Home / Kryesore / Jeta e Jamarbër Petro Markos(Madu), poeti i talentuar që u persekutua nga komunizmi

Jeta e Jamarbër Petro Markos(Madu), poeti i talentuar që u persekutua nga komunizmi

Jamarbër Petro Marko, poet, i biri i Petro Markos lindi më 19 mars 1951, në Tiranë. Më 1974, u diplomua për gazetari. Në fund të vitit 1975 u dënua me shtatë vjet heqje lirie. Dënimin e vuajti në Spaç të Mirditës. U lirua me kusht dhe kundrejt një sakrifice të madhe të së ëmës, Safo Markos, më 1978. Pas lirimit punoi si hamall në Kinostudion «Shqipëria e Re». Më 1991 mbeti invalid nga një aksident i rëndë. Vdiq më 4 shtator 2010.

Madu ka botuar dy vëllime me poezi, njëra në vitin 1995 ku edhe u vlerësua si libri me poezi më i miri i vitit dhe vëllimi i dytë  “Pro nobis” i botuar në vitin 2001.

Aksidenti i vitit 1991 i kushtëzoi një jetë të tërhequr nga ngjarjet e kohës. Edhe pse në gjendje të vështirë ai vazhdoi të merrej me poezi duke ia diktuar njerëzve të afërt për t’ia shkruar.

Blloqet me të gjitha poezitë e tij janë në arkivat e familjes Marko, dhe një pjesë e mirë e tyre nuk e ka parë ende dritën e botimit.

Në një intervistë të rrallë e të ndjerë për emisionin “Madem”, Arianita e motra e Jamarbër Markos flet mbi marrëdhenien e saj me të vëllanë dhe mbi ditët e fundit të poetit.

Pjesë nga intervista me gazetaren Jerida Sakaj:

Arianita, ju keni 4 vite diferencë me Jamarbërin. Si ishte fëmijëria juaj dhe sa të lidhur ishit më njëri tjetrin?

Kemi qenë shumë të lidhur. Jamarbëri nuk e ka pritur mirë ardhjen time në jetë . Sipas asaj që më kanë thënë ma ka futur një shpullë sapo prindërit më sollën nga matarniteti(qesh). Por me tej kemi patur një lidhje shumë të afërt,  më merrte gjithmonë me vete kudo që shkonte.

Përse e quanit Madu, cili është kuptimi i këtij emri?

Një nga komshijet tona në atë kohë nuk ja thoshte dot emrin e plotë Jamarbër dhe i thërriste shkurt Madu, e që atëherë i mbeti ky emër.

Lojrat tuaja nuk kanë qënë të zakonshme si fëmijët e tjerë, si i kujton këto momente?

Ai ishte një person me shumë fantazi pasi lexonte shumë. Nga kjo pata fatin edhe unë të lexoja libra të shumtë. Dëshirën për aventura e morëm nga librat.  

A ishte xheloz, a kishte besim te ty?

Ai kishte besim por nuk duronte të më ngacmonin të tjerë.

Çfarë muzike pëlqente ai?

Muzikën italjane, si Celentano. Më tej dëgjonte Bitëllsat, aq sa i vumë edhe poster në dhomë. Mbaj mënd natën kur e arrestuan, babi u tha atyre që e morë që këto në foto janë kushërinjtë tanë. Askush si njohu.

Meqë përmende arrestimin, Madu ka qënë shumë i ri kur ndodhi kjo, si e përjetoi ai?

Arrestimi na shokoi të gjithëve. Pasi mbaroi fakultetin për gazetari shkoi të bënte  stazhin në Vlorë ku u vlerësua dhe u fol mirë për të. Por për çudi pasi mbaroi stazhin nuk e morën në punë . Ai kërkoi edhe punë vullnetare vetëm që mos të rrinte pa punë, pasi i vinte zor që ta mbante familja. Ai u la qëllimisht pa punë, pasi mesa dukej po survejohej derisa u arrestua. Në njëfarë mënyre e priste këtë gjë sepse shumë nga poezitë e tij kanë qarkulluar dhe njerëzit janë njohur me mënyrën e tij të menduarit. Ai e ndjente që po e ruanin. Për fat këto poezi ja dorezuam një mike të afërt, Erleta Celmeta. Të besoje në atë kohë ishte një gjë shumë e madhe. Këto blloqe kur e arrestuan nuk i gjetën dhe Leta na  i dha  më vonë dhe per fat te mire ne i kemi në shtëpi sot.

Arrestimi na ndryshoi totalisht të gjithëve. Babai i babit, dhe babi vetë e kishin provuar burgun dhe ai ishte i shokuar që edhe djali po e provonte këtë gjë. Ai ishte një djalë i brishtë, vuante nga azma dhe të gjitha këto babin e tronditën shumë. Kjo ishte një goditje për familjen tonë. Edhe babi është goditur, u dënua me një heshtje duke i djegur veprat, dhe kur kjo gjë i ndodhi djalit të vetëm ishte shumë e rëndë.

Madu akuzohej per agjitacion dhe propagandë. Ishin gjëra banale , por ata e kishin vendosur që të kapeshin me të.

Gjëra shumë të rënda që edhe sot i vuajmë për jetën e vështirë që pati dhe ëndërrat që nuk i realizoi dot. Ai regjim shkatërroi shumë të rinjë.

Jeta e Madu ishte burgu dhe aksidenti. Në ‘91 pas protestive ishim të friksuar për atë që mund t’i ndodhte. Një ditë na njoftuan që e kishin gjetur të dëmtuar në kokë në gjendje kome.

Ditën që ai iku nga jeta kam vajtuar për ikjen e tij. Me mendjen e tij ai mund ti kishte dhënë shumë njerëzve.(qan)

 Të flasim pak për gjërat e mira, në ’95 ai pati botimin e pare ku fitoi dhe një çmim, si e përjetoi këtë moment?

Ai nuk deshi të botonte, por miku i tij Fatos Lubonja dhe Brikena Cabej ishin ata qe e  binden më tej t’i jap formë në libër shkrimeve te tij. Parat që mori nga çmimi ai i shpërndau tek njerëzit në nevojë.

Ai u përpoq të shkruante por me ndihmën tonë, pasi ishte i pamundur fizikisht të shkruante. Pati vlerësime dhe u bind të bënte botimin e dytë.

Ka ende shumë poezi që po presin dhe është detyra ime ,ashtu si me babin ta çoj deri në fund punën e tij.

Madu e ka lënë gati titullin e librit të rradhës?

Ditën e fundit i thashë që duhet  të bëj një botim tjetër pasi ka shumë poezi që po presin dritën e botimit. Ai me gjysëm zëri më tha që e ka menduar titullin e botimit të rradhës. “Nuk di të kthehem”! Mezi e mbajta veten, doja të qaja.

Si i kujton momentet e fundit me të? 

Të kesh një vëlla me probleme të vështirsohet jeta, por po ta kisha dhe njëherë gjalle do t’i beja te gjitha nga fillimi. (Preket dhe qan)

Marrë nga Arberianews.net

Check Also

6 maj 1405 – ditëlindja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut

Portretin e rrallë, e sjell historiani Profesor Dr. Jahja Drancolli, që shkruan: “Portret i rrallë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

fourteen + 15 =