Home / Intervista / Intervistë me sportistin Enea Lapa, i riu nga Saranda që po shkëlqen në Amerikë

Intervistë me sportistin Enea Lapa, i riu nga Saranda që po shkëlqen në Amerikë

Nga Marjana CIKU –

Sportisti shqiptar, Enea Lapa, me origjinë nga Saranda ka arritur të shkëlqejë në  “Austin Open”. Ai po ngjitet drejt majave në sportin “Brazilian Jiu Jitsu” duke u shpallur zyrtarisht fituesi absolut në këtë kampionat, ku u rendit i pari në të gjitha peshat. “Brazilian Jiu Jitsu” është një nga sportet në artet marciale, shumë i njohur në Amerikë. Lapa aktualisht jeton dhe stërvitet në Shtetet e Bashkuara. Me talentin dhe përkushtimin e tij ai synon që të arrijë majat e këtij sporti.

Në këtë intervistë ekskluzive për Arberianews.net ai shpjegon prapaskenat e fitores, dhe ambiciet për të ardhmen.

Përse zgjodhët këtë sport dhe kur keni nisur të merreni me të?

Përshëndetje dhe faleminderit për këtë intervistë. Sportin e Brazilian Jiu-Jitsu ma ka prezantuar një miku im në Sarandë i cili kishte filluar të stërvitej në Angli. Mundësia për ta filluar ishte sepse në Sarandë është një akademi por në 2016 imigrova në Shtetet e Bashkuara ku vendosa ta provoja dhe nëse më pëlqente do ta vazhdoja thjesht për të mbajtur trupin në formë. Tani bëj 4 vite që stërvitem tek akademia Xcell Jiu-jitsu në Boynton Beach Florida aty ku e fillova e drejtuar nga Jorge Santiago, veteran i UFC dhe disa herë kampion për MMA dhe Brazilian Jiu-Jitsu.

Cilat kanë qënë vështirësitë më të mëdha me të cilat je përballur gjatë rrugëtimit tënd në këtë sport?

Në 2017-ën kur kisha pothuajse 1 vit që po stërvitesha vendosa ta provoja profesionalisht duke marrë pjesë në kampionate. Fillimisht humba disa kampionate njëra pas tjetrës ku disa herë vërtet mendoja të ndaloja së stervituri dhe të gjeja diçka tjetër por vendosa ti jap një shans tjetër por kësaj rradhe duke u stërvitur më shumë dhe duke mbajtur një regjim më të rreptë. Nuk ishte fare e lehtë të stërvitesha dy herë në ditë krahas punës dhe gjërave të tjera të jetës së përditshme. Por këto mundime filluan të jepnin rezultate dhe kjo u bë rutina ime e përditshme me të cilën u mësova dhe tani mundohem për më shumë.

Vëmendja e shtetit, por edhe e federatës ndaj teje a ka qenë ajo e duhura?

Për arsyen se e fillova stërvitjen në Shtetet e Bashkuara nuk kam pas kontakt nga shteti shqiptar por në të ardhmen do të ishte dëshira nëse pata mbështetjen.

A mendoni se vendi ynë i ka kapacitetet e duhura për mbarëvajtjen e eventeve sportive?

Patjetër që po, por në Shqipëri nuk është shumë i njohur si sport për momentin. Shpresoj qe federata nderkombetare e Brazilian Jiu-Jitsu (IBJJF) të organizoj një kampionat aty ku do të bëj rinin shqiptare më me dije rreth sportit.

Së fundmi je vlerësuar me medalje ari dhe bronzi në “Austin Open”, cilat janë synimet që ke tani e tutje?

Aktualisht këtë fundjavë po shkoj në kampionatin e “Oklahoma Open”, është një kohë e shkurtër midis dy kampionateve por pasi ishte një pauzë e gjatë nga koronavirusi vendosa të marrë pjesë. Gjithashtu në 7-10 Tetor marrë pjesë në “Pan American” Orlando i cili është dhe kampionati më i rëndësishëm për këtë vit. Pas “Pan American” synimi im kryesor (edhe pse do vazhdoj të konkuroj) është kampionati Botëror edhe kampionati Europian.

Çfarë këshille do t’iu jepje sportistëve të rinj që duan të merren me këtë sport, cili është çelësi i suksesit për t’ia dalë?

Çelësi i suksesit është disiplina. Për të arritur diçka nuk duhet të punosh vetëm në ditët që ti ndihesh mirë dhe i motivuar, por edhe ditët që nuk je me qejf, edhe ditët që gjen justifikime, edhe ditët që je në dilem midis stërvitjes ose qejfit, në ato ditë mëson më shumë.

©Arberianew.net

 

 

Check Also

Thyen rregullat e izolimit, procedohen disa lojtarë të Juventusit, përfshi CR7

Rregullat e izolimit po kthehen në shqetësim edhe në shtëpinë e “Zonjës së Vjetër”. Autoritet …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

three + eight =