Home / Editorial / Këpucët, (kontrast), kronikë e zezë (Parabol 5)

Këpucët, (kontrast), kronikë e zezë (Parabol 5)

Bujar Xhaferi/
 Në një nga kronikat televizive të Top-Channel,  (ndër ato kronika që pasqyrojnë shkëlqimin e shëmbëlltyrës  së sotme njerëzore, (gjithmonë në sipërfaqen e saj) përsosjen e lëkurës  së dykëmbëshave, siç i quante dikur Aristoteli imazhet njerëzore me mendje të dobët, pashë  shfaqjen e një “dykëmbëshi” të ri (që siç u shpreh që në fillim të intervistës ishte në  prag të ndërkalljes së tij në trupën e shpifur politike).  Kjo ishte në radhën e atyre kronikave të shumta që zaptojnë gjithë kohën e çmuar televizive të paguar shumë shtrenjtë, të cilat flasin parreshtur për përsosjen e shëmbëlltyrës apo të imazhit të dykëmbëshave, që  reflektojnë mbi çdo qime apo pore  apo qelizë që ndodhet e ndriçon  në sipërfaqen njerëzore, (pa “cënuar” asgjë në brendësi të saj….)
E kështu, kjo  “moderatore”, me buzë të fryra për shkak të  materialit estetik të ndërfutur në cipën e buzëve të saj, po “moderonte” dykëmbëshin në fjalë, një pinjoll i atyre që quhen familje aristokrate apo oligarke, një tip tek i cili një sy normal, nuk shquante asgjë të veçantë, apo kurgjë që mund të aludoje për ndonjë prirje krijimi, apo tik arti, apo  ta supozoje si  një talent nga shkenca e ndërtimit apo gjeologjisë,….
Vetëm një sy i specializuar politikani, apo analisti, apo blogisti, mund  të dallonte tek ai tipare tërheqëse, apo romantike, apo filmike, apo prej personazhi kronikash e ekranesh….
Tema e kronikës, apo e blogut, apo më mirë të themi e gallatës televizive ishte koleksioni i këpucëve të personazhit “vip” nga një familje “aristokratike”, apo  oligarke, me një  mbiemër tipik të zonave rurale juglindore të hapësirës prej Fiersheganit deri në Devoll apo  tej akoma deri në Plasë e Bulgarec; individi  me flokë të ndritshëm dhe gjuhë të ngathët që i rrëshqiste  ngadalë,  me mbiemer Hysenbelliu, Hasanbelliu, apo diçka kësisoj, i rrëfente blogeres qindra lloj këpucësh, rafte e dollape me këpucë me disegno e ngjyra gjithfarë, të markave të ndryshme me taka të larta, të ulta, thundra, me pamje opinge apo patkoi, një thundrore, dythundrore, tipi shkelmdisk, hark, këpucë basketi, këpucë mali, (stylish shoes) këpucë tenisi, këpucë penisi… (me falni për rrëshqitjen e gjuhës….!).., me një pamje të ngjethur nga ankthi ai permbushte nevojën e ngutshme për të marrë miratimin apo adhurimin  apo admirimin e blogeres që rrotullonte ngadalë pelvikun  dhe buzët e saj të ëjntura  për shkak të materialit  estetik të injektuar në nënlëkurë.
Ndërkaq mendja më shkoi tek këpucët e mia njëstinore dhe  të  vjetëruara   për shkak të spostimit tim   të herëpashershëm nga lagjja historike  e Yzberishtit, ku valviten flamujt e Lali Erit, (ku jetoj me qira) drejt qendrës së Tiranës  për punëra të  lidhura domosdoshmërisht me  procesin e hidhur të zhvendosjes, si kontrast i këtij lluksi këpucësh, i këtij koleksioni të gjerë prej më shumë se treqind apo katërqind palë papucesh, botesh, këmbëmbështjellëse, çizmesh të zeza, të  bardha, bardhë e zi, mozaikale, seksuale, romantike, shkelmëdhënëse, që për shkak të absurdit të modës dhe ankandeve me siguri e shkapërxenin vlerën e pesë apartamenteve në Bllokun e Hoxhës.
Po kush e krijoi këtë monstër, këtë kukull-shkërdhatë, me zë të plogët prej demi-seksuali?
Është ky një ekstravert që e ka marrë bacilin e këtij sindromi  “aristokratesh “prej kolektori apo grumbulluesi këpucësh, nga viset e largëta rurale të Skraparit, të Domosdovës, nga rrëpirat malore të Tepelenës, të Plasës, apo Dardhës  nga ku vijnë familjet e sotme të sërës së lartë,  apo oligarkët, siç thonë kronikat?!
Apo është modeli me këpucë të bukura, të ndërrueshme, me fantazi panromantiku, për të cilin presidenti ynë sportiv mund të sajojë një dekoratë dinjitoze me rastin e “Ditës së Shenjte” të mbrojtjes së individëve me orientim të larmishëm seksual?
Ndërkaq që  qindra e mijëra këmbë shqiptarësh vërtiten poshtë e lart pothuajse të zbathura, në përpjekjen e mundimshme për të evituar guralecet e mprehtë që bien parreshtur si produkt i  të gjitha llojeve të luftrave të sotme:  të ngrohta dhe të ftohta, pozitë – opozitë,  orient – oksident, kristian-mysliman…..  ja tek shfaqet  kjo kronikë e kësaj ekspozite këpucësh të panumërta, dhe ky psikoblog  që ndoshta do t’i shërbejë pinjollit të mësipërm si prerekuizitë e një ambasadori apo emisari diplomatik të ardhshëm, si përfaqësues i natyrshëm i shtetit shqiptar  dhe i zyrës së tij idiote…
Mënyra si e  kishte ekspozuar këtë koleksion absurd  këpucësh personazhi i këtij psikoblogu panromantik, larmia, shumëllojshmëria, etiketat  firmato të shënuara poshtë rafteve, pamja krenare me të cilën i shpjegonte “moderatores”, zëri i mbytur i tij prej  përkëdheljeve që merrte nga dashnori – fantazëm “vetvete”, dukej sikur ishte pushtuar nga makthi i abandonimit apo i braktisjes, dhe më kujtoi për njëmend, ekspozitën “Këmba” të piktorit të dikurshëm Edi Rama si një analogji e kundërt e këtij luksi absurd industrial të koleksionuar nga një i sëmurë psikik të cilit i kishin rënë nga qielli para të tepruara nga korrupsioni familiar.
Them analogji e kundërt totalisht pasi në ekspozitën  “Këmba” që po përmend qarkullonte nga njëra tablo tek tjetra, një këmbë e zbathur, e madhe  e herë – herë e vrarë apo e plagosur, (sigurisht e pangjashme  me këmbën delikate të paternalistit të quajtur ndryshe “Lali Eri”), një këmbë  e dashur, gjithësesi e fortë, e patrembur për të hedhur hapin  e sigurtë drejt udhëtimeve të gjata e të rrezikshme…, këmba e zbathur, e vrarë e zmadhuar, e piktorit të dikurshëm Edi Rama dhe kjo kronikë këpucësh luksi, të ndryshme shumëngjyrëshe, patetike, seksuale…  këpucë luksoze, dembele, që do të shkurajonte këdo për të hedhur hapin e vogël, hapin e parë, që siç do të thoshte filozofi i lashtë Konfuc, është i domosdoshëm për të ndërmarrë një udhëtim të gjatë…!-
 Çfarë absurdi!
Mund t’i imagjinoje të dyja si fobi të varfërisë apo luksit, ose si antifobi të tyre, po dukej e pamundur të përcaktoje se cili ishte sindrom i njërit dhe cili ishte i tjetrit…

Check Also

Bastardët po negociojnë me Greqinë për detin

Nga Spartak NGJELA – Të gjithë këta bastardë që kanë negociuar dhe po negociojnë me …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

6 + 10 =