Home / Opinion / Kaos, papërgjegjësi, cinizëm

Kaos, papërgjegjësi, cinizëm

Nga Enver Robelli

Kjo qeveri nuk është në gjendje të kontrollojë situatën me pandeminë. Kosova dhe korona janë në autopilot. Numri i të vdekurve dhe të infektuarve po shtohet në mënyrë dramatike. Kabineti duket i përçarë, disa janë për dasma, disa kundër dasmave, disa për izolim 7-ditor të qytetarëve që kthehen në Kosovë, disa kundër izolimit. Situata është bërë dramatike për shkak se kjo qeveri nuk gëzon autoritet në opinionin e gjerë publik

Ky është një koalicion qeveritar që në radhë të parë interesohet për poste, përfitime dhe pazare. Madje këtë e bën edhe në kohë pandemie. Kryetari i një partie të vogël ka plane të mëdha – thotë: grahni dasmave, mos u ndalni. Lehtësia me të cilën e thotë këtë, është frikësuese duke pasur parasysh numrin rekord të të vdekurve nga virusi. Si mund të jetë një kryetar partie gati po aq i papërgjegjshëm sa një këngëtar dasmash? Çdo ditë po vdesin nga 8, 7 apo 5 veta. Numri i të vdekurve mund të jetë shumë më i madh për shkak se me gjasë në statistikë figurojnë vetëm ata që janë testuar dhe kanë rezultuar pozitivë. Zyrtarisht rreth dyqind njerëz kanë vdekur tashmë. Numri i viktimave ka shënuar rritje të tmerrshme sapo kjo qeveri mori pushtetin.

Ka komuna ku njerëzit po presin të testohen dhe nuk po arrijnë të testohen. Sepse po testohen politikanët dhe familjarët e tyre. Po testohen ata që kanë lidhje, deputetë, ish-deputetë, të ashtuquajtura “figura publike”. Ligji e Kushtetuta i konsideron të gjithë qytetarët të barabartë, por si te romani “Ferma e kafshëve” i George Orwellit edhe në Kosovë të gjithë janë të barabartë, por disa janë më të barabartë.

Shto këtu kaosin që po mbretëron me çarjet dhe përçarjet brenda koalicionit qeveritar. Një e deleguar në qeveri nga kryetari i lartpërmendur i partisë së vogël proteston kundër vendimit të qeverisë për vetëizolim të qytetarëve që kthehen nga Shqipëria dhe vende të tjera. Qeveria nuk ka ofruar asnjë informacion të vlefshëm se përse izolimi 7-ditor i njerëzve që kthehen në Kosovë mund të luftojë virusin. A i referohet qeveria ndonjë studimi apo ky vendim merret kuturu, vetëm për të krijuar përshtypjen se po bëhet diçka? Deri më tani thuhej se faza e inkubacionit të virusit shkon deri në 14 ditë, rrjedhimisht do të duheshin 14 ditë vetëizolim, nëse veç synohet diçka e tillë. Pse po improvizohet me 7 ditë? Edhe sa i përket kufizimit të qarkullimit: çfarë ka sjellë kufizimi mes orës 21:00 deri në orën 05:00? A ka përgjigje qeveria? Dhe çka do të sjellë kufizimi mes orës 22:30 deri në orën 05:00?

Kësaj qeverie përballja me pandeminë i ka dalë nga dora. Prandaj, ka të drejtë një kryetar partie që thotë: mos prisni t’ju mbrojë qeveria, ndihmoni vetes. I njëjti politikan po këtë qeveri e quante të “mrekullueshme” kur u zgjodh me “votën e mesnatës”. Gjithsesi, qytetarët kanë përgjegjësi personale, të madhe madje, por kur qeveria nuk ka autoritet, kur ministrat nuk kanë autoritet, kur ata që menaxhojnë me pandeminë nuk merren seriozisht, sepse brenda pak kohësh herë merren me emërime, herë me shkarkime, atëherë dështimi është i garantuar. Strategjia nuk po duket askund. Kosova dhe korona janë në autopilot. Kjo është përshtypja. Dhe shifrat dramatike po e dëshmojnë këtë.

Ku mbeti tash ai ministri që pak para mesnatës klithte në përkrahje të gjendjes së jashtëzakonshme? Thua se fjalët “gjendje e jashtëzakonshme” vetvetiu e luftojnë pandeminë. Ku mbeti presidenti me klithmat e tij të përditshme të pragpranverës së hershme për gjendje të jashtëzakonshme? Ku mbeti gjithë aparati i propagandës që deri sa u rrëzua qeveria e kaluar nuk zgjodhi mjet e metodë për të skicuar apokalipsin?

Gjithë rrëmuja brenda koalicionit aktual ka edhe një anë cinike: betejën për të zgjeruar koalicionin, betejën për postin e presidentit, betejën për “pozicionime patriotike” përballë të papriturave nga Gjykata Speciale. Ndërkohë gjendja po rëndohet në të gjitha frontet: shëndetësia është para kolapsit dhe kryeministri ishte frikshëm i sinqertë kur tha se 570 persona janë të shtrirë në spitale, ndërsa Kosova ka vetëm 700 shtretër, gjendja e ekonomisë është rënduar pa masë, mungesa e diasporës gjatë kësaj vere do të ketë efekte negative shtesë.

Sidomos këto ditë, kur po renditen njëri pas tjetrit arkivolet, qytetarët po e shohin se çfarë sistemi shëndetësor kanë “ndërtuar” qeveritë e deritanishme – që nga viti 1999. Ky sistem shëndetësor ka qenë më shumë një tender i madh për blerje ilaçesh, një biznes për hapje spitalesh private (shumica të orientuara për fitim të shpejtë) dhe një rrëmujë për punësime e avancime të pamerituara në spitale publike.

Nëse kjo pandemi e ka një “të mirë”, atëherë këtë: po ua bën të qartë edhe militantëve partiakë se virusi nuk bën dallime klasore mes të varfërve dhe atyre që janë pasuruar mbi kurrizin e të varfërve. Mbi të gjitha pandemia po e ballafaqon shoqërinë e Kosovës me faktin e hidhur se për dy dekada janë votuar parti politike që kanë qenë burim nepotizmi, klientelizmi dhe patronazhi, ku të mirat publike janë ndarë për interesa private.

Check Also

“ÇIPIZIMI” I HAPËSIRËS PUBLIKE

Dekonstruktimi i këtyre teorive të komplotit, i “çipizimit” në hapësirën publike nëpërmjet mendimit shkencor mbetet …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

five × three =