Home / Kryesore / Europa, një rëndësi parësore për Kinën

Europa, një rëndësi parësore për Kinën

Nga Aleksandër Çipa/

Vizita e sapo-përmbyllur në Europë e Wang Yi, Ministrit të Jashtëm kinez dhe njëherazi anëtar i Këshillit për çështjet kombëtare, është mjaft e rëndësishme dhe konseguente për marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Kinën.

Turi i ministrit kinez synonte diskutimin e një sërë çështjesh që varionin nga marrëdhëniet bilaterale me vendet e vizituara, – itinerari përfshinte Italinë, Hollandën, Francën, Gjermaninë dhe Norvegjinë – deri tek qasja më e gjerë ndaj Bashkimit Europian. Në vetvete, udhëtimi kishte dhe një vlerë të shtuar simbolike duke qënë udhëtimi i parë i zyrtarit të lartë jashtë Kinës që nga fillimi i pandemisë COVID-19. Në vetvete, kjo reflekton rëndësinë parësore që Kina po i kushton Europës, duke e mishëruar këtë në të gjitha versionet e diplomacisë: asaj politike, tregëtare, ndërkontinentale etj.

Në një lloj sensi më të gjerë, vizita e Ministrit Wang vinte si një përgjigje ndaj turit europian të Sekretarit amerikan Mike Pompeo të para pak javëve. Sekretari amerikan vizitoi Republikën Çeke, Austrinë, Poloninë dhe Slloveninë dhe nuk e fshehu në vizitat e tij synimin për të fituar mbështetje për politikën e administratës amerikane ndaj Kinës, mbi të gjitha në lidhje me çështjen e infrastrukturës 5G. Teksa Sekretari Pompeo e fokusoi vizitën e tij në vendet e Europës Qëndrore, Ministri Wang e përqëndroi vëmendjen në Europën Perëndimore, duke treguar dhe një qasje të ndryshme strategjike të dy kryediplomatëve të vendeve me sfida të hapura ndërkombëtarisht.

Ndoshta takimi më i suksesshëm i përfaqësuesit kinez ishte ai në Itali me Ministrin e Jashtëm Luigi Di Maio. Ky i fundit vlerësoi si një “takim të frutshëm” vizitën e homologut të tij kinez. Takimi shërbeu për të vazhduar zhvillimet e viteve të fundit në raportet bilaterale ndërmjet Italisë dhe Kinës, të cilat u kurorëzuan vjet me memorandumin e mirëkuptimit të firmosur – veprim që e bëri Italinë të parin shtet nga grupi i vendeve G7 që përqafoi në parim projektin “Një brez, një rrugë”.

Por, lajmi më i bujshëm i vizitës disaditore të Ministrit Wang është deklarata e tij në Paris se një marrëveshje investimesh ndërmjet Bashikimit Europian dhe Kinës mund të arrihet brenda këtij viti. Punimet për një marrëveshje të tillë kanë filluar gati para shtatë vitesh. Kompleksiteti i negocimit të një marrëveshjeje të gjerë, ndryshimet në qëndrime për disa nga parametrat bazë të një marrëveshjeje të tillë, si dhe vonesat nga zhvillimet e jashtme kanë sjellë shtyrjen në kohë.

Deklarata e ministrit Wang sinjalizon një tentativë të re të bllokut të vendeve europiane dhe vendit aziatik për të tejkaluar ndryshimet në qasje dhe për të arritur një marrëveshje që do adresojë shqetësimet e ndërsjellta, duke përfshirë mbrojtjen e investimeve të huaja, tregtinë si dhe ravijëzimin e disa rregullave ekonomike me interes të drejtpërdrejtë për të dyja palët. Duhet parë realisht se si do të konkretizohet kjo iniciativë, por në parim ka potencialin të vendosë bazat për një epokë të re në marrëdhënien ndërmjet Bashkimit Europian dhe Kinës.

Në të njëjtën kohë, sfidat globale duke përfshirë terrorizmin, ngrohjen globale, ruajtjen e multilateralizmit, zhvillimin ekonomik dhe teknologjik, përballjen me krizat që rrezikojnë shëndetin publik si pandemitë dhe shumë të tjera, kërkojnë sot një qasje bashkëpunuese dhe angazhim multilateral. Asnjë vend në botë nuk mund të zgjidhë ose menaxhojë i vetëm të gjitha këto probleme të cilat zanafillojnë dhe reflektohen përtej territoreve të një shteti të vetëm. Një sistem ndërkombëtar i ndërtuar mbi bashkëpunimin dhe rregullat është nevojë bazike. Teksa ndalesat e turit pesë-shtetësh të Ministrit Wang kishin specifikat e tyre, shqetësimet e palëve për tregtinë, zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin ndërkombëtar, u shfaqën si elemente të interesit të të gjithëve.

Njëkohësisht, një nga çështjet e rëndësisë parësore për vendet europiane dhe Kinën është ruajtja e zinxhirëve globalë të furnizimit, të cilat pësuan një tronditje të madhe prej pandemisë dhe masave shtrënguese të ndërmarra nga vende të ndryshme.

Tronditja e pësuar solli një pasiguri të madhe, e cila u reflektua më së pari në mungesën e mjeteve bazike mjekësore dhe në veprime unilaterale. Ruajtja e integritetit të zinxhirëve të furnizmit dhe rikthimi i tyre në normalitet duket të jetë një prioritet i Bashkimit Europian. Për këtë arsye, ka nevojë për një koordinim të mirëfilltë ndërmjet palëve dhe sipas shenjave të kësaj periudhe, duket se Kina dhe vendet kryesore të BE e kanë përcaktuar axhendën e tyre në këtë periudhë të saporënies së pandemisë.

Duhet parë nëse vizita e Ministrit Wang mund të rezultojë në risjelljen në axhendë të samitit Kinë-BE. Në kalendarin e ngjeshur ndërkombëtar, samiti i parë i presidentit të Kinës dhe liderëve të të gjitha vendeve të Bashkimit Europian që ishte parashikuar për në shtator shenjonte një moment thelbësor në të ardhmen e raportit ndërmjet tyre dhe një nga eventet më të rëndësishme të presidencës gjermane të Bashkimit Europian. Samiti, nën kujdesin e veçantë të kancelares gjermane Angela Merkel, pritej të mbahej në Leipzig, por u annullua si pasojë e pandemisë dhe u zëvëndësua me një takim virtual që rezultoi të ishte jo-substancial.

Në deklaratën që pasoi samitin me videokonferencë të 22 qershorti, zonja Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian, theksoi rëndësinë e multilateralizmit dhe sfidave që kërkojnë përgjigje globale. Turi europian i Ministrit Wang ndoshta nuk ishte shterues për sa u përket të gjitha çështjeve në tavolinë, por të paktën është një pikënisje për të vazhduar dialogun e nevojshëm në shërbim të frymës së bashkëpunimit në arenën globale.

Check Also

LAJMI I FUNDIT/ Shefja e ISHP-së, Silva Bino me koronavirus, shtrohet në spital

Burime për Descript.al bëjnë me dije se shefja e ISHP-së, Silva Bino, është infektuar me …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

5 − 3 =