Home / Kryesore / Karriera e paparashikueshme si tregimet e shkruara nga Borges dhe Calvino

Karriera e paparashikueshme si tregimet e shkruara nga Borges dhe Calvino

Nga Richard Sennett-

 Kur kam nisur të shkruaj, jeta ime profesionale u nda në dysh. Nga njëra anë, shkruaja romane, nga ana tjetër qëndronte sociologjia. Shkrimi i romaneve, që më ka interesuar qysh në fillim, më ka lejuar të bëj eksperimente narrative përmes historive që luanin me lëvizjen e pacaktuar të ngjarjeve ose që qëllimisht krijonin mungesa koherence.

Në rini, mësuesit e mi në këtë lloj narrative “revolucionale” ishin Jorge Luis Borges dhe Italo Calvino, si edhe kritiku i tij interpretues Roland Barthes. Krijimi i historive të tilla më entuziazmonte, duke më hapur dyer e lirisë së pamatë.

Por në kostumin e sociologut kam punuar në një plan tjetër kohor. Kur nisa të studioja botën e punës, në fillim të viteve ’70, historitë njerëzore të personave që intervistoja u ngjanin dramave të përgatitura mirë, shtrënguese dhe aspak eksperimentale. Për shembull, punëtorët amerikanë që përshkrova në “Frakturat e fshehura të klasës” (1972) kishin punuar vetëm në një numër të vogël kompanish përgjatë jetës dhe shpresonin ta përmirësonin veten me rritje të vogla të pagës dhe statusit profesional.

“Jakat e bardha”, të pozicionuara më lart në statusin profesional, i orkestronin jetët e tyre për t’u ngjitur në një shkallë fikse në kompani. Këto tregime të jetëve reale ishin krijuar brenda organizatave të mirëpërcaktuara: kompani me burokraci të qëndrueshme, sindikata të fuqishme, një welfare.

Në çerek shekullin e fundit, kapitalizmi modern ka ndryshuar në atë pikë sa këto narracione të jetës së mirëpërcaktuar po dobësohen. Forca të mëdha – si teknologjitë e reja, tregjet globale, forma të reja të organizimit burokratik – po çrregullojnë eksperiencën të shtrirë në kohë që kanë njerëzit. Forca të tilla orientojnë aktivitetin ekonomik drejt përfitimeve afatshkurtra dhe jo atyre afatgjata, duke vënë në pikëpyetje rolin e objektivave institucionalë. Sa për të dhënë një shembull: në vitin 1960, “horizonti i fitimit” i përdorur nga investitorët për të vlerësuar kompanitë ishte tre vite, në vitin 1999 përgjithësisht u reduktua në tre muaj.

Mënyra në të cilën këto referenca kohore ndikojnë te puna mund të sqarohen me dy shembuj që lidhen me evolucionin e gjuhës angleze përgjatë shekujve. Në kohën e Chaucer, në shekullin XIV, për “career” (karrierë) nënkuptohej një rrugë e shtruar e përcaktuar mirë mbi të cilën mund të udhëtohej; “job” (punë) ishte copëza e diçkaje, e qymyrit apo e drurit, që mund të zhvendosej pa dallim nga një vend në tjetrin.

Sot, në tregun e punës, është “job” i kohës së Chaucer që përkufizon më së miri punën, më shumë se sa “career”. Një i diplomuar duhet të presë që përgjatë jetës të ndryshojë të paktën dymbëdhjetë herë vendin e punës dhe të paktën tre herë “bazën e aftësive” profesionale. Dhe aftësitë që ai duhet të ketë në moshën dyzetëvjeçare nuk janë aspak ato që ka mësuar në shkollë. Të ndryshosh punën nuk është më pjesë e trajektores së Chaucer në karrierë. Pa një strukturë organizative të stabilizuar, ndryshimi i punës bëhet një rrugë më pak e parashikueshmë.

Historitë e jetës reale u afrohen kështu tregimeve eksperimentale të rrëfimit që më pëlqente të shkruaja. Por siç fillova ta kuptoj duke intervistuar punëtorë rreth mesit të viteve ’90 për librin tim mbi tregun e punës, “Njeriu fleksibël”, koha e lirë kaq entuziasmuese për ta lexuar në tregimet e Borgesit nuk përkthehet po aq mirë në jetën e një llogaritari në mesomoshë, i mbetur papritur pa punë dhe i detyruar të lëvizë kështu në mënyrë fleksibël nga një vend në tjetrin, në cilësinë e konsulentit. Pa një kuptim të qartë se si strukturohet puna në nivel kohor, njerëzit bëhen konfuzë në mos të depresionuar, mbi atë se ç’duhet të bëjnë. “Të gjithë më thonë që duhet të ndërmarr risqe në punë”, vuri re një avokat i ri, “por unë nuk kam një komardare shpëtimi në rast dështimi”. Vetë vendi fleksibël i punës duket i paparashikueshëm, i palexueshëm. Për shembull, natyra prej kameleoni e organizatave u ndalon njerëzve të dinë se çfarë do të ndodhë nëse ndërrojnë vendin e punës.

Ekziston edhe një dimension social i lidhur me derregullimin e kohës. Organizatat fleksibël tentojnë ta minimizojnë ndërlidhjen: Si mund të jesh besnik në një organizatë në ndryshim të vazhdueshëm? Në këtë pikë kuptova se punonjësit e moshës së mesme, që kishin kultivuar një lloj besimi drejt kompanive të caktuara ndihen të tradhtuar tashmë që kjo gjë nuk vlen edhe kaq shumë. Në të njëjtën kohë, as eksperienca profesionale apo thjesht maturia në punë nuk kanë të njëjtën vlerë që kishin në të shkuarën, duke qenë se punëdhënësit preferojnë punonjës më të rinj, më ekonomikë dhe më fleksibël.

Një mënyrë për të përmbledhur konfliktin mes kohës së shkurtër dhe derregullimeve në një kompani dhe jetës së një person inga ana tjetër, është se sa më shumë akumulohen eksperiencat profesionale, aq më shumë vlera e tyre ekonomike bie.

Për këtë qëllim, do të doja të propozoja atë që mund të duket si një tezë paradoksale. Nga një anë, në kapitalizmin modern, derregullimi i kohës dobëson njerëzit me karrierë profesionale mesatare, të cilët turbullohen nga fakti se kanë humbur një histori profesionale për t’i orientuar. Por gjithsesi, lloji i artit narrativ i propozuar nga Borges dhe Calvino mund t’i orientojë më mirë njerëzit për të kuptuar regjimin që përfaqësohet nga Bill Gates.

Së paku, ekonomia e re politike na fton si sociologë ta hulumtojmë historinë e punës nga këndvështrimi i një narracioni eskperimental. Për ta bërë këtë, do të duhet të rimarrim në konsideratë praktikat tona profesionale. Si sociologë, kemi mësuar mirë të përshkruajmë, por jo edhe aq mirë të tregojmë kushtet sociale.

Check Also

Kinezë pranojnë që kanë gënjyer botën për koronavirusin

Mjekët kinezë janë filmuar fshehurazi, ku dëgjohet se ata ishin në dijeni sesa i rrezikshëm …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 × one =