Home / Aktualitet / Ismet Elezi, “babai” i kriminologjisë shqiptare feston 101-vjetorin

Ismet Elezi, “babai” i kriminologjisë shqiptare feston 101-vjetorin

Profesor Ismet Elezi në këtë prill festoi datëlindjen e 101. Urimet që mori nga të afërmit, miqtë edhe ish- studentët e tij, ia kanë bërë zemrën mal, duke i shtuar mirënjohjen ndaj tyre, pavarësisht se ende nuk e gëzon një titull nga Presidenti i vendit. Pengesë për këtë mesaduket ka qenë puna 20-vjeçare që ka bërë në këshillin e Ministrave në Qeverinë e drejtuar nga Mehmet Shehu. Por Elezi na tregon se ka qenë jurist për të bërë ligjet, ka kryetar i byrosë juridike dhe jo sekretar personal apo ministër i Mehmet Shehut. Megjithatë, në këtë rrëfim profesori i të Drejtës Penale dhe ‘Babai i kriminologjisë shqiptare’ Ismet Elezi, i cili 80 vite të jetës së tij ia ka kushtuar drejtësisë në vend, duke nxjerr për pesë dekada gjatë punës si pedagog, njerëzit e ligjit dhe si autor i rreth 230 botimeve ( 34 libra, monografi edhe artikuj shkencorë) rendit për “Report TV” shqetësimet që ka aktualisht për ligjet që kthehen nga Presidenti i vendit në Kuvend, rëndësinë dhe zvarritjen e reformës në Drejtësi dhe ndërhyrjet e herëpashershme në Kushtetutën e vendit nga politika. Por përpos këtyre shqetësimeve profesionale, Elezi na rrëfen edhe sekretin e jetëgjatësisë së tij, regjimin gjerman, prej të cilit nuk ka hequr dorë asnjë ditë.

Zoti Elezi, profesor 5 prilli i 2021-it përkoi me 101-vjetorin tuaj të lindjes. Si jeni ndierë këtë periudhë?

Vitin e kaluar pata 100-vjetorin e lindjes. Mora telefonata dhe mesazhe të panumërta. Për këtë u jam shumë mirënjohës atyre që më vlerësojnë dhe që shfaqin opinione pozitive. Këto mua më japin zemër, se jam i moshuar. Por, të them të drejtën dhe në këtë 5 prill, që përkoi me 101 -vjetorin numri i telefonatave nga miq, kolegë, ish studentë edhe bashkëfshatarë u përsërit. Kjo ka qenë një kënaqësi e veçantë, se gjatë 55 viteve si pedagog kam dhënë shumë. Për këtë jam shumë i kënaqur dhe ndiej krenari që s’më ka vajtur puna dëm. Edhe vlerësimet që janë bërë kanë qenë shumë të larta, ndoshta dhe të pamerituara. Pasi vjet pata vlerësime të larta në medie, grupe kolektive kanë propozuar Presidentit që të më akordojë një titull, por Presidenti si mori parasysh, pasi unë kam qenë kryetar i byrosë juridike në Këshillin e Ministrave në kohën e Qeverisë së Mehmet Shehut. Kjo është bërë pengesë. Unë punova 20 vite në kryeministri, 17 vite kur ishte kryeministër Mehmet Shehu edhe tre vite pas tij.

Si ka qenë ajo periudhë për juve?

Unë isha në profesionin tim, jurist për të bërë ligjet e shtetit. Nuk isha as badigard, as sekretar personal dhe as ministër. Punoja 100 për qind në profesionin tim si jurist. Këtë e bën çdo jurist në çdo shtet. Megjithatë, është çmuar kështu. Por unë e ndiej veten të qetë edhe krenar, se kur u largova nga kryeministria jam larguar me dekoratën Urdhëri i klasit të parë për veprimtari shtetërore dhe shoqërore. Gjatë 25 viteve, kam qenë një nga kryesorët në Kodin Penal, që është kthyer vetëm një herë nga byroja politike, për të shtuar kundra-vajtjet penale. Ne i studiuam dhe i shtuam. Gjatë 25 viteve, kodi penal i 52-it nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Këtë e them me plot gojën, se ju e keni dëgjuar që kthehen nga katër apo pesë dekrete dhe akte, që kanë probleme juridike në Kuvend, përveç atyre që kthehen për arsye politike.

Këto dekrete edhe akte që kthehen nga Presidenti në Kuvend janë në dëm të qytetarëve të Shqipërisë?

Kjo është shkelje e rëndë, se nuk ka përse ndodh, se mund të konsultohet me specialistët para se të dërgohen në kuvend. Komisioni Kuvendit ka për detyrë të bëjë një verifikim tjetër, pra t’ia dërgojë Presidentit. Nëse kthehen për motive politike, ato janë të pafalshme. Nuk është hstet ky pastaj. Këtu bëhet luftë partish, këtë le ta bëjnë në shtet, por jo me ligje. Ligjet janë për popullin, duhet të jenë të drejta, të barabarta, të sakta edhe të qarta. Mua më vjen shumë keq.

Profesor gjatë gjashtë viteve të fundit, kemi parë edhe punën që është bërë për reformën në drejtësi. Por ju vet si e vlerësoni këtë proces?

Unë nuk kam marrë pjesë në komisione, por e kam ndjekur hap pas hapi. Ideja për reformën në drejtësi është një ide shumë e dobishme për drejtësinë dhe popullin tonë. Unë vet kisha shkruar një artikull për reformën, jo të këtij kalibri, por më të thjeshtë. Ideja e reformës ishte shumë e mirë. Merita të veçanta kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE. Përgatitja e reformës ishte e mirë, por pati pengesat që dihen. Për të krijuar Vettingun, një pjesë e opozitës u tërhoq duke mos marrë pjesë në kuvend, një pjesë e juristëve s’morën pjesë. Ishte sukses që u aprovua me 140 vota, por sapo u aprovua nisën kundërshtimet në Komisionin e Venecias. Kjo nuk ishte normale.

Mendoni ju se reforma në drejtësi do të vihet në zbatim siç duhet? Kush po e zvarrit zbatimin e saj?

Gjatë zbatimit dalin probleme të tjera. Teksti i ligjeve ka mangësi, se u bën nga të huajt, kanë bërë një procedurë burokratike për të gjetur një anëtar të Gjykatës së Lartë të Drejtësisë apo asaj kushtetuese, kur mund të zgjidhej shumë lehtë me konkurs. Plus kësaj, ka të meta në afate. Këshilli i Lartë i Drejtësisë thotë që suprimohet. Mund të suprimohej pasi të krijohej tjetri. Kanë mbet pa plotësuar, Gjykata e Lartë tani po plotësohet me pikatore. Asnjë veprim nuk është bërë ende. Kuvendi ka një javë që vendosi ta heq atë pikë nga ligjet e Kushtetutës, përse tani? Kjo duhej bërë 6 muaj më parë. Gjykata Kushtetuese nuk varet nga Gjykata e lartë. Gjykata Kushtetuese është supreme, me kuvendin ka punë, jo me Gjykatën e Lartë. Këto janë të meta të reformës, plus dhe interesat burokratike. Janë 40 mijë dosje që presin. Është në dëm të popullit që presin t’u zgjidhen hallet. Jemi në një situatë jo të favorshme, pavarësisht presionit të ambasadores Amerikane.

Kjo situatë jo e favorshme ndodh edhe për shkak të ndërhyrjeve politike, a duhet të ekzistojnë këto?

Nuk e di se si do të shkojë kjo nëse opozita vjen në qeveri. Por pavarësisht fushatës që behet, s’do të jetë e favorshme, pasi u krijua Byroja e Hetimeve, që do të hap llogaritë e vjetra, që do të bëjë hetime për korrupsionin dhe krimet e rënda që janë bërë. Kjo nuk u intereson të gjithëve, pasi do të përpiqen që ta ndalojnë. Fati do të varet nga zgjedhjet. Por reforma do të bëhet, se e ka në dorë Amerika dhe BE.

Rishikimin e  kushtetutës në momente të caktuara nga palë të caktuara gjatë 30 viteve, si e shihni?

Është politika partiake që vendos mbi gjithçka. Në vend që të ketë kulturë profesionale, kultura partiake sundon mbi kulturën juridike. Në vend që të ketë bashkëpunim dhe diskutim midis opozitës dhe pozitës, për gjëra që janë në interes të shtetit, këto bëhen në mënyrë të njëanshme. Edhe nëse e bën një palë, pala tjetër e kundërshton pa e lexuar, se e bëri pala tjetër.

Kur e kemi pas kushtetutën më të mirë, deri më sot?

Dha shpresa aprovimi i Kushtetutës me 140 vota, por u kundërshtua në Komisionin e Venecias dhe Gjykata Kushtetuese. Ky është problem politik.

Për pesë dekada keni përgatit njerëzit e drejtësisë, sot kur dëgjoni emrin e një ish- nxënësi tuaj që akuzohet për korrupsion, si ndiheni?

Me dhimbje, se janë bërë në juristë të politikanëve, jo të drejtësisë. Kjo është shumë serioze. Nëse nuk vihet në raport të drejtë kultura politika dhe ajo juridike ne do të vuajmë shumë. Jo me urdhra, por duke ia lënë kulturës juridike që ta zgjidh një problem brenda kushtetutës. Jo “Beje kështu”. Se me këtë, s’kam më kulturë juridike, s’kam më ligjshmëri. Ai ligj është i partisë. Këto janë disa faza tepër të rënda që pengojnë shumë.

Përse mendoni se fati i shqiptarëve varet nga zgjedhjet?

Është politikë partiake. Një pakënaqësi e njërës parti bëri atë që nuk ishte parë në asnjë vend tjetër. U braktis kuvendi. Pse? Sepse u zemërua partia tjetër. Këto gjëra zgjidhen me bashkëpunim, me ndihmën që mund të kërkohet nga BE. Jo kështu. Këto e dëmtojnë shtetin tonë edhe na largojnë edhe nga Europa. Kështu nuk veprohet. Nëse nuk forcohet bashkëpunimi politik ne do të vuajmë akoma. Pa marrëveshje dhe mirëkuptim mes palëve nuk mund të ndërtojmë shtet të së drejtës.

Profesor, një shekull edhe një vit, të gjithë jemi kurioz të dimë si ka qenë jeta juaj?

Unë shkollën fillore e mbarova në fshat në Fterrë. Klasën e pestë e bëra në Piqeras. Atje të them të drejtën, dola i pari i klasës dhe pse shkova në një ambient të panjohur. Pasi përfundova klasën e pestë bursë s’më dhanë se im atë kishte qenë i internuar si pjesëmarrës i shoqatës “Bashkimi”. Me sakrifica të mëdha më mbajti, edhe vitin e parë e bëra në Tiranë, jetova në strehë në rrugën e Dibrës. Pasi mbarova vitin e parë dola mirë në Tiranë. Në vitin e dytë babai u transferua në Kukës. Më tha që do të vazhdoja në Shkodër. Atje bëra vitin e dytë edhe të tretë. Im atë u transferua në Mirditë edhe unë sërish u ktheva në Shkodër. Pastaj u transferua në Zagori dhe shkova në Gjirokastër. Vitin e fundit nisi lufta italo-greke dhe nuk vinim dot në Tiranë. Na lejuan që të vinim më vonë. Në atë kohë u hap konkursi për jashtë. Pasi mora Dëftesën e Maturës paraqitem dhe më pranuan. Fitova për të vijuar në Universitetin Firences për Letërsi-Filozofi. Por nisi lufta në ‘43-in. Dhe 70 veta që ishim atje u kthyem të gjithë unaminisht. Unë u ktheva dhe mora pjesë në Luftën Antifashiste në fshat edhe në ‘45 erdha në kongresin e Rinisë Antifashiste. Mora çmim si sekretar i rinisë së Kurveleshit. Pas kësaj më emëruan në sekretariatin e rinisë, në gazetën “Rinia”. Në qershor të ’46-s Nako Spiru erdhi për të parë gjendjen në shtab. Në mbledhje të shtabit më thotë: Ti Ismet nisu nesër për në Tiranë se do të shkosh për studime në Bashkimin Sovjetik për Drejtësi. Fakultetin e Drejtësisë e mbarova me diplomë të shkëlqyer. Nisa në Tiranë, në fillim në Ministrinë e Drejtësisë, në prokurorinë e përgjithshme tre vjet, pastaj sekretar shkencor i Institut të Shkencave, u krijua universitete dhe shkova shef i katedrës penale dhe sekretar shkencor i universitetit, deri në 66-n. Pastaj më dhanë urdhër të transferohesha në kryeministri.

Cila ka qenë periudha më e vështirë, se s’ka qenë e lehtë të ishe pjesë e shtetit asokohe?

Padyshim që puna si pedagog më ka dhënë më shumë kënaqësi. E nisëm nga e para. Krijuam tekstet e penales, të kriminologjisë që nuk ishin si lëndë. Me shumë vështirësi u krijua kriminologjia. Unë i jam mirënjohës Mehmet Shehut, se pavarësisht atyre që kishte bërë, kjo ishte punë e tij, ai dha urdhër që të mos më ndalonin punën si pedagog.

Pas 90 si vazhduan angazhimet tuaja?

Në ’90 dola në pension, por deri në 2013 kam udhëhequr diploma në master dhe doktoraturë. Edhe në Kosovë kam pas shumë studentë, përveç leksioneve që kam dhënë, i kam udhëhequr dhe për diplomën. Unë u mundova që të jap kontributin tim për të nxjerr juristë të përgatitur, pavarësisht se çfarë kanë bërë më pas.

Profesor ciki është çelësi i jetëgjatësisë suaj, çfarë regjimi mbani?
Kam ndjekur një regjim gjerman ndaj vetes. Pasi kam punuar në fakultet, por jam kam pas angazhime edhe në shoqatën “Labëria” dhe të drejtën e njeriut etj.. Punën mendore e kam konsideruar një faktor me rëndësi të jetëgjatësisë sime, se më ka vënë në lëvizje trurin dhe fizikisht. Nga botimi i parë për “Shkeljet në qarkullim”, deri tek i fundit janë rreth 430 libra, artikuj shkencorë, monografi etj. Të gjitha i kam shkruar me dorë edhe për printim më ka ndihmuar mbesa. Vështirësi të mëdha kam hequr për botimin e tyre. Universiteti më ka ndihmuar me disa botime. Kanuni i Labërisë u mbështet nga Ministria e Kulturës etj. Pasi ka qenë e pamundur që t’i paguaja vet. Kam krijuar shtëpinë dhe familjen, por pas edhe angazhime të tjera. Aktualisht kam dy libra që i kam gati, por pa ndihmë s’mund t’i botoj.

Në këtë udhëtim jetësor u ka ndihmuar edhe familja juaj?

Familja më ka lehtësuar nga punët e tjera. Pa ndihmën e familjes nuk bëja dot gjë. Ime shoqe i bënte të gjitha, mbante ekonominë dhe rriti fëmijët. Unë vetëm me punën time merresha, pedagogjike dhe shkencore. Për familjen pak kam kontribuar, nuk më dilte koha. Jam i lumtur që sot tre mbesat i kam juriste.

Dhe së fundmi, çfarë mesazhi do të na jepnit për ata që dëgjojnë këtë bisedë?

Unë dëshiroj që reforma të mbarojë sa më shpejt. Pengesa vihen orë e çast. Është e pafalshme që të zvarritet kaq shumë. Prandaj bashkëpunimi pozitë-opozitë është çështje e drejtësisë dhe popullit, jo e partive. Nëse do të vihet në këtë binar, ne do të shkojmë edhe në Europë. Ndryshe ata e dinë se ku do të na shpien. Këtë e dëshiroj, sepse tani po bëjmë vaksina për të shpëtuar. Unë dua që dhe një ditë të jetoj, ta shikoj drejtësinë siç duhet, sepse i kam kushtuar mbi 80 vite. Nuk mund të vëmë interesat e partisë mbi çdo gjë, këtë e provuam 45 vite, prandaj nuk na falet. Duhet që gjurmët e mbetura nga e kaluara të shlyhen në politikën shtetërore. Korrupsioni luftohet duke u bashkuar, jo si armë për të godit kundërshtarin. Vetëm kështu do të ecim përpara. Ndryshe do ta kemi shumë të vështirë. Mund të zgjidhen 120 deputet, por Branko Merxhani ka thënë: “Vendit i duhen mend. Më shumë sesa për ushtri kemi nevojë për mend”. Në kuvend duhet që të shkojnë ata që kanë dituri, kulturë të përgjithshme, të profesionit dhe juridike. Çfarë deputetësh zgjedhim? Deputet që pa njohur kushtetutën bëjnë ligje për të na drejtuar./ReportTv.al

Check Also

Tensionet para zgjedhjeve, Duka: Mandatet e përgjakura krijojnë frikë

Kreu i PAA-së, Agron Duka, thotë se duhet eliminuar çdo tensionim partiak, duke iu referuar …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

18 − two =