Home / Kryesore / Frika sovrane e një kryeministri sovranist
Albanian Prime Minister Edi Rama attends a joint news conference with Italian Prime Minister Giuseppe Conte (not pictured) at the Palace of Brigades in Tirana, Albania, October 15, 2019. REUTERS/Florion Goga

Frika sovrane e një kryeministri sovranist

Shpëtim Doda/

Hear the loud alarum bells—
Brazen bells!
What tale of terror, now, their turbulency tells!
In the startled ear of night
How they scream out their affright!

Edgar Allan Poe, Bells

Sjellja e Edi Ramës lipset pranuar se është shumë larg të qenit lehtësisht e lexueshme, për një sërë arsyesh mjaft komplekse, vetëm një pjesë e të cilave varen prej tij. Dhe me arsyet që nuk varen prej tij, nuk kam parasysh këtu vetëm ato që lidhen me sferën e psikozës së tij, por edhe ato arsye të cilat nuk varen aspak prej personit të tij, pavarësisht kimisë që shkaktojnë në psikën e tij.

Kësisoj, sjellja e Edi Ramës është shpesh jo fryt i një ekuacioni qëllimesh të paramenduara, por i pikëprerjes kontekstuale të arsyeve të grupit të dytë, nën dritën e të cilave mund të deshifrohen, të zbërthehen dhe të kuptohen pa asnjë vështirësi paqëndrueshmëria e tij simptomatikisht emblematike, sizmikat e gjuhës së trupit, kthesat e befasishme prej 180 gradësh, mungesa e një boshti dhe shtylle kurrizore, tensioni që i drithmon gjuhën dhe i shkumëzon cepat e gojës, të cilin përpiqet ta fshehë e ta shkarkojë përmes mekanizmit psikik të humorit pa shije dhe shpotisë së tij agresive.

Kjo vlen padyshim edhe për sjelljen e tij të fundit prej “sovranisti” të regjur e të thekur, e cila ishte një rrufe në qiell të kaltër për të gjithë, shqiptarë e të huaj. Dhe nuk kishte si të ishte ndryshe, pasi të gjithë e kemi parë kryeministrin të përligjte këtë apo atë vendim si të kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë; të gjithë e kemi parë të akuzonte opozitën se po dilte u kundër partnerëve ndërkombëtarë; të gjithë i mbajmë mend mirë ditët e votimit të reformës së paformët të drejtësisë së padrejtë, kur kryeministri bënte “humor frojdian” me termin “sovranitet” dhe kundër “opozitës sovraniste” – lexoni deklaratën e tij të datës 13 korrik 2016 duke klikuar në linkun e mëposhtëm.

https://shqiptarja.com/lajm/deklarata-e-plot-euml-e-kryeministrit-edi-rama

“Guri që muratorët flakën tej, u bë guri këndor”, shprehet Davidi në një psalm. Të enjten, prej foltores së një parlamenti të sovranistizuar, kryeministri e mori “sovranitetin” me të cilin pati bërë gallatë pak kohë më parë dhe e shigjetoi rrefkazi si Zeusi rrufetë mbi ndërkombëtarët, në mënyrë të veçantë mbi ambasadoren e SHBA Yuri Kim, e cila jo pak herë i është bërë mburojë, si Donald Lu përpara saj, tek e fundit.

Të gjithë mbetën të shuplakosur prej kësaj “kthese”. Një pjesë ngriti supet, një pjesë tjetër boholliti një “booh”, ndërsa një pjesë rendi ta interpretojë si sjellje e diktuar nga frika. Porse ky interpretim është pjesërisht i saktë, pasi gabon në “objektin” e frikës. Sjellja e kryeministrit të enjten nuk është rezultante e frikës së humbjes së pushtetit, madje nuk lidhet fare me zgjedhjet. Frika që ka kapulluar sovrane në çdo qelizë kryeministrin tonë, duke i vrarë makbethianisht gjumin, ka një tjetër objekt, lidhet me “shantazhet në gjuhë të huaj”, frazë kjo që ai e artikuloi përpara tre apo katër ditësh.

Gjendemi përpara një “rrëshqitjeje” klasike “frojdiane”, e cila shfaqet e kuptueshme nën dritën e një dokumenti të mbërritur përpara disa javësh në Ballkan nga Shtëpia e Bardhë, një pjesë e të cilit u bë publik vetëm dy ditët e fundit në mediat serbe, të cilat po përballen me pasojat e “rrjedhjes”; më konkretisht, vetëm pjesa që lidhet me Aleksandër Vuçiç-in, akuzuar nga Shtëpia e Bardhë për pastrim parash, për tregti të paligjshme armësh, dhe për ndërhyrje në punët e brendshme të SHBA-së, duke sponsorizuar 2.500.000 $ në fushatën e Hillary Clinton-it në presidencialet e 2016, si dhe duke sponsorizuar një pjesë të parave të vjela nga këto dy aktivitete, apo duke u lehtësuar të tretëve kalimin e parave të pista të investuara për protestat kundër Trump-it, qoftë atyre që u mbajtën gjatë periudhës së pas presidencialeve të 2016, qoftë atyre të muajve të fundit.

Ky dokument, ndërkaq, hedh dritë mjaftueshëm rreth faktit nëse dështimi i takimit Vuçiç-Thaçi në Shtëpinë e Bardhë ishte apo jo i orkestruar nga vetë SHBA. Por, sikundër thashë edhe më lart, dokumenti është bërë publik vetëm në një pjesë të tij, ndërkohë që po pritet nga dita më ditë bërja publike e pjesës tjetër, për përmbajtjen e të cilës me siguri duhet të jetë i mirë informuar ky kryeministër sovran i kësaj qeverie sovrane të votëbesuar nga ky parlament sovran që doli nga votat e një populli jo-sovran.

Një kambanë po gjëmon frikshëm në Ballkan.

Pyetja është: për kë po gjëmon?

Check Also

“Gjykata Speciale do të arrestojë persona edhe në Shqipëri”

Ish-deputeti i Kuvendit, Milaim Zeka, thotë se arrestimet e sotme të kryetarit dhe nënkryetarit të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

13 − 5 =