Home / Aktualitet / Europa dhe Kina kanë nevojë për njëra-tjetrën

Europa dhe Kina kanë nevojë për njëra-tjetrën

Nga Enver Bytyçi /

Prej pesë ditësh ministri i Jashtëm i RP të Kinës, Wang Yi, gjendet në Europë. Vizitën e tij ai e nisi me Romën dhe e përfundoi në Berlin. Një tur diplomatik që tërhoqi vëmendjen në botën politike, sepse ishte vizita e parë e kryediplomatit kinez pas pandemisë Covid-19 prej shkurtit të kaluar. Në axhendën e kësaj vizite ishin tri vendet më të fuqishme të BE-së, Gjermania, Franca dhe Italia, si dhe Hollanda e Norvegjia. Ndër këto vende, Gjermania dhe Italia kanë tashmë një lidhje dhe bashkëpunim të gjithanshëm ekonomik e tregtar me Kinën, ndërsa Franca dhe Hollanda duket se u bënë cak i vizitës për shkak të ndikimit politik që ato kanë në vendet e tjera të BE-së. Norvegjia u zgodh mesa duket për arsye specifike.

Synimet e këtij turi diplomatik ishin disa: Të dëshmohej se Kina është vendi më i suksesshshëm për mposhtjen e pandemisë së Covid-19 dhe se Europa mund të llogaritë në ndihmën e kontributin e Pekinit për këtë. Të forcojë konceptin politik të ekzistencës së një Kine të vetme, gjë që Wang Yi e arriti me shumë sukses, sidmos në Berlin. Të relativizojë krizën e ujgurëve dhe atë në Honkong! Dhe më e rëndësishmja, të vazhdojë e thellojë perspektivën e marrëdhënieve ekonomike e tregtare midis BE-së dhe Kinës!

Vizita e zotit Wang Yi u mbyll më një konferencë shtypi në Berlin, ku dy ministrat e Jashtëm, ai i RP të Kinës dhe i Gjermanisë, dhanë sinjale të qarta për të ardhmen e marrëdhënieve kino-europiane. Kryediplomati gjerman, duke kërkuar respektimin e të drejtave të ujgurëve dhe garanci në çeshtjen e ligjit për sigurinë në Honkong sipas parimit “një shtet, dy sisteme”, siguroi homologun e tij kinez se Gjermania nuk kërkon konflikt me Kinën për shkak të Tajvanit. Madje ai paralajmëroi presidentin e parlamentit të Çekisë për qëndrimet e tij anti-kineze e në mbështetje të ishullit të ndarë, duke shprehur kësisoj qëndrimin europian rreth kësaj teme. Heiko Maas, pavarësisht presionit të opozitarëve liberalë e të gjelbër, mbështeti fuqishëm konceptin e ekzistencës së një Kine të vetme dhe kjo nuk ishte pak për suksesin e homologut të tij, Wang Yi. Maas u duk i vendosur në këtë pikëpamje kur tha se “Ne nuk do t’i pranojmë më kërcënimet kundër këtij angazhimi”, duke paralajmëruar kësisoj kreun e parlamentit çek.

Vizita e kryediplomatit kinez dëshmoi gjithashtu se Europa dhe Kina kanë nevojë për njëri-tjetrin, sidomos kur është fjala për bashkëpunimin ekonomik e tregtar. Ekspertët gjermanë të ekonomisë e konsiderojnë vizitën e kryediplomatit kinez në Gjermani si një “udhëtim të suksesshëm për vazhdimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve”. Por edhe Italia ka tashmë një eksperiencë pozitive në këtë drejtim. Ndaj dhe në bisedimet kino-europiane të këtij turi u ra dakord për vazhdimin e dinamikës së kooperimit midis këtyre dy aktorëve të fuqishëm gjeopolitikë globalë. Ekonomia kineze tashmë është ekonomia e dytë më e fuqishme e globit. Ajo prodhon 21 përqind të të gjithë produktit të përgjithshëm shoqëror në botë, ndërkohë që Rusia prodhon vetëm 1.8 përqind të këtij produkti. Rritja ekonomike e saj, sipas njoftimit më të ri të Panelit Ekonomik të Kinës (CEP), megjithë frenimin e vet për shkak të pandemisë, do të jetë më e lartë se në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pritet që në harkun një vjeçar të arrijë kuotat e parapandemisë.

Nga pikëpamja gjeostrategjike ministri gjerman Heiko Maas u shpreh qartë për multilateralizëm, çka do të thotë se planeti ynë tashmë gjendet në një realitet të ri, me disa qendra të gravitetit gjeopolitik. Pikëpamja se bota e sotme është multipolare është para së gjithash pikëpamje e Kinës dhe në këtë aspekt, kësaj formule i bashkohet Bashkimi Europian, nëse kemi parasysh deklaratën e kryediplomatit gjerman në prani të kryediplomatit kinez, se “Europa nuk do t’i nënshtrohet asnjë presioni të ndonjë fuqie tjetër”. Kjo do të thotë se Europa si tërësi dhe Kina nuk kanë interesa strategjike të kundërta.

Në kushtet kur SHBA ka shtuar presionin ndaj Kinës dhe zvogëluar lidhjet gjeostrategjike me Bashkimin Europan, bashkëpunimi midis Kinës dhe BE-së merr një dimension të ri. Tregu kinez është shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për Europën e para së gjithash për Gjermaninë, investimet e së cilës në Kinë kapin shifra marramendëse prej miliarda eurosh. Ndërkaq angazhimi i Pekinit në iniciativat e përbashkëta me Bashkimin Europian dhe sidomos me vende të ndryshme, si Italia dhe ato të Europës Qendrore e Lindore, kanë marrë përparësi dhe përfshijnë shumë fusha të ekonomisë, teknologjisë, infrastrukturës, si dhe investime të tjera të rëndësishme.

Edhe në kushtet e pandemisë ekonomia kineze i ka rezistuar krizës dhe sipas ekspertëve ajo është e aftë të gjenerojë bashkëpunim të suksesshëm me partnerët europianë. TV gjerman ARD theksoi se vizita e shefit të diplomacisë kineze në Gjermani i shërben njëkohësisht disa nevojave afatshkurtëra të biznesit gjerman në Kinë, si psh lehtësimit të lëvizjes së komunitetit të biznesit e të ekspertëve gjermanë për në Kinë, lëvizje e cila është vështirësuar për shkak të Corona-19.

Lidhjet e ekonomisë dhe biznesit midis dy vendeve janë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër. Ato përcaktuan axhendën e vizitës së ministrit Wang Yi në vendet europiane, pavarësisht zhurmës që u bë sidomos në Francë rreth temave të tjera politike. Në kushtet kur bota vuan krizën e thellë ekonomike e financiare të shkaktuar nga Covid-19 nuk pritet që marrëdhëniet euro-kineze e sidomos ato gjermano-kineze e italo-kineze të dobësohen. Përkundrazi kjo vizitë dëshmoi se këto marrëdhënie do të forcohen edhe më tej në të ardhmen.

http://albanian.cri.cn/deep/more/3098/20200907/539357.html

Check Also

Meta: Planifikime të çmendura për kapje votash kanë nisur, përshkallëzimi i krizës politike bëhet edhe më kërcënues

Presidenti Ilir Meta ka ngritur në fokus shqetësimin në lidhje me situatën ekonomike në vend, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

13 + five =