Home / Aktualitet / Greqishtja në kishën e Shën Prokopit në Tiranë

Greqishtja në kishën e Shën Prokopit në Tiranë

 

Atë Foti CICI-

Të dielën e kaluar fëmijtë e kishës së Shën Prokopit në Tiranë i nisën këngët dhe himnet e Krishtlindjeve në gjuhën greke, siç mund të shihet e të dëgjohet në videon e dates 20 dhjetor 2020 në fund të këtij postimi.

Nuk ka asnjë kërkesë nga Zoti apo nga Kisha Ortodokse që gjuha amtare të dytësohet vazhdimisht dhe një ditë të zëvendësohet krejt.

Kjo arrihet duke punuar me fëmijtë, për t’iu mëkuar shpirtrat me sentimentet e “gjuhës së prestigjit” dhe për t’iu ngjizur mendjet me mitin e “gjuhës së shenjtë”. Kjo strategji imponohet në kishat tona me pushtet politik dhe ekonomik!

Kur krishterimi nuk është i cenuar dhe i tëhuajtur, e vetmja gjuhë e shenjtë është gjuha amtare, prandaj dhe në të gjitha kombet ku ka ortodoksë, zbatohet Ungjilli dhe gjuha e popullit nuk përçmohet dhe nuk ndalohet.

E njëjta urdhëresë hyjnore zbatohet edhe në kishat tona katolike dhe ungjillore, të cilat përdorin vetëm gjuhën shqipe, prandaj dhe përqindjet e tyre janë rritur në botën shqiptare, si në atdhe ashtu edhe në diasporë, ndërsa ne po zbresim vazhdimisht dhe kemi marrë të tatëpjetën në histori, edhe pse para tre dhjetëvjeçarësh ishim komuniteti më i madh i krishterë në Shqipëri.

Greqishtja po shtohet vazhdimisht në Tiranë dhe gjetkë, edhe pse jemi një kishë kombëtare jo greke dhe me një gjuhë të lashtë.

E vërteta mohohet dhe shkelet, duke harruar se e fituam autoqefalinë pikërisht se komuniteti ortodoks në Shqipëri ishte me shumicë shqiptare!

Kthimi regresiv në një gjuhë të huaj është i dëmshëm, sidomos nga ana shpirtërore e fetare, gjë që ka pasoja afatgjata në aspektin kulturor dhe kombëtar.

Në fakt, pohimi më i madh i kësaj shkeljeje del nga vetë mohimi i imponuesve:

Nëse greqishtja do të ishte e dobishme dhe e domosdoshme për shqiptarët, këtë do ta pranonin edhe vetë faktorët ortodoksë dhe do të krenoheshin për të, e jo ta paraqesin gjithmonë me hile, për të mashtruar popullin.

* * *

E shoqëroj këtë shkrim me dy foto.

E para është ajo e Imzot Fan Nolit: është i njëjti portret modest dhe njerëzor që u hoq nga hyrja e kishës së Ungjillëzimit në Tiranë para tre dhjetëvjeçarësh, me urdhër të eksarkut grek dhe kryepeshkopit të sotëm antishqiptar!

Duke zbritur një portret, u dhunua imazhi i atij që rrëzoi murin midis shqiptarëve ortodoksë dhe Zotit!

Fan Noli Ishte ai që ndërtoi urën midis tokës dhe qiellit, sepse solli në gjuhën e vetme të besimtarëve ato të vërteta që kumbojnë me poetikë e melodi ende sot në kishat shqiptare!

Prandaj dhe ky portret u mor dhe u ruajt me shpresëtari nga një familje e vjetër ortodokse e Tiranës, e cila e trashëgoi te brezi i ri, duke mbërritur dje edhe në këtë faqe.

E dyta është afresku në kishën e Lindjes së Krishtit në Tiranë, një vegim satanik ku kryepeshkopi shkombëtarizues pikturohet në murin e brendshëm të kishës duke zbritur nga qielli si hyjni, me kambanoren e katedrales së re në dorë (46 metra e lartë!), me të cilën tremb një fëmijë që e kundron i çmeritur…

Pikturimi i të gjallëve brenda në kishë është rreptësisht i ndaluar, pa asnjë përjashtim. Është i paprecedent në historinë e Krishterimit, me përjashtim të mitropolitit të Malit të Zi, Amfilohije, ai që vdiq muajin e kaluar.

Hierarku i mësipërm gjeti mbështetje për këtë akt të turpshëm nga lëvizja nacionaliste serbe në Mal të Zi, për të rrënjosur, imponuar dhe trashëguar kështu platformën politike nëpërmjet një udhëheqësi-simbol.

Kjo dukuri nuk u pranua nga asnjë kishë ortodokse, edhe pse ikonat në Mal të Zi ishin pikturuar sipas traditës ortodokse dhe nuk kishin përmbajtje heretike, si në rastin e Janullatosit.

Ka të ngjarë që precedenti në Mal të Zi të jetë bërë në marrëveshje me kryepeshkopin e Shqipërisë, përderisa mitropoliti Amfilohije ishte dikur nxënës i Janullatosit në Universitetin e Athinës, kur ky rekrutonte për shërbime të posaçme klerikë të kishave të huaja që vinin për studime pasuniversitare në Greqi, të cilët rëndom ishin piketuar në role udhëheqjeje nga kishat e tjera kombëtare.

Për parantezë, ka pasur raste të rralla kur janë bërë piktura të gjallësh në parakishë, jo brenda në faltore: është pikturuar ndonjëherë ndërtuesi i kishës (dhuruesi i fondeve), por paraqitja është realizuar në mënyrë modeste dhe me pamje përulësie. Ndërtuesi paraqitet me tipare dhe përmasa njerëzore, duke mbajtur maketin e kishës në dorë, të cilin ia paraqet Krishtit, Shën Marisë a shenjtorit të kishës, të cilët këta pikturohen me përmasa më të mëdha se njeriu i pikturuar.

Këto tri dëshmi të mësipërme në Tiranë, domethënë greqishjta të dielën e kaluar në kishën e Shën Prokopit, heqja e fotos së Imzot Nolit nga kisha e Ungjillëzimit dhe vendosja e një auto-afresku të kryepeshkopit të sotëm brenda kishës së Lindjes së Krishtit, këto tre fakte pra, nuk pajtohen as me Zotin, as me traditën ortodokse dhe as me Shqipërinë!

Nuk është rastësi që kjo ndodh pikërisht tani, me një simbolikë domethënëse, kur po nis rindërtimi i kishës së re të Shën Prokopit, e cila do të jetë një tjetër tempull grek në zemër të Tiranës, për të përjetësuar “edhe një xhevahir tjetër” (Erion Veliaj) të pranisë dhe trashëgimisë shkombëtarizuese: me artitekturë, mbishkrime dhe simbolikë helene në kryeqytetin shqiptar!

Në kishën e re me siguri do të përsëriten auto-afreskët e autorit të greqizimit të KOASh-it, sepse kështu përjetësohen misionet politike me mëkrejsën e fesë.

Video nga kisha e Shën Prokopit në Tiranë (20 dhjetor 2020):

 

Check Also

Ambasada Ruse retorikë të ashpër për deklaratën e Haradinajt: Kosova pseudo-shtet

Pas dëbimit të diplomatit rus nga Ministria e Jashtme shqiptare, Ambasada Ruse në Tiranë ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

13 + eleven =