Home / Kulture / I vetmi armik që kemi është njeriu!

I vetmi armik që kemi është njeriu!

“Ferma e kafshëve” – fragment (Xhorxh Oruell, 1903-1950)

Atëherë, pra shokë, ç’lloj jete bëjmë ne? Le ta shohim pa frikë realitetin në sy : një jetë të shkurtër, të mjerueshme e plot mundime.

Lindim, na japin ushqim sa për të mbajtur shpirtin gjallë dhe këdo prej nesh që është në gjendje të kryejë ndonjë punë, e detyrojnë të punojë deri në pikën e fundit të fuqisë.

Pastaj, me të ardhur çasti ku nuk japim dot më, na masakrojnë në mënyrën më të pamëshirshme. Nuk ka kafshë në Angli, që pas moshës një vjeç, të dijë kuptimin e nocioneve ÇLODHJE DHE LUMTURI. Asnjë kafshë në Angli nuk është e lirë. Për kafshën, jeta është baraz me mjerim dhe skllavëri. Kjo është e vërteta e thënë copë.

Por, a mund të themi që kjo është thjesht ligjësi e natyrës?
A mund të themi se kjo ndodh ngaqë toka jonë është e varfër dhe nuk arrin t’u ofrojë jetesë të denjë atyre që e punojnë? Jo, shokë! Njëmijë herë, jo! Toka e Anglisë është pjellore dhe klima e mirë. Kjo tokë mund të prodhojë ushqime me bollëk për një numër kafshësh shumë herë më të madh nga sa banojnë sot në të.

Vetëm ferma jonë, ja kjo këtu, është në gjendje të mbajë dymbëdhjetë kuaj, njëzet lopë, qindra dele – dhe të gjithë të jetojnë me dinjitet e bollëk, sa s’e merrni dot me mend. Lind pyetja : Pse jetojmë në kushte kaq të mjerueshme? Sepse gati i gjithë fryti i punës sonë, vidhet nga qeniet njerëzore. Ja, pra, shokë, se ku qëndron përgjigja për të gjithë problemet tona.

Zgjidhja e tyre, mund të përmblidhet me një fjalë të vetme : NJERI! I vetmi armik që kemi është njeriu. Hiqni njeriun nga skena e historisë dhe keni zhdukur një herë e mirë burimin e urisë e të mjerimit./GD

Check Also

Gazetari Kadia sjell kujtimin e kronikës së parë në BBC

Ilir KADIA- Ishte mëngjes i 28 shkurt 1993!Rudi Bobrati kishte ardhur një ditë më parë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

nineteen − eleven =