Nga Stefan ÇAPALIKU-
Celulari më ban me dije se më ka ardhë mesazh. Eshtë një numër i panjohur: “Pershendetje z. Çapaliku! Jam Jona nga rtv “xxl”. Jemi duke realizuar nje radio program, që do transmetohet edhe ne Kosove e Maqedoni. Kësaj radhe do i kushtohet Shkodrës. Do kishim shumë dëshirë t’ju kishim me një intervistë 10-15 minuta”. Mendohem një çast dhe i them “po”. Pastaj e pyes zonjushën se kur do jetë emisioni, duke llogaritë me mend se sa kohë do më duhet të përgatitem. Tani, me thotë ajo, menjëherë. Unë do t’ju nis pyetjet pas pak dhe ju do t’i rregjistroni pergjigjet me “voice” dhe të m’i dërgoni në whatsapp. Ndjej një zjarrmi që më përshkon gjithë trupin. Ajo po më konsideronte si kuti e ndihmës së shpejtë apo si pompë zjarrfikëse. Donte që t’ia kryeja unë emisionin ashtu, në kambë e në dorë. U ndala dhe iu luta Zotit të na ndihmonte disi…