Home / Analize / Italia nënshkruan iniciativën: Marrëdhëniet BE-Kinë, në udhëkryq?

Italia nënshkruan iniciativën: Marrëdhëniet BE-Kinë, në udhëkryq?

VALBONA ZENELI, “THE DIPLOMAT” 

Ky është një moment vendimtar për Europën, pasi po i përgjigjet (për herë të parë) politikave industriale dhe tregtare të Pekinit.

Gjurma në rritje ekonomike dhe politike e Kinës në Europë më në fund ka tërhequr vëmendjen e politikëbërësve europianë. Në një qasje të re të Bashkimit Europian (BE), për herë të parë, Pekini përmendet si një “rival sistematik” i Europës. Sipas dokumentit të fundit të Komisionit Europian, të titulluar “Bashkimi Europian-Kina: Një vështrim strategjik”, qasja ndaj Kinës po ndryshon nga një “partner strategjik” (siç është përshkruar për më shumë se 15 vjet në gjuhën diplomatike të BE-së) në një “partner negociues”. Në një mënyrë ideale, BE duhet të gjejë një balancë midis interesave të saj me Kinën si një “konkurrent ekonomik”, përsa i përket lidershipit teknologjik dhe si një “rival sistemik”, përsa i përket modeleve alternative të qeverisjes.

Një nga sfidat kryesore në marrëdhëniet kino-europiane ka të bëjë me iniciativën e Pekinit, Belt and Road (BRI) (Brez dhe Rrugë), apo ndryshe të quajtur One Belt one Road (Një brez, një rrugë), vizion ky personal i Presidentit kinez, Xi Jinping. Duke shkuar edhe më tej, BRI është ngritur deri në rendin kushtetues nga Partia Komuniste Kineze si pjesë e “Ëndrrësk” të Xi Jinping, një platformë tashmë e hapur konkurrence për lidership global, një mënyrë për të reformuar dhe riformatuar sistemin ndërkombëtar, duke e vendosur Kinën në qendër të tij.

Këshilli i Bashkimit Europian u mblodh në datë 22 mars 2019 për të diskutuar një strategji të përbashkët të BE-së ndaj Kinës, e cila do të shërbejë edhe si bazë për samitin BE-Kinë, që do të mbahet më 9 prill. Ironikisht, ne të njëjtën ditë, qeveria italiane nënshkroi një marrëveshje, një memorandum mirëkuptimi me Pekinin, duke u anëtarësuar zyrtarisht në iniciativën kineze BRI.

E zyrtarizuar në vitin 2013, në fillimet e saj, BRI shikohej në Europë si një mundësi reale për rimëkëmbjen ekonomike pas krizave të Eurozonës, por kohët e fundit ka nxitur shqetësime të vazhdueshme, si në institucionet e BE-së, ashtu edhe në disa kryeqytete europiane. Pas një qasjeje “prit të shikojmë” nga ana e BE-së, tashmë ekziston një vlerësim i shumëmbështetur, se ndërsa BRI premton zhvillim global, në të njëjtën kohë ajo bart me vete sfida reale, kryesisht që shkojnë në kundërshtim me axhendën e BE-së, që favorizon liberalizimin e tregtisë globale. Në një përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj BRI, Komisioni i BE-së publikoi një Strategji për lidhjen infrastrukturore të Europës dhe Euro-Azisë, bazuar në normat dhe parimet ekonomike dhe institucionale perëndimore. Ky dokument i BE-së, i publikuar në vitin 2016, e injoron plotësisht BRI.

PARTNERITETET STRATEGJIKE TË KINËS ME PIKAT KRYESORE TË HYRJES NË EUROPË

Ndërsa BE-ja ishte e zënë duke formuluar strategjinë e saj ndaj Pekinit, ky i fundit në mënyrë strategjike po punonte për hyrjen në vendet e Europës Jugore dhe Qendrore. Para Italisë, trembëdhjetë vende të tjera anëtare të BE-së kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale me Pekinin, duke u bërë zyrtarisht anëtare të BRI (BRI ka aktualisht 70 anëtarë, vende dhe organizata ndërkombëtare). Duket sikur gjithçka në vitin 2012 me platformën “16 + 1”, që mblodhi 11 vende, anëtare të reja të BE-së dhe pesë vende kandidate. Që atëherë, dy vende të tjera të BE-së, Greqia (gusht 2018) dhe Portugalia (janar 2019), gjithashtu janë zyrtarizuar si anëtare të BRI.

Një nga dy rrugët kryesore të BRI është rruga detare e mëndafshit të shekullit të 21-të. Italia përfaqëson një nga lojtarët strategjikë më të rëndësishëm për Kinën në Europë, edhe për sa i përket iniciativës detare të Pekinit. Projekti kryesor i Kinës është iniciativa “Pesë Portet”, që përfshin portet italiane të Venecias, Triestes dhe Ravenës, plus edhe Kapernes (në Slloveni) dhe Fiumes (në Kroaci), të lidhura së bashku nga Shoqata e Porteve të Adriatikut të Veriut (NAPA).

Pekini, me një strategji të qartë afatgjatë, ka depërtuar ngadalë në periferinë “më të butë” të Europës Qendrore dhe Jugore, me qëllim final qasjen në “ekonomitë bazë” të Europës Perëndimore, duke marrë njëkohësisht kontrollin strategjik të porteve kryesore të jugut të Europës, si pika kryesore të hyrjes në Europë për transportin e produkteve kineze.

Ndërsa Italia nuk është anëtarja e parë nga vendet e BE-së, anëtare e BRI, ajo është ekonomia më e madhe europiane (anëtare e BRI) dhe e vetmja anëtare e G-7.

Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Kinës dhe Italisë është një dokument shumë ambicioz (ndonëse pa detyrime ligjore), që synon një partneritet strategjik midis Romës dhe Pekinit, që mbulon një gamë të gjerë fushash si tregtia, investimet, financat, transporti, logjistika, infrastruktura, zhvillimi i qëndrueshëm, lëvizja a lirë, mobiliteti dhe bashkëpunimi. Një nga sektorët që është lënë qëllimisht jashtë marrëveshjes është telekomunikacioni, pas presioneve që Roma pati nga BE dhe Shtetet e Bashkuara.

Qeveria italiane shpreson se anëtarësimi në BRI do të hapë mundësi të reja në tregti dhe investime për ekonominë italiane, duke marrë parasysh rritjen e ngadaltë ekonomike të vendit gjatë dy dekadave të fundit. Që nga viti 2001, norma mesatare e rritjes ekonomike të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ka qenë mesatarisht 0.25 për qind, në krahasim me mesataren e vendeve BE-së prej 1.7 për qind, duke pasur një efekt negativ në tregjet vendase dhe fuqinë blerëse të italianëve.

Me një borxh (bruto) të qeverisë italiane prej 130 për qind të PBB-së, Italia shpreson të financojë disa nga projektet e saj të infrastrukturës me para kineze. Që nga viti 2000, Italia ka tërhequr një stok prej 16 miliardësh dollarë investime kineze.

Ndërsa bankat kineze mund të financojnë një pjesë të nevojave infrastrukturore në Itali, ka shqetësime se kjo mund të çojë në një situatë financiare të re dhe të paqëndrueshme, përveç edhe kondicioneve ekonomike dhe politike të bashkangjitura financimeve kineze, siç është vënë re edhe në vende të tjera anëtare të BRI. Në fakt, në disa vende, Pekini është akuzuar për përdorimin e kapacitetit të tij financiar dhe ekonomik për të marrë nën kontroll pasuri strategjike të rëndësishme infrastrukturore, ndërkohë që ato vendet janë zhytur në borxhe të mëdha ndaj Kinës.

Shpresa se anëtarësimi në BRI do të hapë fusha të reja të bashkëpunimit për kompanitë italiane mund të duket optimiste në afatshkurtër, por është naive në perspektiven afatgjatë. Duhet të kemi parasysh se BE-ja në tërësi nuk ka arritur më shumë akses në tregun kinez pas vitesh të gjata insistimi. Në perspektivën italiane, është e mundshme që forcimi i rrjeteve të transportit dhe kontrollit kinez mbi infrastrukturën dhe investimet strategjike në Itali, në afatgjatë, mund të shkatërrojë industritë vendase.

Ndërsa BE-ja po përpiqet të zbatojë një mekanizëm të ri për të kontrolluar investimet kineze në sektorët strategjike anembanë Europës, Italia, çuditërisht, abstenoi nga votimi i këtij mekanizmi vetëm një muaj më parë. Ky është një ndryshim thelbësor në krahasim me qeverinë e mëparshme italiane të drejtuar nga Paolo Gentiloni, i cili në bashkëpunim me qeveritë gjermane dhe franceze kishte kërkuar një mekanizëm të tillë, në një letër dërguar Komisionit Europian në shkurt të vitit 2017, letër e cila theksonte shqetësimet në rritje në lidhje me investimet kineze ne sektorët strategjikë.

SI DUHET TË REAGOJË EUROPA

Europa duhet të mbrojë me çdo kusht sovranitetin e saj teknologjik, duke investuar në industri të reja që mund të konkurrojnë me ndërmarrjet e mëdha shtetërore kineze. Nuk duhet të harrohet se shpenzimet kineze për Research and Development (R&D)(Kërkim dhe Zhvillim) i kanë tejkaluar ato të BE-së. Kina shpenzon 2 për qind të PBB-së së saj, duke shfaqur edhe rritjen më të fortë në R&D(që përbën gati një të tretën e shpenzimeve globale të R&D gjatë 2000-2015) dhe duke u zotuar të arrijë së shpejti 3 për qind të PBB-së.

Në dokumentin strategjik europian “BEKinë: Një vështrim strategjik”, fokusi është vënë në arritjen e një marrëdhënieje më të balancuar me Kinën (tregtare dhe investimesh), bazuar në konkurrencën e drejtë dhe hapjen reciproke të tregut, me synim të bindjes së Pekinit për t’u zotuar për reforma ne fushën e subvencioneve dhe politikave industriale shtetërore.

Strategjia e BE-së, në një farë mënyre, sinjalizon përfundimin e aksesit të lirë e të pakontrolluar të kompanive kineze në tregun e BEsë, ndërkohë që Pekini nuk po vepron për të mbajtur premtimet e mëparshme të liberalizimit të tregut kinez për kompanitë e huaja. Ndërsa, ende nuk mund të flasim për një përafrim të interesave apo një vizioni të përbashkët të vendeve europiane në marrëdhëniet me Kinën, strategjia e përbashkët është një hap i mirë përpara. Por, për ta zbatuar atë në mënyrë efektive, duhet të ketë një përgjigje të përbashkët europiane.

Ndërsa Italia shpreson se nëpërmjet lidhjeve më të thella tregtare dhe investimeve me Kinën mund të forcojë ekonominë e saj, fuqia negociuese italiane mund të rritet vetëm nëse marrëdhëniet me Pekinin do të ndiqen përmes BEsë, siç përshkruhet edhe në Strategjinë e BE-së për Kinën, viti 2016. Në situatën e tanishme, Italia rrezikon të mbetet partneri më i dobët në marrëdhëniet dypalëshe me Kinën. Sigurisht, BRI është një platformë e Pekinit për të ofruar me shumë mundësi të reja tregu për firmat dhe kapitalin kinez (shumica e të cilave janë ndërmarrje shtetërore) në kurriz të ndërmarrjeve të vendeve pritëse. Në të njëjtën kohë, Italia është një lojtarët ekonomikë dhe politikë në Europë dhe çdo përgjigje europiane ndaj Kinës, që nuk do të përfshinte Italinë, do të ishte e paplotë dhe e pasuksesshme.

Dr. Valbona Zeneli është drejtore e Departamentit të Iniciativave Strategjike në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë “George C. Marshall”.

Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorit dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politikën zyrtare të “Marshall Center” dhe të qeverive të SHBA-ve dhe Gjermanisë.

Check Also

Moçali i ka dhe shpendët e rralla, profesor Spiro!

Nga Arber DALMATI- Zotin Aristotel Spiro, Profesor ne filologji nuk e njoh as nga afer …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

fifteen − 7 =