Home / Kulture / Gurët

Gurët

Nga Prend BUZHALA-

(Një interpretim me pak fjalë)

Gërmimi poetik i gurëve, ngjall jo vetëm evokime; gurët janë simbolikë gjeopoetike, janë metaforë e historisë, e ekzistencës, gurët poeti i shfletohen si libër i gjallë kujtese. Aty është qëndresa e fortë si gur, aty janë rrënjëzimet e qenies dhe kujtimet e forta për të.

1.
Një autor i sotëm librash spiritualë, thotë: “Ne kemi harruar atë që gurët dhe bimët dinë akoma – ne kemi harruar se si të jemi – të ekzistojmë akoma – të jemi vetvetja – të jemi aty ku jeta është këtu dhe tani.” Meqë kryeleksema gurët shënjon qëndresën, dhe rrënjëzimin, poeti bashkëbisedon me gjuhën e fshehtë të tyre, e, në fatkt, është një bashkëbisedim për jetën, për vendin, për njerëzit, për hallet e tragjeditë. E po, kur poeti nuk harron, kjo do të thotë se ai mban mend më shumë se të tjerët, i monumentalizon nëpër vargje ato mbresa madhështore kujtese:
Gurët, plumbat, sëpatat … u ngulën
Në mishin e saj.
Ao, e verbër ndaj tyre,
siç fyelli verbohet para se të nisë kënga,
si i verbohen vajzat thirrjes për t’u bërë nëna,
si gurët verbuar ngulen vetëm në tokë
ajo gruaja, grate u lidhën me burrin…
Aty lexojmë një verbim të bukur, bukurinë homerike të verbimit (“siç fyelli verbohet para se të nisë kënga”), verbimin si dashuri të pakufishme ndaj ekzistencës dhe vendlindjes për ta mbajtur jetën trashëgimore gjallë (“si i verbohen vajzat thirrjes për t’u bërë nëna”, aty është ai i rrënjëzimit, si një fidan që lëshon rrënjë, të tillë janë edhe gurët. Poeti përzgjedh edhe kontrastime ekspresive (mishi i butë i tokës/rrënjët në gur). Mbytja e halleve nuk bëhej duke gjetur zgjidhje në alkool a cigare… Pothujase, secila fjalë merr vlerë metaforike, figurative, vlerë shumëkuptimore poetike.
Duke u dhënë poetikisht pas kësaj figure, pothuajse ky përfigurim transfigurohet, shndërrohet në portretizim të njerëzve (“Guri mori/ natën, dimrin, vetminë e ngriu në përqafim, /në fytyrën e njerëzve “); tutje kjo figurë antropomorfizohet, njerëzit çrrënjëzohen, desocializohet, mërgojnë (“Gurët si kuajt netëve nga vatha, u ikin maleve,/ua zbrazin hambaret,/marrin detet”.)

2.
Artistët ndryshe nga mjeshtri që e gdhend a e përdor për ndërtim (a e vë në hidrocentral), gurët do t’i konsiderojnë si qenie të gjalla, mu ashtu siç shprehet Andy Goldsworth, skulptor e ambientalist anglez: “Ka jetë në një gur. Çdo gur që ulet në një fushë ose shtrihet në një plazh merr kujtesën e atij vendi. Ju mund të ndjeni se gurët kanë dëshmuar kaq shumë gjëra.”
Edhe poeti ynë, Sadik Bejto, te kjo poezi u dha jetë e shpirt gurëve, i diamantizon, sepse ata lëvizin e rrënjëzohen si njerëzit, siç shenjtërohen e shenjëzohen vlerat e jetës e të ekzistencës, ata kanë ligjërimin e tyre të heshtur, komunikojnë vlerat e një kohe, vlerat e kujtimeve, pasi gjithçka tokësore është aq e lidhur me jetën njerëzore. Poeti i beson kësaj bukurie, këtij ligjërimi, dmth i beson tokës dhe njerëzve.
Përgëzime!

Check Also

Ambasada e Italisë kujton veprën e familjes Jashari (VIDEO)

Në Kosovë po shënohet sot dita e dytë e Epopesë së UÇK-së, në nderim të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

16 + 20 =