjen e të drejtave individuale dhe kolektive të pakicave etnike.

KASH kujton se pavarësia e Kosovës u shpall pas një procesi të gjatë dhe shterues negociatash, të drejtuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, në bashkërendim të plotë me miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar, sikurse përcaktoi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në opinionin e saj këshillimor të vitit 2010.

KASH mbështet dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përmbyllet me njohjen e ndërsjelltë të të dy vendeve. Në këtë kuadër, KASH mirëpret përpjekjet e SHBA-ve dhe BE-së, për rifillimin e dialogut mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

KASH konsideron se angazhimet e vazhdueshme agresive të Serbisë për të sabotuar pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, jo vetëm që bien ndesh me frymën e dialogut, por nuk i shërbejnë askujt dhe janë burim tensionesh të vazhdueshme.

Rezultati i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve, duhet jetë në përputhje me parimet për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, të mishëruara edhe në dokumentet e Grupit të Kontaktit, dhe Pakon e Ahtisarit. Kjo nënkupton që dialogu për normalizmin e marrëdhënieve të fqinjësisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të ketë për pikënisje parimin e garantimit të integritetit territorial të Republikës së Kosovës, respektimin e të drejtave të njeriut dhe karakterit shumëetnik, siç përcaktohet me kushtetutën e vendit, si dhe garantimin e funksionalitetit shtetëror dhe demokratik të Republikës së Kosovës.

KASH gjykon se vetëm përvijimi i një qasjeje të tillë nga të gjitha palët, garanton paqen dhe stabilitetin afatgjatë, si dhe integrimet Euro-Atlantike të rajonit tonë.

KASH beson se klasa politike në Shqipëri dhe Kosovë do të dijë të jetë në lartësinë që kërkon situata e tanishme dhe do të punojë e bashkuar, në funksion të interesave madhore të kombit dhe të sigurisë, stabilitetit dhe frymës Euro-Atlantike në Ballkanin Perëndimor.

Duke uruar dhe një herë festën e madhe të Kosovës, KASH shpreh mirënjohjen e thellë për të gjithë ata, që me sakrifica të panumurta, e bënë të prekshme ëndrrën e bukur të Kosovës së lirë e të pavarur. Mirënjohja shkon dhe për të gjithë miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, në mënyrë të veçantë SHBA-së dhe vendeve të BE, që e kanë mbështetur dhe e mbështesin konsolidimin e pandalshëm të shtetit më të ri të Evropës.

Check Also

Lamtumirë miku dhe kolegu ynë Arben Çeli!

Tiranë 25.09.2020 Në mënyrë të beftë, prej ataku kardiak, është ndarë të enjten nga jeta …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

15 − 3 =