Home / Kryesore / Kanali I Suezit/ Kush e ndërtoi, rëndësia dhe roli i shqiptarëve aty

Kanali I Suezit/ Kush e ndërtoi, rëndësia dhe roli i shqiptarëve aty

Nga Dr. Mustafë BAJRAMI –

 

Kanali i Suezit është një prej momenteve që ka shkaktuar më së shumti tundje në botë. Është produkt i ideve dhe përpjekjeve njerëzore mbi 5 vijë vjeçare. Kriza e Kanalit të Suezit ka qenë kriza më e rrezikshme që nga Lufta e Dytë Botërore kur hedhen bombat atomike mbi Hiroshimën dhe Nagasakin. Në fakt, është ngjarja ku i jep fund dominimit qindvjeçar anglo-francez në Lindje të Mesme dhe fillimit të supremacisë amerikane jo vetëm atje, por në gjithë botën. “Folur shqip”, Kanali i Suezit është vepra më e madhe që e kanë bërë ndonjëherë shqiptarët në histori. Qoftë drejtpërdrejtë me duart e tyre, qoftë tërthorazi me ide dhe përpjekje të gjithanshme. Përfundimisht, kanali i Suezit është shah-damari i tregtisë botërore. Pa te, tregtia dhe bota në përgjithësi, sigurisht se do të ishin ndryshe.

Hyrje

Xhemal (Gamal) Abdul Naser, është oficeri egjiptian që rrëzoi dinastinë shqiptare të Muhamed Ali Pashë Kavallës në Egjipt. Në vitin 1952 merr pushtetin në duar dhe i jep fund sundimit shqiptar në Lindje të Mesme. Që në start, Naseri u përpoq të zbatonte politika që do ta bënin Egjiptin fuqinë kryesore midis vendeve arabe. Nacionalizimi i Kanalit të Suezit (1956) ishte hapi i parë i tij në drejtim të pan-arabizmit të rrezikshëm për Perëndimin. Vendimi i Naserit për Kanalin e Suezit shkaktoi zhvillimet më të ndjeshmë dhe më të rrezikshme ndonjëherë në historinë e Lindjes së Mesme. Këto zhvillime njihen me emrin, “Kriza e Kanalit të Suezit”.

Kriza e Kanalit të Suezit dhe ndryshimet në baraspeshat gjeostrategjike në Lindje të Mesme

Shtetet arabe, pas disfatës së tyre në luftë kundër Izraelit në vitin 1948, kaluan nëpër një periudhë trazirash të mëdha politike. Ngjarjet më kritike ndodhën në Egjipt. Në vitin 1952 oficerët rebelë të mbështetur nga Vëllazëria Myslimane detyrojnë mbretin shqiptar, Farukun ta dorëzojë pushtetin dhe të ikë në mërgim. Dy vite më vonë, Naseri nisë lëvizjen pan-arabe të udhëhequr nga Egjipti e cila kishte për synim dëbimin e britanikëve nga Lindja e Mesme dhe shkatërrimin përfundimtar të Izraelit. Në ndërkohë, Egjipti fillon sponsorizimin e akteve të dhunës kundër Izraelit nga Rripi i Gazës dhe ndërpreu transportin përmes ngushticës së Tiranit. Britanikët ndërhynë kundër Naserit, e pak më vonë edhe francezët. Këta të fundit, në këtë kohë po luftonin me nacionalistët islamikë në Marok, Algjeri dhe Tunizi.

Nga ana tjetër, Izraeli që nga themelimi i tij në vitin 1948, seriozisht kishte punuar në ndërtimin dhe forcimin e vendit. Është i njohur trajnimi i forcave rezervë ushtarake prej 200,000 burra dhe gra të armatosur kryesisht me armë franceze. Ben-Gurion besonte se arabët kurrë nuk do ta pranonin ekzistencën e Izraelit. Përveçse me forcë. Në këtë kohë, politika e SHBA-së ishte e orientuar kah minimizimi i mosmarrëveshjeve arabo-izraelite dhe paralajmëronte të gjitha palët për rrezikun e depërtimit komunist. Eisenhower dërgon në rajon një mision në janar 1956 me shpresën e pajtimit të Kajros dhe Tel Avivit. Për më tepër, Shtetet e Bashkuara ranë dakord që nëpërmes Bankës Botërore të kontribuojnë me 200,000,000 $ në projektin e Egjiptit për një digë të re të Nilit në Asvan. Megjithatë, flirtet e Naserit me Moskën i ftohën amerikanët, dhe si rezultat, me datë 26 korrik 1956, Xhemal Abdul Naseri shpallë nacionalizimin e Kanalit të Suezit.

Britania e Madhe dhe Franca, të cilët kundërshtuan me forcë vendimin egjiptian, nisën një operacion ushtarak në rajonin e Kanalit të Suezit. Këtij operacioni i paraprinte marrëveshja e fshehtë midis tyre dhe Izraelit. SHBA-të dhe Bashkimi Sovjetik, si dy superfuqitë e Luftës së Ftohtë, kundërshtuan vendimin trepalësh Francë-Angli-Izrael. Britania e Madhe dhe Franca u detyruan të tërhiqen nga aty, dhe si rezultat i kësaj tërheqjeje, Egjipti doli në plan të parë në botën arabe. Lindja e Mesme në përgjithësi po bëhej problemi kyç në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërsa SHBA-të dhe Bashkimit Sovjetik zunë pozicionet e dikurshme të Francës dhe Britanisë. Që të dyja këto superfuqi pretendonin kontrollin mbi Kanalin e Suezit, duke e shtyrë çështjen e Kanalit t[ pranohej nga bota si çështje dhe problematikë ndërkombëtare.

Në fakt, Egjipti e konsideronte nacionalizimin e Kanalit punë të kryer dhe në përputhje me ligjet në fuqi të vendit. Kajroja zyrtare ishte e pa kompromis karshi përpjekjeve të jashtme për ta bërë Kanalin e Suezit problem ndërkombëtar. Ky insistim i vazhdueshëm, Egjiptit i siguronte fuqi ndikuese edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Arsyetimi i dhënë nga vendimi i Kombeve të Bashkuara lidhur me pronësinë e burimeve natyrore si dhe insistimi i Bashkimit Sovjetik për të drejtën e vetë në tregtimin me armë, Egjiptin e forcuan edhe më shumë. Avokimi kësisoj i Egjiptit forcoi pozitën e tij për tu bërë një vend kyç në botën arabe dhe rriti popullaritetin e Naserit midis arabëve.

Popullaritet i tanishëm i Naserit e ndihmoi atë të bëhej emër i fuqishëm në botë, ndërsa Egjipti të fitonte një rol të rëndësishëm në Lëvizjen e të Painkudruarve. Përtej kësaj, Egjipti arriti të mbajë nën kontroll Kanalin e Suezit dhe të diktonte tundjet dhe lëvizjet nëpër vende të ndryshme arabe që filluan luftën për tu çliruar nga kolonializmi francez dhe anglez.

Në këto rrethana, qeveria amerikane mbështeti haptazi Egjiptin. SHBA-të kishin nevojë të dukeshin si mbrojtës i shteteve arabe karshi ish-shteteve kolonialiste evropiane. SHBA-ve po i rritej simpatia në sytë e rajonit. Amerikanët fituan simpatinë e arabëve dhe mundën supremacinë e ish-kolonialistëve nga Evropa. Edhe në raport me Bashkimin Sovjetik që po tregonte ambicie për të qenë fuqi vendimmarrëse në Lindjen e Mesme, amerikanët dolën në rend të parë.

Megjithatë, krizat e njëpasnjëshme në Lindje të Mesme shumë herë shkonin në favor të reputacionit edhe të Bashkimit Sovjetik. Në kohën e Naserit Bashkimi Sovjetik u bë shteti kryesor që po mbështeste Egjiptin. Sovjetët deklaronin se e drejta sovrane e Kanalit të Suezit i përket Egjiptit. Ky qëndrim i sovjetëve u shpalos botërisht në Konferencën e Londrës në gusht të vitit 1956.

Për shkak se Bashkimi Sovjetik ishte vendi i parë që njohu Izraelin de jure, kjo superfuqi e kohës kishte nevojë të riparonte imazhin e saj negativ në botën arabe. Sovjetikët i përdorën dy momente shumë të rëndësishme: Mbështetën Egjiptin në çështjen e Kanalit të Suezit, si dhe filluan ndryshimin e qasjes ndaj politikave ndërkombëtare që i kishte vendosur më parë Stalini. Formula e re sovjetike “të jetohet së bashku në paqe” zëvendësoi qëndrimin e deriatëhershëm të proletarizimit gjithë botërorë të Stalinit. Futja në lojë e kësaj doktrine të re, Bashkimit Sovjetik i ndihmoi shumë karshi përpjekjeve amerikane për ta izoluar Bashkimin Sovjetik në Lindje të Mesme. Mund të thuhet se mbështetja e Bashkimit Sovjetik ndaj Egjiptit përgjatë Krizës së Kanalit të Suezit, ishte pika kulminante dhe më e rëndësishmja që ndihmoi në implementimin e doktrinës së re sovjetike. Kjo doktrinë që thërriste për paqe globale, Bashkimit sovjetik i siguroi një shtrirje komode nëpër vende të ndryshme të botës, e fillimisht në Lindje të Mesme.

Gjithsesi, Kriza e Kanalit të Suezit kishte thelluar edhe më shumë armiqësinë arabo-izraelite. Pas Luftës së vitit 1948 që erdhi si rezultat i krijimit të shtetit të Izraelit, sulmi i Izraelit në bashkëpunim me Francën dhe Britaninë në rajonin e Kanalit të Suezit ishte lufta e dytë e madhe arabo-izraelite.

Kur u hap për herë të parë Kanali i Suezit, dhe kontributi i shqiptarëve në këtë punë madhështore?

Ideja e lidhjes së Mesdheut me Detin e Kuq e nga andej me Oqeanin Indian daton nga koha e faraonëve. Ramsesi i II-të është i pari që kishte kërkuar hapjen e këtij kanali. Megjithëqë ia kishte arritur, pas një kohe kanali mbyllet si rezultat i mbushjes me rërën e shkretëtirës. Kanali doli nga përdorimi. Kanalin e Suezit e riparuan romakët, por asnjëherë në përmasa sa të përdorej lirshëm. Përgjatë kohës së Halifatit Islam, Omer Ibnul Hattabi pas rekomandimeve që i jep për themelimin e pesë qyteteve kryesore në botën islame, urdhëron guvernatorin e Egjiptit, Amr bin Asin të hapë kanalin dhe të vë në shërbim të të gjithëve. Për tri vite rresht u punua pandërprerë, dhe në fund, kanali u zgjedhua deri në 11 metra, u thellua 7 metra dhe vazhdoi të përdorej për 300 vite me radhe. Deri në fund të shekullit X-të.

Në shekullin e 16-të, portugezët nisen drejt ujërave të Oqeanit Indian dhe marrin nën kontroll ‘Rrugën e Erëzave’. Janë të njohura masakrat e portugeze që bënë mbi popullatën e pafajshme muslimane përgjatë brigjeve të Afrikës Veriore. Këto udhëtime të portugezëve, Perandoria Osmane i konsideroi si një kërcënim serioz ndaj tokave lindore të saj. Përballë këtij rreziku, Veziri i Madh Sokullu Mehmet Pasha dhe kapiteni Derya Kiliç Ali Pasha bënë përpjekje të hapnin serish kanalin që lidhte Mesdheun me Detin e Kuq. Megjithatë, mundi i tyre disa vjeçar dështoi për disa arsye.

Pasi kishte pushtuar Egjiptin, edhe Napoleon Bonaparta punoi për hapjen e Kanalit të Suezit. Megjithatë, inxhinieri francez Le Pere, i cili ishte ngarkuar me punët e kanalit, bëri një matje të gabuar duke thënë se Deti i Kuq ishte 10 metra më i lartë se Mesdheu. Për këtë arsye, Napoleoni hoqi dorë nga ideja e hapjes së kanalit.

Dhe tani, vjen radha e shqiptarëve. Mehmet Ali Pasha, një shqiptar nga Kavalla e gjeneral në ushtrinë osmane, pushton Egjiptin dhe fillon ndryshimet radikale në Veri të Afrikës dhe në tokat e Shamit. Po ky, jep rekomandimet për hapjen e Kanalit të Suezit. “Është ëndërr e jetës sime hapja e këtij kanali” kishte thënë disa herë Mehmet Ali Pashë Kavalla. Ky strateg arbëror tregonte se është shqiptar dhe si shqiptar dëshironte të vdiste. Në një rast, konsulli francez, Mourriez e kishte pyetur përse aq shpesh e përsëritë se ishte shqiptar. Ai i përgjigjet. “I tillë jam dhe gjuha ime është shqipja. A nuk më kini dëgjuar kur u flas njerëzve dhe rojeve të mia? Shqiptar jam e shqiptar do vdes, ndonëse u përpoqa të bëhem egjiptian i mirë”!

Edhe Fan Noli e përshkruan Mehmet Ali Pashë Kavallën me fjalët më admiruese: “Pashai shqiptar Ishte vërtetë fetar, por aspak fanatik. Ky fakt vendimtar e bënte të hapur ndaj ideve perëndimore, sepse prej fanatizmit nuk vjen asgjë e mirë”.

Megjithëqë Muhamed Ali Pasha nuk arriti ta realizonte projektin që e kishte përgatitur më parë, këtë e bëri Said Pasha, i biri i tij trashëgimtar (sund: 1854-1832). Said Pasha kishte kontraktuar një kompani franceze për menaxhimin e punimeve, ndërsa për punë krahu angazhohen kryesisht egjiptianët. Punimet përfundojnë dhjetë vite më vonë. Ismail Pasha (sund: 1863-187), nipi i Mehmet Ali Pashë Kavallës është ai në kohën e të cilit përfundojnë punimet në hapjen e Kanalit të Suezit. Kanali lëshohet në përdorim saktësisht në vitin 1869. Përgjatë këtyre dhjetë viteve, aty punuan 200.000 mijë punëtorë, nga të cilët vdiqën mbi 120.000. Trembëdhjetë vjet pas lëshimit në përdorim të kanalit, saktësisht në vitin 1882 Anglezët pushtojnë Egjiptin dhe marrin kontrollin e Kanalit të Suezit. Perandoria Osmane bëri disa luftëra ta rikthejë pronësinë e tij. Megjithatë, deri në rënien e Perandorisë, të gjitha përpjekjet osmane dështuan.

Çka është dhe ku pozicionohet Kanali i Suezit?

Kanali i Suezit është kanal artificial detar me një gjatësi prej 193.3 kilometra ndërmjet Detit Mesdhe dhe Detit të Kuq. E ndanë kontinentin e Afrikës nga kontinenti i Azisë dhe për këtë arsye është lidhja më e afërt detare në mes pjesës perëndimore dhe asaj lindore të Tokës.

Kanali i Suezit ka rëndësi të madhe strategjike. Është rruga më e rëndësishme e kalimit të mallrave nga e gjithë bota si dhe shërben për furnizimin e Evropës me naftën e Lindjes së Mesme. Ai lidhë Detin Mesdhe me Oqeanin Indian përmes Detit të Kuq, duke lejuar që të kryhet transporti detar nga Evropa në Azi dhe Afrikë, si dhe nga ato kontinente drejt Evropës. Rëndësia e tij kaq e madhe për tregtinë ndërkombëtare e bëri atë burim të pakontestueshëm të konfliktit midis fqinjëve të Egjiptit, e në anën tjetër, edhe të superfuqive që garonin për dominim përgjatë Luftës së Ftohtë.

Kanali i Suezit mban emrin e qytetit përreth të cilit kalon. Suezi është qytet-lima me një milion banorë. Siç cekëm pak më parë, kryetari i atëhershëm i Egjiptit, Xhemal Abdul Naser e nacionalizon kanalin në vitin 1956 ku dhe bëhet shkak i luftës së dytë arabo-izraelite. Më saktë, kur Franca, Anglia dhe Izraeli në vitin 1956 kryejnë invazion ndaj Egjyptit, qyteti i Suezit shkatërrohet dhe boshatiset tërësisht. Më pas OKB-ja do t’i jep kanalit dhe Rrafshnaltës së Sinait statuse neutrale. Pas luftës së tretë arabo-izraelite të vitit 1967, fillon ri-ndërtimi i qytetit të Suezit dhe kthimi i banorëve në te. Në vitin 1975 kanali rinovohet sërish dhe hapet për komunikacion po atë vit.

Një histori e shkurtër e Kanalit të Suezit dhe disa të dhëna interesante në lidhje me te

Kanali i Suezit hapet nëvitin 1869. Atëbotë ishte ishte i gjatë 164 km me një thellësi 8 m. Madhësia maksimale e anijeve të lejuara të kalojnë përmes kanalit midis viteve 1869-1956 ishte 22 ft tërheqje dhe 5000 DWT peshë e ngarkuar.

Kohë pas kohe deri në vitin 1956, kanali arrin gjatësinë 175 km, thellësinë 14 m, ndërsa gjerësia e tij bëhet 148 metra. Midis 1956 dhe 1962, madhësia e anijeve që lejoheshin të kalonin përmes kanalit u ndryshua në 35 ft tërheqje maksimale dhe 30000 DWT peshë të ngarkuar.

Deri në vitin 1962, thellësia e kanalit u rrit në 15.5 m, ndërsa gjerësia e kanalit prej 148 m, në 189 m. Midis 1962-1980, dimensionet e anijes që lejoheshin të kalonin përmes kanalit u ndryshuan në një maksimum prej 38 ft drafti dhe 60000 DWT të peshës së ngarkuar.

Në vitin 1980, gjatësia e kanalit ishte 189.80 km, thellësia 19.5 m, gjerësia në sipërfaqe 263 m. Në vitin 1994, thellësia e kanalit rritet në 20.5 m, ndërsa gjerësia e tij prej 11 m në 170/200 m. Midis viteve 1980-1994, madhësia e anijes së lejuar për të kaluar nëpër kanal u ndryshua në një maksimum prej 53 ft tërheqje dhe pesha e ngarkuar 150000 DWT.

Deri në vitin 1996, thellësia e kanalit u rrit në 21 m. Midis viteve 1996-2001, dimensionet e anijes që lejoheshin të kalonin përmes kanalit u ndryshuan në një maksimum prej 58 ft drafti dhe një peshë të ngarkuar prej 185000 DWT.

Deri në vitin 2001, gjatësia e kanalit ishte 191.80 km, thellësia 22.5 m, gjerësia në sipërfaqe 303 m, dhe gjerësia në 11 m thellësi ishte 195/215 metra. Midis 2001-2010, madhësia e anijes së lejuar për të kaluar nëpër kanal u ndryshua në një maksimum prej 62 ft tërheqje dhe një peshë të ngarkuar prej 210000 DWT.

Që nga viti 2010, gjatësia e kanalit arrin në 193.3 km, thellësia në 24 m, gjerësia në sipërfaqe 313 m, dhe gjerësia në thellësinë 11 m, 205/225 m. Prej vitit 2010, madhësia e anijes së lejuar të kalojë përmes kanalit është ndryshuar në një maksimum prej 66 ft të tërheqjes dhe një peshë të ngarkuar prej 240000 DWT.

Në vitin 2015, Egjipti hapi kanalin e dytë, i cili u ndërtua paralelisht me një pjesë të kanalit më 6 gusht 2015.

Kostelacionet gjeostrategjike rreth Kanalit të Suezit

Britanikët, francezët dhe izraelitët kishin vendosur ta luftonin Naserin në Egjipt. Në bazë të marrëveshjes, këto tri vende do ta sulmonin Egjiptin fillimisht në Sina dhe Suez, e pastaj nga të gjitha anët. Megjithëqë presidenti amerikan Eisenhower merr vesh për këtë marrëveshje të rrezikshme tri-palëshe, atij i thonë se fjala është për një sulm të mundshëm ndaj Sirisë, e jo ndaj Egjiptit. Edhe pse presidenti amerikan në fakt e dinte të vërtetën, ai detyrohet të heshtë për shkak se nuk dëshironte t’i humbaste votat e hebrenjve në zgjedhjet që ishin afër. Sidoqoftë, Moshe Dajan në heshtje mobilizoi brigada të tëra dhe në natën e 29 tetorit e sulmon Egjiptin. Me këtë akt, Moshe Dajan i zë në befasi edhe egjiptianët dhe amerikanët. Synimet izraelite ishin shkatërrimi i ushtrisë egjiptiane të cilën e shihnin si një kërcënim serioz, dhe neutralizimin e bazave palestineze në Gaza. Nga ana tjetër, anglezët dhe francezët synonin të shtinin në dorë Kanalin e Suezit, ta rrëzonin Naserin dhe në fund t’i jepnin goditjen përfundimtare radikalizmit arab që kishte marrë dhenë.

Sulmi ajror izraelit filloi mbi bazat egjiptiane në Sinai, ndërsa kolonat e blinduara depërtonin thellë në Gadishull. Anglezët dhe francezët i japin ultimatum Kajros për tu tërhequr, a në anën tjetër duke vazhduar bombardimet e bazave egjiptiane në thellësi të Egjiptit. Egjipti ishte kërcënuar edhe me bombë atomike sikur Hiroshima dhe Nagasaki. Si rezultat, ushtria egjiptiane detyrohet të tërhiqet nga Sinai. Eisenhower që ishte i preokupuar me Hungarinë dhe zgjedhjet në SHBA, shprehi zemërimin e tij të madh ndaj mosdëgjimit të aleatëve. Fill pas kësaj, me 1 nëntor sponsorizoi një rezolutë të KB për një armëpushim të detyrueshëm.

Në këtë luftë të madhe, i vetmi fitues real në rrëmujën e Suezit doli të jetë Bashkimi Sovjetik. Përtej afirmimit në Lindje të Mesme që po e fitonte ditë e më shumë, në anën tjetër tanket sovjetike hyjnë në Budapest të Hungarisë, shtypin tmerrësisht popullatën atje dhe vrasin thuajse të gjithë udhëheqësit e vendit. Sovjetikët në fakt, shfrytëzuan nacionalizmin arab dhe për të fituar një terren në Lindjen e Mesme, furnizuan me armë nga Çekosllovakia qeverisë Egjiptiane dhe e ndihmuan të ndërtonte Digën në Asuan, pasi që Shtetet e Bashkuara refuzuan të mbështesin projektin. Në ndërkohë, udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov doli me qëndrimin e tij të ashpër si asnjëherë më parë, duke kërcënuar SHBA-të dhe Evropën se do t’i binte raketa bërthamore në Evropën Perëndimore nëse forca izraelito-franceze-britanike nuk tërhiqej.

Goditja izraelite e 29 tetorit të vitit 1956 ishte fatale për Egjiptin. Përfundimisht, trupat britanike dhe franceze zbarkojnë në Port Said dhe Port Fuad dhe marrin kontrollin e zonës përreth Kanalit të Suezit. Sidoqoftë, ngjarjet e tetorit 1956 rreth Kanalit të Suezit qitën në pah disa momente të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Ato ngjarje përshpejtuan nevojën e një bashkimi të mundshëm evropian, rasti i Hungarisë ua qartësoi evropianëve perëndimorë edhe më shumë natyrën e regjimit sovjetik, Kanali i Suezit ngjalli zemërimin amerikan karshi evropianëve, dhe si përfundim, SHBA-të filluan ekspozimin e fuqisë reale ushtarake duke nisur akomodimin gjithandej ku kishin qenë më parë anglezët dhe francezët.

Kështu, katalizatori kryesor për sulmin e përbashkët Izrael-Britani-Francë ndaj Egjiptit, ishte nacionalizimi i Kanalit të Suezit që e bënë Xhemal Abdul Naser në korrik 1956. Në fakt, kjo gjendje e tendosur kishte filluar që prej disa kohësh. Në prag të Luftës së Dytë Botërore, ushtria egjiptiane bënte presion mbi ushtrisë britanike që ishte vendosur atje në bazë të Traktatit Anglo-Egjiptian të vitit 1936. Egjiptianët dëshironin largimin e anglezëve dhe kolonizatorëve tjerë nga vendet arabe. Forcat e armatosura të Naserit gjithashtu u përfshinë në beteja sporadike me ushtarët izraelitë përgjatë kufirit midis dy vendeve. Udhëheqësit egjiptian asnjëherë nuk e fshehën antipatinë egjiptiane ndaj shtetit të Izraelit.

Përfundim

Pse ndërhyri SHBA-ja në Krizën e Kanalit të Suezit?

Administrata e Presidentit Eisenhower ishte e shqetësuar tejmase nga kërcënimi bërthamor i Bashkimit Sovjetik. Ai paralajmëroi Moskën se deklaratat e pakujdesshme rreth armëve bërthamore vetëm do t’i përkeqësonin gjërat. Në ndër kohë i shkroi Hrushovit duke i thënë që të përmbahej nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë në konfliktin e Suezit. Eisenhower gjithashtu lëshoi paralajmërime të rrepta për Francezët, Britanikët dhe Izraelitët që të hiqnin dorë nga fushata e tyre dhe të tërhiqeshin nga toka egjiptiane. Eisenhower ishte i mërzitur në veçanti me britanikët, për shkak se mos informimit të drejtë ndaj SHBA-ve. Amerika i kërcënoi të tri kombet me sanksione të rënda ekonomike nëse vazhdojnë sulmet mbi Egjiptin. Kërcënimet e Eisenhower dhanë rezultate. Forcat britanike dhe franceze u tërhoqën deri në dhjetor; Izraeli iu nënshtrua presionit amerikan në mars të vitit 1957, dhe kështu heq dorë nga kontrolli mbi Kanalin e Suezit.

Kriza e Suezit shënoi përdorimin e parë të një force paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara. Forca e Emergjencës e Kombeve të Bashkuara (UNEF) ishte një grup i armatosur i dërguar në zonë për të mbikëqyrur përfundimin e luftimeve dhe tërheqjen e tre forcave okupuese.

Pas krizës së Suezit, Britania dhe Franca, dikur perandori që po sundonin botën, detyrohen të tërhiqen dhe t’i lëshojnë rrugë SHBA-ve. Pas kësaj humbje në terren dhe në imazh, dy muaj më pas, Kryeministri britanik Anthony Eden, jep dorëheqje.

Pas luftës së tretë Arabo-izraelite (qershor 1967), Egjipti mbylli Kanalin e Suezit. Për gati një dekadë, Kanali i Suezit u bë një prej problemeve më serioze të botës së atëhershme. Në vitin 1975, si një gjest qëllim mirë për paqe në rajon, presidenti egjiptian Anvar el-Sadat rihapi kanalin e Suezit. Nga ajo kohë e deri më sot, Kanali Suezit ka vazhduar të funkcionuari si një prej kanaleve detare më të rëndësishme në botë.

Kanali i Suezit i sjell të hyra Egjiptit deri në 13.5 miliard dollarë në vit. Në kohën e pandemisë, të hyrat egjiptiane nga ky kanal kanë pësuar rënie 5 miliard dollarë. Ndërsa humbjet që u shkaktuan nga rrëmuja e këtyre ditëve aty, Egjiptit dhe botës i kanë sjellë telashe të pariparueshme.

Sot e kësaj dite, Kanali i Suezit është nën menaxhimin e Egjiptit. Pas turizmit, Kanali i Suezit konsiderohet një prej burimeve kryesore të ekonomisë egjiptiane.

Kanali i Suezit - Wikipedia

Check Also

U arrestua me 1 kg kokainë, ja kush është efektivi i RENEA-s/ FOTO

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me arrestimin në flagrancë të një efektivi të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

twenty − sixteen =