Parlamenti izraelit autorizoi sot Ministrinë e Shëndetësisë të zbulojë tek autoritetet e tjera identitetin e njerëzve që nuk janë vaksinuar kundër koronavirusit, duke ngritur shqetësime në lidhje me respektimin e privatësisë së qytetarëve që refuzojnë vaksinën.
Ligji, i miratuar me 30 vota pro dhe 13 kundër, u jep autoriteteve lokale, drejtorit të përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit dhe disa anëtarëve të Ministrisë së Çështjeve Sociale mundësinë për të marrë emrat, adresat dhe numrat e telefonit të personave që nuk janë vaksinuar.
Qëllimi i këtij ligji, i cili është i vlefshëm për tre muaj ose deri në fund të pandemisë, është “të lejojë këto organizata të inkurajojnë qytetarët të vaksinohen duke iu drejtuar atyre personalisht”, sipas një deklarate parlamentare.