Thashethemet kanë gjetur konfirmimin zyrtar: pas Cristiano Ronaldos, këtë vit Zlatan Ibrahimovic do të jetë në skenën e “Ariston”, në Sanremo. Por, nëse portugezi vitin e kaluar shkoi në Festival si mysafir, vetëm një mbrëmje, duke pasur partneren, Georgina Rodriguez të angazhuar për pak si prezantuese, suedezi do të jetë mysafir i rregullt gjatë gjithë kohëzgjatjes së festivalit të njohur të këngës.
Kjo u njoftua nga prezantuesi dhe drejtori artistik, Amadeus, një tifoz i shkëlqyer futbolli, fanatik i Interit, i cili megjithatë specifikoi menjëherë se “Ibra nuk do të humbasë asnjë ndeshje të Milanit”.
Duhet evidentuar një detaj, duke pasur parasysh që këtë herë, Festivali do të mbahet nga 2 deri më 6 mars 2021. Më 3 mars, kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen në shtëpi kundër Udinese.