Home / Kulture / KAFSHIMI I DURIMIT! Kushtuar skulptorit JANAQ PAÇO

KAFSHIMI I DURIMIT! Kushtuar skulptorit JANAQ PAÇO

Nga Ylli Xhaferri

Pasqyra iu bë si e krisur dhe plasaritur nga nata e mbrapshtë. Disa plasa ishin gërryer e thelluar në sipërfaqen e shndritshme si të qenë diçka mes vetëtimave të zeza apo kërcejve prej pushit të mykut, ku brendashkruhej fytyra e tij si ta kishin kurorëzuar me girlanda të së keqes. Kishte bërë një gjumë thepak. Në gojën e shkrumbuar ndjente hidhësinë si të kishte përtypur e ripërtypur pelin. Natëpelin!- një rremb buzëqeshje iu shqit buzëve të kyçura nga makthi i orëve të vetmisë grirëse. Pastaj dhe telefoni e kishte masakruar, një rrokamë ndjellakeqe që e skepte në mendimet drizarake më zi se sa shqiponja në mëlçinë e Prometeut, fqinjit të lashtë…

Kishte pasqyrurar dhe ndriçuar bukurinë njerëzore. Prometeu fitoi mërinë dhe dënimin hyjnor se u dhuroi zjarrin njerëzve, tek ua mori perëndive në Olimp, kurse ai…Pastaj, skulpturat e tij ishin thjesht fryt i fantazisë, asnjë model nuk kishte pozuar për të… Kishte gdhendur e fikësuar në artin statik bukurinë femërore. Delikatesën. Pjellorinë. Mirësinë. Pastëritnë…S’kishte arsye, kurrësesi jo, të pësonte fatin tragjik të Prometeut … U rrënqeth. Dënimi njerëzor që vuhej në tokë ishte më i egër dhe më i pamëshirshëm se dënimi i banorëve hyjnorë të Olimpit. Përsëri fërgëlloi, si në ethe… Zgafellat e Spaçit humbonin në vetëdijen e trazuar më mendjeprishëse se sa shkëmbijtë e thepisur të Kuakazit… Kishte fëmijë, grua. Një thep dhimbjeje iu çel në ballin e djersitur, ia mbrudhi vetullat duke ia picërruar sytë si para një drite të fortë. Një drite e tillë ia kishte përcëlluar natën e mbrëmshme… kur e kishin ftuar për një seancë këshilluese në Drejtorinë e Katërt…Zyra ishin, apo qeli.!? E kishin marrë në pyetje?! Kërcënuar?!… Sy i keq!- kishte shprehur dufin për atë dritë qiklopike që ia kishte djegur mendimet, dëshirat dhe frymëzimin si me rrufe sferike.

Nuk i bëhej ta shihte veten në pasqyrë, si ta kishte marrë mëri. Përse? Kë! Vetveten?! Kishte zgjuar mërinë e banorëve vip të Bllokut. Përse, vallë..! U mundua të kujtojë nëse kishte gdhendur ndojnë portret a bust të tyre… Harresë! Mosangazhim? Mospërfillje! Mosvlerësim? – u rrënqeth. Jo! As njëra, as tjetra. Thjeshtë kishte preferuar temën universale. Figurën njerëzore e kishte zbërthyer si karakter…Kishte realizuar një trajtim plastik të formës klasike…Bukurinë femërore me një sfumaturë të lëmuar si qelqi…Lëvizje të kursyera…Një ekzagjerim harmonik të finesës femërore…Një njollë e zezë iu shkrua në sytë e fryrë nga pagjumësia. Nata e mbrëmshme… Debati i gjatë, me pandehma, tension, pikëpyetje, dyshime, kthim veprash në karton, djegie në turrën e druve, mohime, heqje të drejtës së botimit, thyerje, autokritikë, nxirja e realitetit, burgimi, internimi, edukimi në gjirin e klasës punëtore dhe fshatarësisë kooperativiste…Shiriti i magnetofonit që shpështillte makth…Terrorizmi i atyre të cilëve u përmendej emri, tkurrja, bërë një grusht…

Këmbët e çuan në studio. Sapo hapi derën, ndjeu praninë e gjallë të krijesave të ngjizura me aq mund e dëshirë, ngulmim e pasion, fantazi e dashuri, privacione personale dhe familjare… U qetësua disi. Kishte hyrë në mbretërinë e tij të punës dhe intimitetit. Me një shikim përkëdheli daltat, kavaletet, bocetet, etydet dhe armaturat e mbushura me argjil, që heshtnin plot hijeshi, si të bënin gjumin e qetë të arsyes. U mbështet paksa mbi një masiv graniti. E kishte shkëputur në shpatin e bardhë të Malit të Korabit, në Ceren…Mbusheshin afro katër vjet që nuk po mundej të skalitëte në të, qoftë dhe një daltë të vetme. Me dorën që i dridhej lëmoi linjat e pakonturuara të një sirene, iu zgjua dëshira për të gdhendur Vajzën e Valëve…

Lëvizi nëpër studio. Qëndroi përpara aneksit me perde të mbyllur si të kryente ritin e një homazhi. Tërhoqi perden. Një rreze e flashkët drite ra mbi nudot. I shkëndijoi dhe u dha jetë, madje, ndjeu kukurizmat e të qeshurat ngacmuese. Ja, Çapkëneja, zgjatej nga Ajkuna si për t’ia larguar nga buzët e bukura vajtimin shumëshekullor. Studioja u mbush me nur e hijeshi. U rrënua në magjinë e bukurisë…Befas ra në mend. U rrënqeth. Rrëmbimthi mbylli perden. Hëna perëndoi. Një re imcake pluhuri fjollëzonte mbi studio dhe kompleksin e nudove si një natë me vranësirë. Vranësira e kohës, apo e stinës! Kohë e zymtë!- shqiptoi, teksa ndjeu në gojën e shkrumbuar shijen e hidhur të natës misterioze… Përsëri hapi perden. Nudot llamburitën, Nurtika shkëlqente e dritësonte si të kishte veshur këpucët magjike të Hirushes. Ishte i dëshiruar për atë hijeshi dhe freski, të cilën e kishte realizuar gjatë një pune sfilitëse mëse dhjetëvjeçare. Nudot luanin me hijedritat e trupave të tyre të bardhë si të lara me pjalm lulesh apo krahnezë kristaline. I gëzoheshin bukurisë shpërthyese, rinisë dehëse, pozave gracioze, gjestikulacionit fin e të kursyer, joshës e grishës me ledhe fërgëlluese…

Mjeshtri qeshi, teksa iu kujtua thënia e një studenti…Ia kishte pagëzuar nudot Apostuj të Bukurisë Femërore. Çudi?! Vërtetë, dymbëdhjetë ishin dhe Apostujt e Shenjtë, selia e të cilëve lartësohej në qiell?! Apostujt e tij gjallonin në tokë, ishin femra të zakonshme, prej mishi dhe gjaku, kishin veset e shenjtërinë e tyre, fytyrën engjëllore si të larë me dritë hëne e lare me vese linjat e harkuar, gjymtyrët e harmonizuara deri në përsosmëri… Balli iu bulëzua nga shkulmet e djersës. Nuk po mundej të qetësohej. Mendimet ishin egërsuar, kishin ngjeshur brirët dhe çarteshin si demat kriflëshuar… Nuk po i mblidhte dot në vathën e shqyer të mendjes…Përse ta fshihte atë bukuri magjepse!? Ta maskonte pas perdesh, si ndonjë gjë të shëmtuar! E mira e donte që ato të ekspozoheshin në Galerinë e Arteve të Bukura ose në hapësirat shlodhëse të qyteteve. Me sytë e dëshirës populloi sheshet dhe parqet e Shqipërisë me nudot e studios. Me dhimbje…por, pa xhelozi. Ato bukuri u përkisnin të gjithëve … Gërshetëzën e Gjolit, e harmonizoi me bregun e Liqenit të Pogradecit, pikërisht aty ku fillon e hedh shtat pylli i virgjër i Drilonit…

U humb në vite. Kujtoj gëzimin e Lasgushit, teksa përkulej plot nderim e veneracion ndërsa e pa për herë të parë. Madje akoma në pëllëmbët e saj të mbledhura kupë para kofshëve të kolme ruhej si relikë e shenjtë zambaku i tharë, vendosur atë ditë prej lirikut të madh…Teutën e ngriti në piedestalin e rrënojave antike të Amfiteatrit të Durrakiumit, dorën e bukur drejtuar nga deti si t’ua bënte me shenjë dallgëve të egërsuar që të qetoheshin. Razafën para Kafes së Madhe në Shkodër, pranë “Motrës Tone”…Mjeshtrit iu tret në gojë shija e largët e një kafeje pirë me Kolë Idromenon, dikur atje. Po Jezercën? Në sheshballkonin e Shtëpisë së Kulturës në Bajram Curri. Mamicën krenare në hyrje të kështjellës së Krujës … Më saktë tek Shkëmbi i Vajës, në rrëpirat e thikta ku u vetëflijua lulja e bukurisë femërore krutane…Iu bë se kishte temperaturë, zjarrmi…

Nudot heshtin. Fytyrat e bukura tendosur prej llahtarës. Ishin dëshmitaret e rrënimit të tij. Dikur të lavdisë… Përse heshtnin! Si nuk zbrisnin nga piedestalet?… Bënin sehir.!? Shkatërrimin? E kujt, tw atij… që u dha jetë!…Priste që ato të zbrisnin nga piedestalet, te merrnin shami te lagura per t’i ulur zjarrmine, pse jo, te mbushnin kovat, të kryenin ritualin e zjallfikësve. Të paktën t’i vinin kompresa mbi ballin që përvëlonte…Por, ato heshtnin. Heshtja e tyre po e çmendte. Kishte besuar në dashurinë e tyre. S’mund të pajtohej me atë heshtje sfilitëse që po e marroste. Ç’të bënte! T’i braktiste? T’i linte pre e lakmisë grabitqare të dështakëve! U rrënqeth. Mendoi sytë e tyre brazduar nga rremba të kuq gjaku, fryrë nga epshi shtazarak. Jo! Nudot nuk do t’i lëshonte! Ato ishin të tijat…Dashuritë e pashprehura, intimitetet e patreguara me zë të lartë…I lëmoi e përkëdheli me sy. E Bukura e Dheut kishte mpiksur në buzët mishtake një teh shpotitës. Për të apo për veten!? Trilivës po i shpërthenin gjinjtë e fryrë nga një gaz e hare kumbuese, si kot e pa shkak. Si mundeshin, xhanëm?…U ndie i shpërfillur. I lënë jashtë kujdesit. I shfrytëzuar. I flakur, akoma më keq, si limon i shtrydhur… E, nga kush? Nga to? Mos, mos e dhëntë Zoti! Një valë mërie iu mblodh shuk në fytin e thatë…Sytë iu errën, shikimi iu terr. Një e zezë pis ia përmbyti vetëdijen e alarmuar.

Ja, shih si qeshen!- i kërleshej vetvetes. Gëzohen. Një xhelozi e rëndë e kaploi duke e zhytur në një gjendje histerie të pakontrolluar. Iu dhimbs vetja… I tradhëtuar…Mezi mbushej me frymë. Kurrë! Asnjëherë nuk keni qenë Aspostuj të Bukurisë!- plasi zemërimin çmendurak. Sabati i Shtrigave jeni!…Zhytur e llangosur në hirin e vesit e mëkatit. Zana e Malit si një koketë e llastuar i gëzohej gishtave të gjatë e të hollë. Apo thonjve? Tanusha me një lëvizje delikate lëmonte vetullat…Mori inat rapsodin e lashtë. Vetullat e saj nuk ishin biskaj, jo, ato ishin dy gjarpërinj helmues që i kërlesheshin ballit. Apo atij, vetë? Si nuk i kishte njohur më parë?! Ishte mashtruar! Ofshani i zhgënjyer…Tëmthat i gjëmonin. Pulsonin…Një dritë e fortë si hekur i skuqur ia përzhitëte kujtesën. E si.!? Mua!…Përse!? U dhashë nga mishi, gjaku dhe shpirti im! Tradhëtinë s’e fal! Do t’i vras! Në hiç do t’i kthej! Në pluhur! Në asgjë!…

Fërgëlloi teksa hodhi sytë në përgjim. Nudot e tij do të ishin flijimi i radhës në themelet e kalasë së re, një kala fantazgorike, më saktë sozia e ferrit Dantesk. Rimbirë mbi tokën e Mëmëzonjës. Ra në të thella. Mendoi fatin e tyre të keq, përdhunuar zgafellave të galerive…Stallave, taracave, zboreve. Kurrë! Asnjëherë! Më mirë i copëtoj me këto duar që i krijova! Mos e dhëntë Zoti! Iu rindez egërsia. Ishte marrosur nga dashuria për to…Tehu i mprehtë i shpatës, ku përdreq u ndodh në dorën e tij, i dha një të çarë tërthore llahtarës së mpiksur në fytytrën hënore të Ajkunës…Dora iu këput…Befas iu hodh në krahë Nurtika si për t’i vënë freh mërisë së tij apokaliptike. U çmerit. Shtatorja po lëvizte. Ç’është? Shpata i piku nga dora . Nurtika e hijshme zbardhëllonte si qefin. I falej? E grishte në qetësi! I lutej nga dëshira për të jetuar?! Jo, më mirë në hiç, në asgjë, se sa të flirtoni brezareve… Ndjeu dhimbje për Nurtikën. E kishte dashur më shumë nga të gjitha. I lëmoi dorën me të cilën mundohej të shplekste gërshetin. Pikërisht ai gërshet i bukur e acaroi, më saktë vargu i një kënge, ku gërshetin e kthenin në gjalmë a rrip… Gërsheti i Nurtikës së tij ishte nepërkë bukurie. Nuk mund të shpërdorohej e dhunohej ashtu. Nurtika e hijëshme i kishte rënë në duar. Në besë?! …

U acarua. I luteja apo e këshillonte të përmbahej. Në fund të fundit veten po dëmtonte… Jo, nuk mund t’i linte ato krijesa të brishta e delikate pa mbrojtje. Dita në ditë po bëhej me e egër dhe meve ashpër. Bukuria marramendëse e nudove e trembte… Më mirë në pluhur e në hiç se sa t’i shihte të zvarriteshin mundimshëm, llangosur e përbaltur, dobësuar e rrudhosur, kockëdala e brinjëjashta nrper zgafella minierash e baltra internimesh…Krijesat e tij ishin simbole bukurie. Dita kërkonte të tjera simbole. Tw egra, me erw djerse e gjaku! Duhej ta shihte Nurtikën në sy. Hijeshia magjepëse do ta thyente…S’kishte kohë të tepërt, nxitonte të përfundonte masakrën kobndjellëse… para së cilës Guerenike e Pikasos ngjante si lodër fëmijësh. Ishte skulptori unikal në botën e qytetëruar që thyente e asgjesonte krijesat e veta… I detyruar, i parapërcaktuar?!… Ç’farë?! U trondit, kur pa Nurtikën në duar. Vetja iu duk si para një inçesti të kobshëm. E lëshoi shtatoren, si t’i digjte e përcëllonte duart allçija e ftohtë…I pari u thye gërsheti. Pluskoi nëpër dyshemenë e pluhurosur si një gjarpër i plagosur. Coprat e allçisë krisën, gjoksi i bëshëm plasariti, madje njëri gji iu thërrmua. Torzoja e bukur si e një amazone. S’ishte më kohë amazonash!…Ngriti shpatën e ngjyer me gjakun e bardhë të statujave… Sytë ishin zhytur në terr. Terri i vetes? Apo terri i kohës. Nëpër dyshemenë e studios syri rrokte vetëm gjymtyrë të prera, profile të copëtuara, gjokse të çarë, sy të ndryrë në llahtari, gojë këlthitëse, kofshë të shëmtuara nga masakra, duar që heshtnin… Apokalipsi i artit të ri!…

Mezi mbushej me frymë. Dihaste si astmatik. Kur gjithçka dergjej përdhe, ngriti shpatën drejt vetes…Nuk ishte frikacak. Nuk do të vdiste…Do të jetonte… Për fëmijët, gruan dhe artin…Fuqiprerë ra në gjunj. Në trurin e shplarë s’mundej të mendonte… Asgjë. Ishte si një masë xhelatinoze e zhultë që pluskonte në bosh. Dënesi, një e qarë shpërthyese me zë dhe gulçe. Lotët piknin si breshër. Zemra po i plaste. Lot të nxehtë, valë. Mes zallamahisë në dysheme njohu dorën e Trilivës. Akoma e ruante bukurinë dhe magjinë shprehëse… Atë dorë e kishte parë në një dasmë në Përmet. Vajza që printe vallen i kishte duart magjike, tmerrësisht të bukura dhe komunikuese. Ajo nusëronte me duar. Ajo dorë iu shkrua në mendje…ia përshtati ëmbëlsisht Trilivës hyjnore… Medet, ajo dorë s’është më?! O Zot!- u rrënqeth. Ç’tmerr! Ç’kasaphanë! Ç’bëra!? Cila ishte dora vrastare? Cila mendje e yshti në të keq?… Pa duart. Gjurmët e krimit ishin të freskëta. Gjaku i bardhë dhe i pafajshëm i shtatoreve qe përzier me gjakun e tij të kuq që rridhte nga një e çarë në llërën e majtë…Gjak i bardhë…gjak i kuq?! Apo gjak e qelb. I erdhi për të vjellë, kot nuk thonin e zuri gjaku…

O Zot! Kishte vrarë? Me ç’ta lante atë krim të përbindshëm?! O tmerr, krijesave të pambrojtura? Mënxyra ishte sosur…Si do të guxonte të dilte në rrugë. Do ta shënonin me gisht. Bijëvrasësi! Çdo të thonin të njohurit? Përse jo, të panjohurit?! Arti u përkiste të gjithëve. Po studentëve? … Pa le, kishte ëndërruar t’i derdhte dhe përjetësonte në bronx! Bijëmohonjës! Më keq…por, më keq se aq mendja nuk i rrokte asnjë llojë gjëme…Kishte vrarë e masakruar Trilivën. U rrënqeth. Kujtoi udhëtimin me të nga vendi fqinjë kur sapo kishte përfuinduar Akademinë e Arteve të Bukura. Doganieri i huaj kishte ulur traun, ngaqë e kishte marrë për grabitës veprash arti. Bukuria e Trilivës e kishte bërë xheloz. Si mund të kishte bukuri të tillë në tokën që ai e urrente?… Vetë kishte pritur qetësisht, teksa shihte Trilivën që llamburiste enkas si për t’i çmendur xhelozie kufitarët e huaj. Kurse sot…U ngrit. Do t’i thyente daltat. Do të ndryhej në vetvete. Do të zhytej në vetmi. Do të lutej për fatin e tyre tragjik. Të pastronte ndërgjegjen e gjakosur. Nuk ishte vrasës. As i çmendur!…

Ishte artist. Me shpirt dhe ndjenja të holla. Ishte bashkëshort dhe prind…Nudot ishin vetëdija e tij artistike. Nuk mund t’i harronte kurrë, as t’i mohonte. Ato jetonin tek ai, frymëmerrnin të gjalla. Mbase ndonjë ditë do t’i risillte në jetë… Ashtu siç qenë, Apostuj të Bukurisë Femërore…Ah! Kishte vrarë! Nuk ishte më si më parë, diçka tek ai qe thyer për të mos u ngjitur më kurrë… Po digjej nga malli për fëmijët. Edhe për të shoqen. U nis për në shtëpi. Edhe pse asgjë nuk kishte për t’u thënë ato do ta kuptonin. E shoqja do ta falte, po fëmijët?…Vajmedet e nesërmja…

Check Also

Me skepticizëm gazmor kundër patologjisë së përditshmërisë

Enver Robelli/ Me rastin e vdekjes tmerrësisht të hershme të poetit e kritikut letrar Ramadan …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

19 − 17 =