Home / Letersi / FJALË PËR KOHËN DHE PËR KORÇËN …

FJALË PËR KOHËN DHE PËR KORÇËN …

Vangjush Saro/

(Fragment nga libri në proces “Shqipëria në dy kohë”)

Gjatë një polemike me dikë, pas një debati për Gjuhën Kombëtare – unë mbroj idenë se duhet t’i vlerësojmë pasuritë ndërdialektetore, por s’mund të kthehemi pas – gjatë kësaj polemike pra, dikushi hyri në lloj-lloj tunelesh dhe, anipse jemi bashkëmoshatarë, filloi të fliste kodra pas bregut për përfshirjen ‘tonë’ në prishjen e kishave e xhamive, etj. Në këtë moment, i thashë pak a shumë se në Korçë, me kishat dhe xhamitë nuk ishin marrë fëmijët dhe as masat popullore, por punonjësit e Komunales…

Dëgjoj të flitet e të shkruhet me një urrejtje të pakontrolluar për atë kohë, për gjithçka të asaj kohe e, midis të tjerash, shoh burra të nderuar, që atëhere kanë punuar në gjimnazet e Tiranës, në gazetat e Tiranës, në radio perëndimore që dëgjoheshin me dëshirë kudo në Shqipëri, e megjithatë përpiqen ta ‘vizatojnë’ vendin tim sikur të ishte një… kamp përqëndrimi. Atëherë unë kam ndërgjegjen dhe ndjeshmërinë të them se kushedi, çdo gjë ka qenë e mundur, por atje ku jam rritur unë, s’kam parë këso… Kam shprehur keqardhje për ata që realisht janë përndjekur e kanë vuajtur; (të gjithë kemi pasur pakënaqësitë dhe hallet tona). Kam shkruar me ashpërsi për stalinizimin e vendit për disa dekada. Por çdo përfytyrim e anësi, e ka një sens, një kufi.

Koha dhe episodet e asaj jete paraqesin një trajektore të përbashkët, por mund të shqyrtohen edhe rast pas rasti. Tani del dikush dhe shkruan për Tiranën e viteve ‘60, cek nga pak Shkodrën e Durrësin, pastaj mblidhet në vete si kërmill rreth një pantalloni xhins… Jo, more zotëri; televizionet italiane i ndiqte gjithë Ultësira Perëndimore (Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Lushnjë, Fier, Vlorë.) Pjesa tjetër, vende-vende ndiqnin televizonet e Ish-Jugosllavisë dhe ato të Greqisë. Liria? Doemos ishte e kufizuar; dhe heraherës zhdukej fare…

Që të kthehem edhe njëherë në Korçë, nuk ishte rastësi që atje u vu në skenë “Pamje nga ura” e dramaturgut amerikan Artur Miler (Regjisor Piro Mani); nuk ishte rastësi që më vonë do të vihej në skenë “Njollat e murme” e Minush Jeros (Regjisor Mihallaq Luarasi). S’ish e lejuar, por në të njëjtën kohë, ia dilnim të dëgjonim – në radiot që fishkëllenin – Radio Pragën dhe Hit Parade, Festivalin e San Remos e, më pas, të shikonim TV-të e ish-Jugosllavisë, (ku liria qe shumë më e madhe). Shkonim rregullisht në Kinema, ndonjëherë edhe në Teatër, ishim gjithnjë në Bibliotekën e Qytetit, në Shtëpinë e Pionierit (ku provova pikturën, pastaj kitarën, por me sa dukej isha nisur për tjetër gjë) po ashtu në Stadium, në Pallatin e Sportit, etj.

Nuk ka vend as për nostalgjira false, as për teprime e fiksime politike. Mbase nuk jemi rritur njësoj, nuk kemi jetuar njësoj, nuk mendojmë njësoj… S’ka asgjë të pakuptueshme*.

……………………………………………………………………

*Në foto: Disa nga shokët e mi të gjimnazit.

L’image contient peut-être : 13 personnes, personnes assises

Check Also

MOTIVI ATDHETAR NË POEZITË E LEFTER ÇIPËS

Idajet Jahaj/ (Duke rilexuar një nga librat e tij) Përmendim një strofë nga një vjershë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

3 × one =