Home / Kryesore / Gjurmëve të Pashko Vasës në Liban

Gjurmëve të Pashko Vasës në Liban

Përskaj rrugës Bejrut – Damask, në vendin e quajtur Hazmije, pushon Pashko Vasa, ose Vaso Pashë Shkodrani, siç e quajnë në Shkodrën e tij dhe në të gjitha viset shqiptare. Varrin e guvernatorit më të njohur të Libanit, gruas së tij të dytë dhe së bijës, tani e mbulojnë hijet e qiparisave dhe pishave të moçme sa edhe vjersha plot kushtrim e Pashko Vasës “O moj Shqypni” (1878), himni më mobilizues i popullit tonë në luftë për pavarësi nga osmanët.

Duke gjurmuar jetën dhe veprimtarinë patriotike dhe letrare të Pashko Vasës në Bejrut dhe shkrimet e kronistëve në vendet e tjera arabe, arrita të zbuloja disa nga momentet e panjohura të jetës së këtij burrështeti dhe autori të veprave letrare e publicistike, të cilat u bëjnë nder kombit tonë dhe vendeve ku shërbeu, si “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” (1879), që u botua separat në frëngjisht, e pastaj u përkthye në gjermanisht, greqisht dhe turqisht mu në kohën më të nevojshme që bota ta kuptonte çështjen tonë gjatë krizës lindore, pastaj artikulli në shqip “Shqypnia dhe Shqyptarët”, që më vonë u përkthye edhe në gjuhë të tjera, “Gramatika e gjuhës shqipe”, (1887, Londër), romanet “Bardha e Temalit” dhe “Trandofile e Gjemba” (1873), etj.

Para se t’i paraqes disa nga gjetjet e mia për jetën e Vaso Pashës në Bejrut dhe në tërë Lindjen e Mesme, t’jua rikujtoj se para ardhjes së tij në Liban Pashko Vasa krijoi një biografi shumë të pasur në rrafshin patriotik shqiptar, për çka kanë shkruar shumë më parë hulumtues të tjerë, andaj po i përsëris shkurtimisht.

Në biografinë e tij gjejmë se kur erdhi për herë të parë në Stamboll, më 1849, Pashko Vasa mezi gjeti punë, sa për të jetuar thjesht, në një ndërmarrje belge të tramvajeve, e pastaj, falë njohjes së gjuhëve të huaja, u fut në një post të ulët në Ministrinë osmane të Punëve të Jashtme, nga ku e dërguan në postin e nëpunësit në Ambasadën e Portës në Londër.

Më 1861 e hasim në postin e sekretarit të Prenk Bib Dodës, prijës tradicional i Mirditës, ku qëndroi dy vjet e pastaj gati dy vjet (deri më 1864) shërbeu si përkthyes i misionit perandorak në Bosnjë.

Pashko Vasa vlerësohet ndër ideologët më të rëndësishëm të Lidhjes së Prizrenit, së bashku me vëllezërit Frashëri dhe me të tjerët. Si anëtar i thelbit të Komitetit të Stambollit, Pashko Vasa konsiderohet shkrues i memorandumit, që përmes ambasadorit të Austro-Hungarisë në Stamboll shqiptarët u drejtohen fuqive të mëdha për të drejtat e tyre kombëtare. Gjithashtu, më 1878, Pashko Vasa është nënshkrues i memorandumit drejtuar fqinjëve të shqiptarëve për “fqinjësi të mirë, por duke shprehur vendosmërinë ‘për mbrojtjen e çdo gjëje që është e jona’”.

Më 1878, Pashko Vasën e gjejmë në Prishtinë, në qendrën e Vilajetit të Kosovës, në postin e këshilltarit e Valiut të Sanxhakut të Kosovës.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.

Check Also

RËNIA E KINEMA 17 NËNTORIT

Elsa DEMO- Shembet më e vjetra dhe e para kinema me arkitekturë moderne në Shqipëri. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

fifteen + 17 =