Home / Letersi / I PËRKTHYERI PËRKTHYES

I PËRKTHYERI PËRKTHYES

Ardian Vehbiu/

Pasi “u arratis” nga Çekosllovakia, bashkë me të shoqen Vera Hrabankova, duke kaluar kufirin normalisht me veturë dhe e ndali vrapin në Francë, Milan Kundera shkroi në çekisht romanet Libri i të qeshurit dhe harresës (1979), Lehtësia e padurueshme e qenies (1984) dhe Pavdekësia(1990). Romanin e parë në frëngjisht, La Lenteur, e përfundoi në 1993 dhe e botoi në 1995; dhe nga ajo kohë do t’i shkruante librat e vet gjithnjë drejtpërdrejt në frëngjisht.

Romanet e shkruara çekisht, të periudhës franceze, nuk kishin shans që të binin në dorë të lexuesit model të Kunderës “çekosllovak” dhe në fakt nuk u botuan veçse shumë më pas – autori tashmë ishte non grata në kulturën e vendlindjes, madje në 1979 i patën hequr edhe shtetësinë çekosllovake, gjest simbolik por gjithsesi i dhimbshëm për një shkrimtar.

Sa kohë që origjinalet në çekisht nuk botoheshin, Kundera mbetej shkrimtar pa lexues amtar.[1] Siç shkruan Michelle Woods (“Original and Translation in the Czech Fiction of Milan Kundera”, në Translation and Literature, Vol. 10, No. 2, 2001) lexuesi i parë i këtyre romaneve të Kunderës ishte përkthyesi.

Edhe Kundera vetë pat thënë, në 1977:

“Unë i shkruaj romanet e mia në çekishte. Por që prej vitit 1970 nuk më lejojnë të botoj në vendin tim dhe ashtu askush nuk më lexon në atë gjuhë. Librat e mi më parë përkthehen frëngjisht dhe botohen në Francë, pastaj në vende të tjera, por teksti origjinal mbetet në sirtarin e skrivanisë sime, si një lloj matrice.

[…]Kur po shkruaja dy romanet e mia të fundit, kisha në mendje para së gjithash përkthyesin tim në frëngjisht. E detyrova veten – në fillim pa e kuptuar – të shkruaja fjali që ishin më të përkora, më të kuptueshme. Një lloj pastrimi (cleansing) i gjuhës.”

Kjo lë të kuptosh, sipas Woods-it, një hibriditet inherent në tekst, para aktit të përkthimit ndërgjuhësor – Kundera ishte i vetëdijshëm se po shkruante në një gjuhë të shkëputur nga kultura me të cilën ajo është vetvetiu e lidhur; dhe një lloj internalizimi të procesit të vetë-përkthimit, brenda gjuhës së tekstit. Kësisoj, vazhdon Woods, përkthimi mund të shihet si estetikë e prozës së Kunderës (pas 1970-ës), deri atje sa Kundera të këqyret si përkthyes brenda tekstit.

Po e ilustroj idenë me një shembull të sajuar nga unë vetë: supozojmë se një Kundera shqiptar rrëfen në roman për një darkë familjare në Tiranë, ku shërbehet hoshaf; i vetëdijshëm se lexuesi i ardhshëm francez do ta ketë të vështirë ta rrokë kuptimin e kësaj ëmbëlsire, dhe se një sqarim poshtë faqes nga përkthyesi ose nga redaktori do ta zhvendoste vëmendjen drejt një përmase etnografike ekzotike të kuptimit që nuk duhet lejuar të zgjerohet (meqë hoshafin e ka gatuar vjehrra e protagonistit, skulptor mendjehapur pro-perëndimor), ky Kundera shqiptar, që tashmë komunikon veç me përkthyesin e vet, do të tundohet që ta zëvendësojë hoshafin me komposto, për t’ia lehtësuar tjetrit “lokalizimin”.[2]

Më tej, Kundera e shndërron nevojën në virtyt, duke e racionalizuar handikapin e vet si një shans të ri[3]:

“Të mos e shohësh dot veprën tënde të botuar në vendin tënd është pësim mizor, por besoj i dobishëm. Në kohën tonë, ne duhet të fillojmë të mendojmë se një libër që nuk mund të bëhet pjesë e letërsisë botërore [në kuptimin që i jepte këtij termi Goethe-ja, A.V.] nuk do të ekzistonte dot fare.”

Ky imazh, i autorit që shkruan në një gjuhë të vetën, idiolektale, enigmatike dhe pastaj ua kalon tekstin e vet, pak a shumë të ripërtypur, përkthyesve që t’ia ndërmjetësojnë publikut, sikur evokon edhe ca profetë hebrenj të antikitetit, por edhe orakuj të Greqisë së Lashtë dhe Romës, që kishin nevojë që fjalët, mesazhet a kumtet t’u “përktheheshin” nga shërbesëtarë profesionistë – sipas rastit, priftërinj, skribë ose përkthyes; të cilët interpretonin, për të tretët, ligjërimin profetik ose orakullar, përndryshe të pazbërthyeshëm (krezmologët). Natyrisht, teksti letrar nuk synon divinacionin, ose largpamjen a parashikimin e së ardhmes; por mund të ndodhë, si në rastin e Kunderës të cekur më lart, që përkthimi jo vetëm ta përçojë, por edhe – njëfarësoj – ta krijojë origjinalin a posteriori.

[1] Ndryshe nga të themi, Nabokovi pas ikjes nga Rusia; sepse Nabokovit ia lexonin veprën e botuar rusisht masa jo e vogël e émigré-ve rusë në Europë.

[2] Ngjashëm, nëse libri do të botohej i përkthyer në një kulturë myslimane, bërxollat e derritmund të rishkruheshin si bërxolla qingji – jo për censurë, por thjesht për t’i bërë këto bërxolla, në përkthim, po aq jo-ofensive sa në origjinal. Njëlloj mund ta përfytyroj si do të reagoja sikur, në një roman të përkthyer nga koreanishtja, personazheve t’u servireshin, për darkë, kotoleta qeni. Teksti i përkthyer besnikërisht do të përftonte tek unë një efekt turbullues të paparashikuar.

[3] Stërgjyshja ime do ta shprehte këtë proces me një frazeologji më pikante: “e bën pordhën fuqi.”/Peizazhe të fjalës/

Check Also

Çfarë është përkthimi i poezisë?

Rudolf Marku/ Si vazhdim i reagimit ndja postimit te djeshem mbi perkthimin, me lejoni te …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

12 − one =