Home / Intervista / Kandidati për deputë Dhimitraq Lapa: Saranda e voton përherë forcën reale të njeriut të saj

Kandidati për deputë Dhimitraq Lapa: Saranda e voton përherë forcën reale të njeriut të saj

Kandidati për deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Sarandë, Dhimitër Lapa, ka përcjellë bilançin e javës së parë zyrtare të fushatës elektorale. Problemet më të mprehta, ecuria e fushatës në Sarandë dhe mbarëvajtja e procesit përgatitor, nga administrata përgjegjëse për menaxhimin e tyre janë disa nga çështjet që z. Lapa ka spikatur në intervistën e tij, ekskluzive për “Arberianews”.

Zoti Lapa keni mbyllur javën e parë të fushatës zyrtare si kandidat për deputet. Cilat janë përshtypjet prej ballafaqimit të deritanishëm me qytetarët?

Përshtypjet përkojnë me realitetin në të cilin ndodhet vendi. Shqipëria ndodhet në momentin më të vështirë ekonomik, shëndetësor, arsimor, politik. Shqipëria gjendet e ‘gllabëruar’ në të gjitha pushtetet e saj vetëm nga një njeri, të cilit në 25 Prill më shumë se kurrë duhet t’i japim me votën masive dënimin qytetar e civil. Qytetarët kanë arritur një nivel pakënaqësie të pamatë, por mbi të gjitha, si asnjëherë më parë ata ndjejnë kthetrat e pushtetit nëpërmjet presionit, gjobave të padrejta, kërcënimeve. Një kryeministër i cili arrin të kërcënojë qytetarët e tij për karrigen e pushtetit, është më shumë se një kriminel. Këtë ta pohojnë qytetarët gjithkund ku shkoj dhe me të cilët takohem

Cilat janë problemet më të mprehta që përcjellin qytetarët tek ju gjatë takimeve?

Problemet nisin qysh me mungesën e shërbimeve në institucione, ekonomisë në përpëlitje, papunësisë në përmasa dëshpëruese, varfërisë për të arsimuar fëmijët, betonizimit në qytet nëpërmjet projekteve të pa konsultuara me publikun, korrupsionit për të marr çdo lloj shërbimi, mungesa e transparencës, largimi i të rinjve. Eshtë një kompleksitet problemesh të cilat e kanë sforcuar dhe kërrusur qytetarin sarandit në mbijetesën e tij. Por më shumë se kaq, kostot që na vijnë nga këto dallgë që ka krijuar qeveria Rama, mbivendosen me vështirësitë e tjera nga pandemia, keqmenaxhimi i së cilës ka nxjerrë në dritë mashtrimin e shëndetësisë falas dhe vjedhjen e madhe me koncesionet në shëndetësi. Eshtë gjendja e rënduar psikologjike, mungesa e perspektivës dhe e një psikologjie fataliste e cila e ka burimin prej keqqeverisjes dhe keqmenaxhimit.

Si e shihni fushatën elektorale në Sarandë? A ka konkurencë dhe si po shpaloset ajo?

Fushata elektorale ka interaktivitet me qytetarin që takon përballë dhe me qytetarin virtual. LSI është një forcë politike gjithnjë në zgjerim dhe si e tillë dallon nga pala tjetër kundërshtare e cila ‘lufton’ për të ‘ngrënë’ votat e anëtarësisë. Fitorja e 25 Prillit shkon përtej votës së anëtarësisë, sepse puna që bëhet në terren për të faktorizuar programin tonë politik do të materializohet në votën qytetare, në votën masive. Sa më shumë presion t’i bëjnë Sarandës, aq më të fortë do e marrin grushtin e humbjes. Sa më shumë presion t’u bëjnë qytetarëve të tyre, aq më shumë njerëz do të dalin të votojnë pa ngurrim në 25 Prill. Jemi ende larg një fushate të vërtetë demokratike sepse terreni i krijuar nga Edi Rama i ngjason një xhungle politike dhe anarkie sociale. Ai nuk kërkon konkurrencë, ai synon të eleminojë premisat për demokraci.

Fushata e deritanishme i përmbahet projeksionit tuaj për mandatet që synoni?

Sigurisht që po ! Projeksioni ynë është 3 mandate në Qarkun e Vlorës. Qysh në fillim të fushatës e kemi dizenjuar strategjinë elektorale për t’a realizuar këtë objektiv sepse sa më shumë mandate LSI, aq më shumë stabilitet dhe integrim ka vendi ynë. E ndeshim përherë në bisedat me njerëzit që takojmë se LSI është ekuilibri dhe baza e pluralizmit të sakatuar në vend. Forca jonë politike garanton përfaqësim të shpërndarë dhe jo autokraci. Ne ndiejmë se sa nevojë ka vendi dhe shoqëria për një demokraci me vlera të ndryshme përfaqësimi, se sa I nevojshëm është diversiteti politik në Parlament dhe se si duhet të jenë të gjithë të përfaqësuar. Saranda është qyteti dhe pjesa e vendit që e ka në natyrën e vet përfaqësimin pluralist, sepse ka komunitete të ndryshme, garanton provën e madhe të bashkëjetesës etnike dhe është një kurorë e përfaqësimit të krahinave dhe trevave të ndryshme të Shqipërisë. Në këtë pikë, LSI dhe Saranda takohen përmbajtësisht.

Si e vlerësoni përgatitjen e administratës lokale zgjedhore? Ka ndonjë shqetësim përgjatë këtyre përgatitjeve?

Administrata lokale është tërësisht e përfshirë në zgjedhje, në mënyrë të kundraligjshme dhe të padrejtë. Administrata ka dhënë fytyrën dhe zërin e saj për të kryer fushatë me Partinë Socialiste duke e zhvendosur gjithë shërbimin civil në shërbim politik të Edi Ramës. Kjo nuk ka ndodhur as në ditët më kritike të tranzicionit politik të Shqipërisë. Ka një klimë presioni mbi të punësuarit në shtet dhe në administratë, kjo është e shëmtuar. Nuk ka përpjekje të duhura për të krijuar një klimë të papërfshirjes dhe sidomos për garantimin e integritetit të strukturave zgjedhore sipas modelit që parashikon dhe kërkon ligji zgjedhor. / Marrë nga “Arberianews.net”

 

Check Also

Fantazmat e lëvizjeve të kufijve aviten përsëri në Ballkan

Nga Akri  ÇIPA –   Fantazmat e lëvizjeve të kufijve aviten përsëri në Ballkan. Më …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

16 + seventeen =