Home / Kryesore / HEZITIME DHE SPINE PASZGJEDHORE

HEZITIME DHE SPINE PASZGJEDHORE

Lojërat si duket nuk do të kenë fund, ndërkohë që secili me secilin bisedon për formimin e qeverisë. Secili subjekt e sheh veten të projektuar në qeverinë e ardhshme, por te secili subjekt rëndon droja “bumerangut” elektoral që mund t’i ndodh në një kohë të shkurtër, sepse çdo kombinim për formimin e qeverisë duhet të llogarisë në parashikimet se pas një viti përsëri mund të ketë zgjedhje. Pikërisht ky fakt, pjesëmarrjes në qeveri i jep tone hamendësimesh politike, sidomos në kohën kur qeverinë e re e presin një mal sfidash që do të kërkojnë shumë energji dhe përgjegjësi elektorale që për shumë pak kohë mund të përkthehet në dështim dhe zhgënjim elektoral.

Autor: Bardhyl Zaimi

Bashkë me ngritjen e temperaturave në fund të korrikut edhe skena politike në Maqedoninë e Veriut ka filluar të bëhet më e nxehtë. Zgjedhjet e 15 korrikut tashmë kanë dhënë një rezultat befasues me shumë kombinatorika politike për formimin e qeverisë. Zyrtarizimi i mandateve nga ana e KSHZ-së ka hapur rrugën për zhvillimin e bisedimeve mes partive politike, ndërkohë që opozita në bllokun politik shqiptar ka protestuar në Shkup, duke e kontestuar procesin zgjedhor.

Në preludin e bisedimeve partitë gradualisht po krijojnë pozicionimet e tyre në raport me mundësitë për përfshirje në një koalicion të mundshëm dhe në raport me kundërvëniet paraprake të forta gjatë fushatës zgjedhore. Partitë në bllokun politik shqiptar gjatë fushatës kishin afishuar avancimin e pozicionit të shqiptarëve në tërësinë shtetërore të Maqedonisë së Veriut, që mendohej se në fazën paszgjedhore do të mund të krijonte një konvergjencë politike. Nga paralajmërimet e para duket se nuk do të ketë një rreshtim për çështjet e ngritura gjatë fushatës, ndërkohë që polarizimi i tyre mbetet tipik si gjatë fushatës zgjedhore.

Bashkimi Demokratik për Integrim ndërkohë ka dalë me pesë shtylla për një platformë të mundshme të përbashkët mes partive shqiptare, e cila është kundërshtuar nga koalicioni ASH-Alternativa, duke e vlerësuar këtë platformë si joserioze. Me gjasë përplasjet mes subjekteve politike shqiptare do të vazhdojnë ndërkohë pa shpresuar mbase në një bashkëpunim.

Në sheshin demokratik të formimit të qeverisë të gjitha partitë shpresojnë në një kombinatorikë për krijimin e shumicës parlamentare, ashtu siç e parasheh ligji. Partia fituese në bllokun politik maqedonas LSDM më herët ka theksuar se ajo ka mandatin për formimin e qeverisë, ndërkohë që pretendime ka shfaqur edhe VMRO-DPMNE e Hristian Mickovskit. Edhe pse LSDM dhe BDI si parti fituese te blloku politik maqedonas dhe shqiptar i kanë numrat për formimin e qeverisë, ky operacion bëhet i vështirë për shkak të idesë së kryeministrit shqiptar të lansuar gjatë fushatës parazgjedhore nga partia e Ahmetit.

Pikërisht, kjo ide e bënë situatën paszgjedhore me shumë të panjohura, ndërkohë që LSDM-ja, ka ritheksuar disa herë që kryeministër i ardhshëm do të jetë Zoran Zaev. Edhe pse në nivel numrash ky koalicion mund ta formojë qeverinë, në rrafshin politik shfaqen hatërmbetje dhe “sedra” partiake që bisedimet i bëjnë të vështira. Krijimi i dy hemisferave politike skajshëmrisht kundërshtuese gjatë fushatës, por edhe më herët, kanë krijuar një moment të ri “padurimi” politik që ndërlidhet edhe me reflektime elektorale paszgjedhore si pasojë e pozicionimeve të forta. Sforcimet parazgjedhore kanë krijuar një gjendje të pashpresë politike për të dyja partitë dhe tash janë në situatë që asnjëra nuk mund të lëvizë nga narracioni e vetë për shkak se humbjet në një periudhë afatgjatë mund të jenë fatale për secilën.

Në një situatë të këtillë, me shumë pikëpyetje, me sedër partiake, me zotime parazgjedhore të sforcuara, me droje që vjen nga humbja në elektorat, një kompromis i mundshëm qeverisës duket shumë i vështirë. Është një situatë kur dy fituesit duken të shtangur, të pezmatuar dhe të hutuar në ngërçin e narracionit parazgjedhor. Një gjë mbetet e qartë liderët e dy partive do ta kenë shumë të vështirë të sprapsen nga pozicionet e tyre, sepse kjo do të kuptohej si dobësi në raport me deklaratat e dhëna gjatë fushatës, të cilat kaluan në një betejë për “jetë a vdekje”.

Dhe në gjithë këtë kontekst kemi dy hemisfera ku zhvillohet beteja, në hemisferën politike shqiptare që realisht njeh dinamika tjera dhe që realisht është në suaza të dinamikave normale demokratike  dhe një hemisferë tjetër e mjegulluar, me spine të panumërta që vijnë nga partia fituese LSDM, që kërkojnë të krijojnë një lloj presioni, hutie dhe një gjendje sureale perceptimesh se vetëm kjo parti vendosë për formimin e qeverisë së ardhshme.

Me kohë eksponate të afërta me këtë parti kanë marrë rolin e gjykuesit, rolin e interpretimit dhe të “vulës” se çfarë mund të jetë e drejtë dhe demokratike dhe çfarë duhet të kalojë ose të braktiset para se ata ta thonë fjalën e fundit se cilin do ta marrin në qeveri. Spine të koordinuara që krijojnë një atmosferë të tendosur dhe që akoma më tepër e bëjnë të vështirë arritjen e një kompromisi të mundshëm.

Lojërat si duket nuk do të kenë fund, ndërkohë që secili me secilin bisedon për formimin e qeverisë. Secili subjekt e sheh veten të projektuar në qeverinë e ardhshme, por te secili subjekt rëndon droja “bumerangut” elektoral që mund t’i ndodh në një kohë të shkurtër, sepse nga shumë analistë tashmë është theksuar se çdo kombinim për formimin e qeverisë nuk mund të llogarisë më tepër se një vjet. Pikërisht ky fakt, pjesëmarrjes në qeveri i jep tone hamendësimesh politike, sidomos në kohën kur qeverinë e re e presin një mal sfidash që do të kërkojnë shumë energji dhe përgjegjësi elektorale që për shumë pak kohë mund të përkthehet në dështim dhe zhgënjim elektoral.

Faza pazgjedhore po përshkohet me rivlerësime dhe ripozicionime politike, me ide faktorizimi dhe me shumë spine që kërkojnë të zhbëjnë gardet e krijuara të partive për të braktisur idetë që mund të konsiderohen triumfaliste. Një pamje e mjegulluar, me një përpjekje në sfond që kërkon pragmatizimin politik, por edhe sensin e fitores së idesë në raport me elektoratin. Ditët në vazhdim me siguri që do të japin një pamje më të qartë të pozicionimit të partive politike për formimin e qeverisë. Do të zhvillohen biseda, ndërkohë që do të taktizohet deri në fund për të ruajtur ndjenjën e fitores dhe pjesëmarrjes në qeveri njëkohësisht.

Check Also

Tentoi të fikte bombulën e gazit, lëndohet kryefamiljari në Vlorë

Një person ka mbetur i lënduar për shkak të flakëve të shkaktuara nga një bòmbul …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

13 − 1 =