Home / Editorial / Jakup Krasniqi thirri Pashko Vasën në sallën e Hagës

Jakup Krasniqi thirri Pashko Vasën në sallën e Hagës

Nga Aleksander ÇIPA-

Jakup Krasniqi me përgjigjen apologjike para Gjykatës Speciale në Hagë, e ka rikthyer vetveten tek pikat më të larta të ndikimit dhe vëmendjes publike, në mediat ndërkombëtare dhe sidomos ato të rajonit tonë. Ka rikthyer një ndjenjë tjetër të publikut në drejtim të vetes si personazh i një procesi vetiak. Ka zgjedhur një ditë të vështirë dhe, pse jo edhe kthesë, për jetën vetjake. Me një pohim themelor vetëbindjeje, pavarësisht përjetimit dhe ndjenjës së trishtë të përballjes me fatin nën akuzë, ai është kapur fisnikërisht dhe kombëtarisht, tek shprehja e tejkalimit të përkatësisë religjionare.

Këtë e bëri jo për konjukturë apo aktivizëm sekularist, por për arsye të ngadhnjimit të ndërgjegjes dhe identitetit kombëtar. Ish zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe një ndër politikanët e paktë të vetëtërhequr nga jeta aktive politike në Kosovën e postpavarësisë, nga banka e të akuzuarit për krime lufte, shpalosi bindjen dhe ndërgjegjen prej çlirimtari, duke sfiduar së pari, akuzuesit dhe prapaskenën e proceseve individuale, por të njëkohshëm, ndaj zinxhirit komandues të UÇK-së në Hagë. E sfidoi akuzën e Prokurorit Special me dy referenca: e para, krahasimi i sjelljes në burgun e Hagës me atë që kishte ndjerë në vitet ’80-të në burgjet e ish Jugosllavisë. Dhe e dyta, me deklarimin pa ekuivok se, si intelektual dhe mësues, as që mund të këtë vrarë dhe as mund të ketë bërë krime, por vetëm ka dashur lirinë dhe çlirimin e vendit dhe të popullit të vet.

Por kulmi i apologjisë mbrojtëse të zotit Krasniqi, para Gjykatës, natyrshëm u arrit me pohimin e tij se kërkon të ketë një marrëdhënie me institucionin e gjykatës si shqiptar. Është deklarim intuitiv apo përkues, pohimi i tij se ” nuk është as katolik e as muslyman, por shqiptar” me kredon aq të famshme :” Feja e shqiptarit është shqiptaria!” , -të rilindasit Pashko Vasa?!

Procesi i sapo nisur ndaj krerëve më të lartë të UÇK-së është më kompleks në prapaskenë, se sa në skenë. Për këtë arsye, ky do të jetë një proces i gjatë dhe me peshë të lartë dilemash për të sotmen politike të vendit dhe për të nesërmen individuale të të akuzuarve. Ky është një proces që ka lidhur dhe, sipas gjasave, do të ketë kosto për Kosovën. Për këtë arsye Gjykata Speciale nuk është një portë ku kanë hyrë vetëm udhëheqësit kryesorë të çlirimit dje, dhe të qeverisjes sot, nga Kosova. Do të duhej të kishin hyrë së pari protagonistët e genocidit serb mbi Kosovën dhe më pas edhe autorët e krimeve të mundshme mbi njerëz të pafajshëm.
Të akuzuarit mund të kenë alibi për akuzat zyrtare të Prokurorit Special, por shqiptarët dhe shtetet e tyre i kanë të gjitha detyrimet të interesohen që ky proces individësh i nisur dhe që po zhvillohet në të njëjtën kohë, të mos ketë kosto dhe peshë të pallogaritshme ndikimi mbi Kosovën, të drejtën e saj si ish e pushtuar dhe çlirimtarët që kryen shërbimin suprem ndaj Atdheut. Procesi i njëkohshëm, i ndarë për individët çlirimtarë që dominuan Luftën dhe kohën dy dekadëshe të lirisë, indirekt apo edhe drejtëpërdrejtë, po i lë hapësirë perceptimit për një çlirim të inkriminuar shqiptar në Kosovë. Opcioni i këtij perceptimi dihet se kujt i vlen dhe kush mund ta sponsorizojë dukshëm apo, në mënyrë të rafinuar.
Ky opcion është më shumë se diabolik, madje dhe malinjitet i pashërueshëm në sytë dhe bindjen ndërkombëtare, ndaj Kosovës. Për këtë arsye dhe kundër këtij argumenti, Shqipëria dhe politikanët në detyrë të saj, duhet të kenë një qasje të ndryshuar interesimi ndaj procesit dhe brendisë juridike që po zhvillohet në Hagë. Jakup Krasniqi nuk devijoi për arsye alibie në pohimin se po gjykohet si shqiptar dhe nuk është as muslyman e as katolik. Ai i’u rikthye kauzës së parë, asaj të luftëtarit që u bashkua me bashkëkombësit e vetë, në emër të Atdheut dhe të identitetit që kërcënohej si Prometeu i lidhur në shkëmb, nga robëria dhe pushtimi serb. Për këtë arsye, pa pasur vlefshmëri alibie, Krasniqi si çlirimtar i akuzuar, në sallën e gjyqit në Hagë, thirri Pashko Vasën. Nuk e thirri për ndihmë, por për identifikim si çlirimtar i djeshëm dhe pësues i sotëm për llogari të Atdheut të vet. Për këtë arsye madhore pafajësinë e vet juridike e kërkon dhe duket se do ta mbrojë si të drejtë çlirimtari dhe jo si ” ndërmarrje kriminale” të formuluar nga prokurori. Për arsye të kësaj ndarjeje zotëria i Kosovës e thirri në sallën e gjyqit filozofinë identifikuese të Pashko Vasës. Për gjyqin ndoshta s’vlen, por për ndërgjegjen po.(!)

Check Also

LAJM I FUNDIT/ Të shtëna me armë zjarri në Lezhë, raportohet për të plagosur

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar pasditen e sotme në Lezhë ku raportohet të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

four × three =