Home / Kryesore / “I dituri që të dituronte”/ Poeti Lefter Çipa shkruan për shkrimtarin e madh Dhimitër Shuteriqi

“I dituri që të dituronte”/ Poeti Lefter Çipa shkruan për shkrimtarin e madh Dhimitër Shuteriqi

I dituri që të dituronte

Nga Lefter Çipa

Profesor Dhimitër Shuteriqin e kisha njohur pa u takuar për së afërmi, nëpërmjet shkrimeve dhe studimeve të tij. Punime që i kryente dhe botonte herë pas here nëpër botime dhe organe, sidomos tek gazeta javore “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.
Më tërhiqnin artikujt e botuar për folklorin shqiptar në veçanti, folklorin e Jugut, të Toskërisë dhe të Labërisë së madhe, ku mençuria dhe dituria e tij më dritësonte shpirtin tim të etur dhe të pasionuar për folklorin e vendeve të mia, sidomos për këngën dhe vallen labo-himariote. Eshtë vështirë që të gjykohet dikush i panjohur dhe i pa takuar ndonjëherë, madje pa psur rastin për t’i shtrënguar dorën përshëndetjes. Mirëpo në shpirtin tim, Dhimitër Shuteriqi kishte bërë folenë e admirimit. Me të vërtetësisht ëndërroja të takohesha dhe të miqësohesha … Bëhej fjalë për një personalitet të veçantë, të cilin unë e imagjinoja si një njeri të jashtëzakonshëm, me virtytet, bukurinë, zgjuarsinë dhe shtatskalitjen ku spikaste urtësia, maturia dhe durimi. Dëgjoja shpesh prej intelektualëve që e njihnin, se ishte i ditur i paaritur. Në tërësi, nisa të lexoja veprat e tij të botuara, që nga studimet filologjike, kritikat letrare, studimet dhe prurjet me të dhëna për folklorin dhe deri tek studimet historike. Çdo ditë më rritej vlerësimi, dashuria e heshtur, admirimi i plotë dhe i hapur në bisedat që bënim në grupe. Më pëlqente portreti i tij dhe sidomos mënyra e komunikimit dhe e ligjërimit në intervista në revista, gazeta apo televizion dhe radio. Kur e ndiqja në periudhën e parë të krijimtarisë sime, shpesh thosha e veten: vërtet do ta kem për fat të njihem dhe të bashkëbisedoj e të miqësohem me këtë shkrimtar të vendit tim, i cili çdo ditë më aspironte ndjenjat e një moshe djaloshare në fushën e kulturës.
Zëri i punës së Dhimitër Shuteriqit u dëgjua si një zë i lartësisë së mesazheve shpresëdhënëse, të vazhdimësisë dhe pandërprerjes në fushën e letërsisë shqipe. Ai inkurajoi gjithë intelektualët dhe krijuesit në arenën kombëtare, sepse shkrimtari Shuteriqi ishte një personalitet i talentuar. Ai mbartte një univers të pashterueshëm në disa fusha akademike. Ishte një shkrimtar i kompletuar me një kulturë të gjerë kombëtare dhe europiane. Ishte, i pari ndër të parët, që dritësoi në fushën e trashëgimisë folklorike, si një docent i dhembshur për visaret e kombit dhe të popullit të shumëvuajtur. I përcillte të dhënat dhe dashurinë me një dritësim të pamjegulluar, duke depërtuar në shekuj të errësirës dhe zezimit. Ai shfaqej publikisht me një shpirt plot dritë dijeje, kulture, identiteti dhe papërgjunje ndër rrethet e ndryshme dhe në raport me korrentet e shumta. Shuteriqi, si një atdhetar i diturisë dhe zgjuarsisë largpamëse, pati kurajon dhe guximin të reflektonte me kujtimet, studimet dhe krijimtarinë shpesh të paarritshme, dimensionet dhe përmasat vetiake prej personaliteti.
Në një ndër ditët e bukura, pas shumë vitesh, pata rastin të takohesha me shkrimtarin e fismë dhe studiuesin sqimatar.
Ishte viti 1971. Në Tiranë zhvillohej Kongresi i VI i Partisë së Punës. Si gjithë grupet e tjera artistike të Shqipërisë, Grupi Fosforik i Pilurit ishte caktuar për të marrë pjesë në koncertin jubilar. Ishte nëntori olimpik i festave tradicionale të historisë kombëtare. Natyrisht, në ato vite të furtunave politike, ishte privilegj të zgjidheshe për një koncert të tillë. Kishte kritere të ndryshme, por spikaste si kryesor prurja artistike. Arritjet artistike të Pilurit i kishin dhënë mundësi të sillte këngën “Komisar i kohëve”. Ishte numri më i madh i pjestarëve të grupit prej 18 vetësh; gjashtë vajza dhe dymbëdhjetë burra. Natyrisht entusiazmi dhe mosha shtonin energjinë dhe shpërfaqnin një temperament artistësh të rinj gjithë impulse. Kjo tërhiqte maksimalisht vëmendjen e artistëve dhe shkrimtarëve të vendit të cilët përgjithësisht merrnin pjesë në ciklin e këtyre veprimtarive të fundvitit. Mbas shumë ditësh provash të tensionuara, një mbasdite në Pallatin e Kulturës së Tiranës, vjen si i dërguar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, piktori Petro Kokushta dhe më kërkon personalisht. Pasi u përshëndetëm, u takuam si patriotë nga një krahinë, (ai nga Vunoi dhe unë nga Piluri), shkuam në bufenë e Pallatit për të pirë një kafe. Në bisedë e sipër, Petro më thotë : I dashur Lefter, nesër në mbasdite, pasi të mbaroni provat, jeni të ftuar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve për një koncert miqësor dhe argëtues në sallën e Lidhjes. Atje do të asistojnë shkrimtarët Dhimitër Shuteriqi, Dritero Agolli, Petro Marko dhe shumë e shumë të tjerë. Do të jetë kënaqësi e madhe edhe për ju si Grup i Pilurit, por edhe për neve si Lidhje, sepse është në prag të Kongresit. Kështu kam besim që dhe ju e keni të kënaqshme një ftesë të tillë që u bëhet nga ana jonë, si një institucion që i përket anës shpirtërore. Kështu u dakorduam për kryerjen e aktivitetit të nesërmen pasdite. Dhe kështu u bë. Të nesërmen pasdite shkuam në Lidhje. Salla ishte mbushur plot e përplot. Sa hymë në një mjedis tjetër, tepër rrëmbyes, entusiazt dhe me një gjelbërim shpirtëror. Na u duk vetja se ishim me krahë. Kushdo na përsshëndeste me fjalë të zgjedhura. Aty ishte vatra e diturisë kulturore. Kjo mbrëmje e paharruar për ne, koncerti dhe gjithë përgëzimet ishin meritë e Dhimitër Shuteriqit, Dritero Agollit dhe Petro Markos si patriot nga Bregu. Por ishte edhe mbështetje e shumë të tjerëve, sidomos kompozitorëve Çesk Zadeja, Pjetër Gacit, Limoz Dizdarit, folkloristëve e studiuesve Beniamin Kruta si dhe zëvendësministrit të Arsim Kulturës Mantho Balës. Kjo ndodhte pasi Grupi i Pilurit ishte vlerësuar gjatë provave e në vazhdim për koncertin e madh që do të jepesh në 7 nëntor, në mbrëmje, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” .
Me një buzëqeshje të grunjtë, si ai gruri i pjekur dhe i vesuar nga vesimi i Hënës, gjatë natës, të cilit në mëngjes i derdhen rrezatimet e syrit të diellit, e njëjta gjë ndodhi edhe me mua. Profesor Shuteriqi ishte i pari nga krerët e Lidhjes që pyeti: Kush është Lefteri? Në këtë moment ndjeva një rrezatim gjaku në trupin tim. Ishte diçka e veçantë. Profesori më rrëmbeu dorën dhe më kishte përfshirë në një përqafim. Ndërkohë që pasuam përqafime dhe me artistët dhe shkrimtarët e tjerë të ndodhur në atë mbrëmje në koncertin tonë në Lidhje. Ishte një veprimtari që zgjati disa orë. Ishte një takim me kurreshtjen tonë, por dhe të artistëve. Personalitetet na rrethonin me një kurreshti dashamirëse. Pasi u përshëndeta nga të gjithë, Profesor Çesk Zadeja më kishte qëndruar më pranë. Ndërkohë që Petro Marko nuk priti dhe ia nisi këngës himariote “Vajzë e valeve” . Të gjithë, si zogjtë e bukur sipër valëve të detit, derdhëm simfoninë e shumëzërave të Pilurit, por edhe të zërave pasionantë të artistëve të penës. Në mënyrë të papritur, Shuteriqi dhe Agolli, hapën braçet e krahëve të tyre dhe nisën të fluturonin. Në këtë çast ylberizimi të polifonisë, poeti Xhevahir Spahiu derdhi një “oooiiii” skraparllishe ku tavani i sallës na u duk se ishte i veshur me një qilim persian përsipër supeve tanë. Në mbarim të kësaj simfonie shpërtërore, regjisori, Artisti i Popullit me atë zërin e tij dramatik, thërmonte shkëmbinjtë e stëralltë. Derdhi diksionin e dridhshëm duke thënë: Kjo është një mrekulli shekspiriane! Këtë duhet ta montojnë në skenën e koncertit që do të japin nesër. Një shtëllungim ere bregase u diktua në sallë, ku seicili zinte vendin e tij e ku do vijonte aktiviteti.
Profesor Shuteriqi më hodhi rishtaz krahun së bashku me Driteroin dhe u vendosa mes tyre. Ata të dy si kontër Parisi, kurse unë si një dre gërxhi, i rrahur nga breshëri dhe era e sertësuar nëpër shtrëngatat e viseve të mia. Koncerti i Grupit të Pilurit nisi me këngën e parë “Komisari i kohëve”. Kënga u dëgjua e kurreshtje të madhe. Për Grupin kjo ishte një provë tepër gjenerale. Ky koncert në Lidhje ishte dalje para përfaqësuesve më të shquar të vlerave akademike, artistike. Për herë të parë ne kishim kaq shumë personalitete të ditura para, të cilëve po u shpalosnim repertorin tonë si grup. Ne sapo ishim shfaqur në skenën kombëtare me prurjen dhe vlerën e një dukurie të padëgjuar në stil dhe në fjalë. Kishim nisur të bënim diferencën tonë me stilet fosforike të krahinave të jugut të Shqipërisë. Shtetërisht ishin ngritur problemet e trashëgimisë shpirtërore dhe ato materiale të folklorit tonë tradicional. Për këtë arsye, dëgjimi i Grupit të Pilurit ishte me shumë interes për studiuesit, hulumtuesit, gjurmuesit, grumbulluesit e këtyre visareve. Personaliteti që asistoi dhe mbështeti kësi kuvendesh të artit popullor shqiptar, duke inkurajuar edhe vazhdimësinë për të ardhmen, ishte Profesor Shuteriqi. Natyrisht nuk përjashtoj edhe të tjerë të këtyre fushave.
Pas koncertit që u duartrokit dhe u pëlqye pa masë, në mënyrë të veçantë nga akademikë e artistë të mëdhenj si Profesor Shuteriqi, Dritero Agolli, Petro Marko e Çesk Zadeja, të gjithë na u drejtuan dhe ftuan për kafe në barin e Lidhjes. Komplet si grup u ulëm. U dha porosia për qerasje dhe u futëm në bashkëbisedim. Profesor Shuteriqi më drejtohet me një propozim dëshire. Nëse mundemi të këndojmë këngën për Abdyl Frashërin. Kishte shumë dëshirë ta këndonim ashtu siç ishim të lirë, për kënaqësinë e haresë shpirtërore, ku do të bënin iso edhe të pranishmit. Këngëtares titullare i dhashë aprovimin: Merrja Katina! Ajo ia nisi këngën me zërin e saj epiko-lirik: ”Avdul prishe pasurinë/ një barë flori/ hipe vaporit dhe vajte/ Brenda në Berlin/…” Kënga vazhdoi e gjitha, deri sa u mbyll e tëra. Profesor Shuteriqi dhe Driteroi më të pranishmit e tjerë, jo vetëm që ishin dhe pjesëmarrës të isos, por e shoqëronin edhe me fjalën e belbëzuar nëpër buzë e nëpër grykë. Herë nëpër shpirt e herë nëpër dritën e shikimit të syve… Ata imitonin ritmin e këngës me lëvizjet e supeve dhe dallgëzimin e gjokseve. Nuk ua shqitja sytë as Shuteriqit e as Driteroit. Pas mbylljes së saj, një pauzë ëngjëllore. Menjëherë nuk ia përtoi Shuteriqi dhe mu drejtua me atë elegancën e tij, stilist si një hrk violine që luan sipër telave të temperuar tingujt e finesave. Me një delikatesë mjeshtërore hapi fletën e zemrës së vet dhe më tha: I dashur Lefter për këtë këngë tepër kombëtare jam shumë i interesuar. Ajo ka shumë vlera historike dhe më bën që të krenohem për këtë burrë kaq madhor në momentet më kritike dhe më delikate të politikës europiane të asaj kohe. Bën fjalë për atë kohë aq të turbulluar ballkanike ku kishin ndërmend që Shqipërinë ta shpërbënin krejt dhe si komb. Ka ndonjë gjurmim të kësaj kënge që qëndron e freskët gati 100 vjet? Eshtë gati anonime pa u adresuar as në ndonjë krahinë apo fshat dhe individ. Në këndimin tuaj më habiti ana stilistike e gjuhësimit dhe theksimit të emrit Abdyl Frashëri, që ju i thoni Avdil dhe jo Abdyl. Kjo ka shumë rëndësi për arsye dialekti por edhe për adresim origjine. U përqëndrova me një heshtje të vetëdijshme ndaj fjalëve të këtij personaliteti të letrave tona. Kultura e tij e kompletuar, pasuria enciklopediste e dijes, e shquanin atë ndër të tjerë edhe prej vetë plastikën e fytyrës. Me dijen e vet enciklopediste jo vetëm mençuronte, por dijesonte edhe bashkëbiseduesit e vet. Pasi i argumentova se teksti i këngës sonë ishte burimor nga Piluri, me autor të identifikuar piluriot, u bind dhe u ngrit në këmbë duke marrë edhe pëlqimin e Driteroit dhe të Petro Markos dhe më përqafoi me një duf, duke m’u drejtuar dhe treguar tek të tjerët: Djalë, bravo të qoftë për këtë talent dhe dritësim prej një poeti kënge! Sa mbaroi fjalën Shuteriqi, Driteroi s’ja përtoi të më thoshte: Bre Lefter po na habite me këto saktësira sa historike dhe folklorike, me vlera si për Profesor Shuteriqin që e kemi dekan të letërsisë kombëtare, por edhe për ne të tjerët që nuk kemi mundur t’i dimë. Apo jo bre Petro?! A je dakord me mua për këto që na tregoi dhe na vërtetoi sonte Lefteri?! Po dua të më sqarojë edhe një herë për autorin e vjershërimit të këngës për Abdyl Frashërin? Ndoqën me vëmendje maksimale rrëfimin tim për djaloloshin piluriot i cili kishte përcjellë disa ngjarje historike. Që nga Lidhja e Prizrenit, tek Lufta e Lëkurësit, traktati i Korfuzit e në vijim, turbullirat e tjera politike në Ballkan. Kishte qenë kurbetlli prej 15 vjetësh në Francë. Ishte I vitlindjes 1854, i pa martuar, këngëtar i inçizimeve të para në Çikago të Amerikës. Vjershërues i disa këngëve të betejës së Lëkurësit, përkrahës i flaktë i Pavarësisë dhe i të madhit Ismail Qemali, deri në vitin 1918, kur vdiq në Lion të Francës, i pa martuar bashkë me vëllain e tij. Vjershëruesi piluriot quhej Kostandin Gjikëdhima dhe i vëllai Stefan Gjikëdhima. Ka lënë një numër të madh këngësh dhe bejte shumë inteligjente dhe me figura e stil vjershërues befasues. Profesor Shuteriqi e quajti një artist me ndjenjë të fortë shqiptarizmi.
Kjo ishte njohja e parë me Profesor Shuteriqin. Endrra e miqësimit tim me të m’u plotësua në vazhdim. Interesat e tij për visaret kombëtare të folklorit, ndjenja e tij patriotike të jepte përherë shijen e rilindasit. Ai ishte i të gjithëve dhe u përkiste të gjithëve. Mbartte përherë kurreshtjen e shkencëtarit të fjalës dhe të kulturës. Ishte dijetar me dituri shndrritëse.
Në vitet 1971-’76 ishte një kohë kur me Shuteriqin dhe Agollin pata mundësi të flisja shpesh dhe të përfitoja shumë. Të dy këto personalitete më dhanë vlerën e dukshme të artistit në hapësirën kombëtare. Ata ishin të paarritshëm në shpirtmirësinë e tyre ndaj meje. Shuteriqi herë pas here më pyeste për krijuesit e Bregut, për gjurmët e tyre patriotike, për këngët e valet, për veshjet e burrave dhe grave, për vdekjet, dasmat. Bregun e donte dhe e vlerësonte sidomos për historinë e vet për qëndrimet olimpike që kishte mbajtur dhe i kishte rrezistuar me një kapetanllëk të veçantë sidomos Perandorisë Osmane.
Në vitin 1973, kur Grupi i Pilurit në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës u laurua si fitues pata një tjetër kohë dhe histori njohjeje dhe miqësimi. Madje Grupi në lëmin e këngës kombëtare u prezantua dhe u vlerësua për prurje artistike befasuese me këngën time të famshme “ Tundu Bejkë e bardhë tundu”. Profesor Shuteriqi ishte i interesuar të bënte një takim me mua si autor i këngës, por edhe si udhëheqës artistik. Varianti i të kënduarit që kisha zbuluar, muzikaliteti, varianti stilistik dhe sidomos pjekuria e tekstit poetik, tema liriko-erotike si dhe inkuadrimi i instrumenteve, për herë të parë në polifoninë shqiptare, kishin zgjuar interesimin e studiuesit shkencëtar. Kjo kërkesë dhe dashamirësia e Profesor Shuteriqit u realizua në dekadat e Koncertit të Majit 1974, pasi Grupi i Pilurit ishte i ftuar nga Teatri i Operas dhe Baletit për të përshëndetur zyrtarisht mbylljen e Koncerteve të Majit. Kisha shkruar dhe përgatitur këngën “Në të marrsha moj manushaqe”. Interpretimi u realizua në mënyrë të kënaqshme. Pas mbylljes së koncertit në sallonin e Operas na prisnin me një buzëqeshje Profesor Shuteriqi, Driteroi dhe zëvendësministri i Kulturës, shkrimtari bregas Anastas Kondo. Ndërmjet tyre dhe miku im i përzemërt prej vitesh, kryeredaktori i gazetës “Drita”, Zija Çela. Të gjithë së bashku. Anastas Kondo foli me zërin e tij bariton: Kush e mori vendin e parë Lefter? Ndihej dashuria dhe ngrohtësia bregase. Shuteriqi dhe Driteroi me zë të përbashkët iu përgjigjën: Piluri! Një e qeshur fosforike shpërtheu. Ndërkohë, artistët e tjerë që dilnin nga salla dhe skena e koncertit na përgëzonin. U përqafuam dhe po përshëndeteshim. Profesor Shuteriqi në një çast me një flakërim të kristaltë më thotë: besoj se të krijohet mundësia të takohemi dhe të bashkëbisedojmë nesër në Lidhje, në orën kur keni dhe mundësi ju. Driteroi e dëgjoi dhe ndërhyri: Bre Lefter hajde se do na vejë mbarë takimi me Profesor Shuteriqin, sepse na vlen një takim i tillë me Grupin e Pilurit se ka interes për visaret e popullit. Se juve jeni shfaqur në kohën e duhur të këtij problemi. Driteroi ndërkohë shtoi; mendoj aty nga ora 4, nbasdite ju presim në Lidhje. Kështu u bë. Të nesërmën, në mbasditen e bukur të majit të luleve dhe të gjakut të dëshmorëve, shkonte bukur një mbasdite folklorike në Lidhje. Ndërsa po shkonim drejt godinës së Lidhjes, në kryqëzim, tek godina kishte dalë vetë Shuteriqi të cilit i shquheshin flokët. Në sallën e Lidhjes shquhej busti i Naim Frashërit. Kënga fosforike e Pilurit i drejtohej atij “Tre vëllezër burra kombi”. Në një çast Driteroi duke i hedhur krahun Shuteriqit i tha: Ja bre, ky është Naim Frashëri, i madhi i shpirtit tonë. Ndaj diti të ligjëronte bukur shumë. Biseda në atë takim nisi me një entusiazëm të lirë . Fjalën e mori Profesor Shuteriqi me atë elegancën e njohur të tij. Lefter, më thotë, dua të më sqarosh saktë dhe pastër, kush e ka krijuar “Vajzën e valeve” dhe në ç’vite është krijuar kjo legjendë e arritur. Eshtë vepër e një poeti të përsosur dhe e realizuar në karakterin e të kënduarit. Fabula e saj është e jetueshme apo e krijuar nga autori? Kjo është këngë me një vlerë universale jo vetëm për visarin shqiptar, por dhe në visaret europiane. Eshtë fantastike. Duke marrë frymë, profesor Shuteriqi vazhdoi: I dashur Lefter, do të dëshiroj të t’i shpreh njëherësh dhe mbasandaj të drejtën e shpjegimeve burimore. Shpresoj se do të jenë të kënaqshme dhe të mjaftueshme nga dija dhe njohuritë e tua të sakta. Dhe vazhdoi: Dua të di kush e krijoi himnin e Himarës, në ç’kohë? Dhe kush është autori i këtij krijimi popullor, autokton, krahinor dhe me tepër vërtetësi historike? Kjo na jep dritë nga Himara e madhe, nga Himara e principatave. Kurse pyetja e tretë është kjo që të përket ty, drejt për drejt; ”Tundu Bejkë e Bardhë tundu!” Një simfoni lirike. Para se të m’i zbërthesh, kam dëshirë me të gjithë pjesëtarët e këtij auditori, t’i dëgjojmë të kënduara. I duam nga ky grup i mrrekullueshëm, me këta zëra të rrallë dhe të harmonizuar në mënyrë perfekte në një cilësi të lartë artistike. Ndërsa këngëtarja Katina Mërkuri nisi këngën, Shuteriqi dhe Driteroi shkëmbenin shikimet e tyre. Pasi grupi interpretoi të tri këngët që preferonte Profesor Shuteriqi, një duartrokitje finalizoi atmosferën në Lidhje.
Profesori pas duartrokitjeve priti shpjegimet e mia për të tri pyetjet që kishin të bënin me tri këngë të famshme:”Vajzë e valeve”,”Kush është lule vlajeti” dhe “Bejkë e Bardhë”. Profesori më ndiqte me vëmendje dhe interesim të veçantë.
Në kujtesën time personale, ditari i miqësimit me Profesor Shuteriqin është shumë i çmuar, pasi lidhet me një personalitet shumë të përkushtuar ndaj letërsisë popullore, polifonisë shqiptare dhe sidomos asaj të Bregut dhe ndaj krijimeve të mia. Në vijim të krijimtarisë sime Profesor Shuteriqi më ndiqte me një kujdes dashamirës. Vit për vit ai krijonte mundësi të takoheshim dhe të bashkëbisedonim.
Në vitin 1974, ndërsa unë dhe Grupi im i Pilurit ndodheshim në Tiranë me këngën “Nga kjo baltë e kësaj toke”, Profesor Shuteriqi ishte i pari që në analizat zyrtare printe vlerësimet e hapura e publike për Grupin dhe krijimtarinë tonë. Ai u bë inkurajuesi i veçantë, së bashku me Driteroin, që unë të plotësoja guximin tim nga një krijues provincial e të mos rreshtja në kurajon për t’u bërë një artist me reputacion kombëtar. Zëri dhe vepra emancipuese e tij, pati ndikim të madh në atdheun tonë për disa dekada. Profesor Shuteriqi nuk gabonte të ngatërronte kërpin me mjaltin. Shprehja e tij e preferuar ishte: ”Po s’deshe gurin e babës, e ke harruar zjarrin e Mëmës”. Këtë filozofi të tijën e diktova dhe e vërtetova në vazhdim të viteve të krijimtarisë sime. Reflektimi i tij tek të tjerët ishte depërtues dhe tepër i fuqishëm. Nuk mund të mos i përmend rastet e tjera të dashamirësisë së tij ndaj personit tim, tek krijimet e mia në vitet 1975 deri në ’90. Shpesh Profesor Shuteriqi në analizat vjetore të Lidhjes së Shkrimtarëve deklaronte se krjimet e mia dhe prurjet e Grupit të Pilurit janë visare të çmuara në kulturën kombëtare.
Profesor Shuteriqi mbetet një personalitet i shquar i letrave shqipe, i dritshëm në historinë e letërsisë dhe atë të studimeve filologjike. Ai është një lis i gjethuar dhe me kurorë.
Falenderoj familjen e Profesor Shuteriqit për mundësinë që më dha të shpreh të vërtetat e shpirtit tim në këtë moshë të tetëdhjetave, për një mik të ditur që na dituronte dhe na la dituri edhe për kohë të ardhme.

(Botohet per here te pare)

Image may contain: one or more people, people sitting, people eating, table and indoor

Check Also

Mbyllen 13 degë në Universitetin e Elbasanit, shumë shpejt ky universitet do të diplomojë vetëm infermierë

Këtë vit në universitetin e Elbasanit janë regjistruar 1032 studentë përkundrejt 2800 kuotave të lira. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

2 × 2 =