Home / Kryesore / Etapë e re historike/ Kosova dhe Izraeli vendosin zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike

Etapë e re historike/ Kosova dhe Izraeli vendosin zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike

Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, formalizuan marrëdhënie diplomatike. Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.

Ministri izraelit, Ashkenazi e cilësoi nënshkrimin e këtij dokumenti si moment “historik”. “Sot po bëjmë histori. Po vendosim marrëdhënie diplomatike me Kosovën”, tha ai, teksa u adresua përmes platformës Zoom nga ministria në Jerusalem.

“Besoj se kjo është hera e parë që marrëdhëniet diplomatike po vendosen përmes platformës Zoom”, shtoi ai. Ministri izraelit falënderoi Shtetet e Bashkuara për ndihmën që i ka dhënë Izraelit për të vendosur marrëdhënie me shtetet që deri nuk ka pasur raporte diplomatike. “Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën është një hap i rëndësishëm”, theksoi.

Ndërkaq, minstrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Haradinaj-Stublla, tha se pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, vendosja e marrëdhënieve diplomatike nuk do të ishte e mundur.

“Vendosja e këtyre marrëdhënieve diplomatike nuk do të ishte e mundur pa bekimin dhe ndihmën e SHBA-së”, tha Haradinaj-Stublla.

“Kosova ka pritur për një kohë të gjatë që të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin. Sot, Izraeli bëhet shteti i 117 që e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Njerëzit tanë kanë marrëdhënie miqësore dhe nga sot ne nisim marrëdhënie si dy shtete”, shtoi ajo.

“Të udhëhequr nga vullneti i përbashkët për të promovuar dhe forcuar lidhjet miqësore, si dhe për të zgjeruar horizontet e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe bazuar në parimet universale të ligjit ndërkombëtar; duke riafirmuar përkushtimin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin e frytshëm në sferën politike, ekonomike, të tregtisë, teknike e kulturore dhe në sfera të tjera të interesit të përbashkët, (Kosova dhe Izraeli) kanë vendosur që të themelojnë marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh”, thuhet në dokumentin të cilin e nënshkruan kryediplomatët e Kosovës dhe Izraelit.

Dokumenti i nënshkruar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike u nënshkrua në katër kopje: në gjuhën shqipe, angleze, hebreje dhe serbe.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Matthew Palmer.

Në dokument po ashtu thuhet se aspektet teknike të këtij vendimi, përfshirë edhe akreditimin e ambasadorëve respektivë “do të jenë objekt i diskutimeve të mëtejme përmes kanaleve normale diplomatike”.

Ambasadorja e Kosovës në Izrael do të jetë Ines Demiri, e cila më 2020 ishte emëruar e ngarkuar me punë në po këtë shtet.

Dy ministritë po ashtu nënshkruan memorandum për konsultime politike dhe memorandum për bashkëpunim zhvillimor. Që të dy këto memorandume ishin të shkruara në gjuhën angleze.

Ndërkaq, zyrtarët e Ministrisë së Jashtme kanë thënë se kjo ngjarje do të jetë historike, pasi për herë të parë dy shtete vendosin marrëdhënie përmes platformave virtuale.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka mirëpritur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit.

“Marrëdhëniet ndërmjet dy popujve tanë kanë qenë historikisht të fuqishme e të bazuara në solidaritet dhe miqësi. Akti i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike hap rrugën për thellimin e bashkëpunimit dypalësh ndërinstitucional si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët”, tha Osmani përmes një deklarate për media./ ERL

Check Also

Qeveria Britanike i konfirmon Dhomës Britanike të Tregtisë në Shqipëri mbështetjen me vaksina për vendet e Ballkanit perëndimor(DOKUMENTI)

Anëtarja e Parlamentit britanik Wendy Morton, njëherazi edhe Ministre për Fqinjësinë Europiane, i është përgjigjur …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

4 × five =