Home / Kryesore / “Është koha t’i kthehet shpina Erdoganit”

“Është koha t’i kthehet shpina Erdoganit”

Kjo mund të jetë mënyra më e mirë për të riparuar marrëdhëniet në planin afatgjatë, ka vlerësuar Nicholas Danforth, anëtar i lartë në Fondin Gjerman, Marshall

Nëse, sikur preferojnë të sugjerojnë vrojtuesit, raportet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë të kujtojnë një prishje të paralajmëruar treni, lajmi i mirë është se trenat kanë lëvizur më ngadalë sesa që ishte pritur, vlerëson Nicholas Danforth, anëtar i lartë në Fondin Gjerman, Marshall, në një analizë të gjatë për revistën politike “Foreign Policy”.

Në shkrimin me titulli “Është koha që Erdoganit t’i kthehet shpina”, Danforth kujton se lajmi i keq është se dy vendet po vazhdojnë të jenë në të njëjtët binarë.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, po shihet nga mbarë bota si një lider që do të fillojë një kapitull të ri në marrëdhëniet e SHBA-së me shtetet aleate, por edhe me ato që kanë acaruar marrëdhëniet për shkak të interesave të ndryshme për çështje të ndryshme.

Të detyruar të bashkëpunojnë

Danforth ka vlerësuar se sfida më e madhe për Bidenin do të jetë minimizimi i dëmit që Turqia mund t’u bëjë interesave amerikane pa nxitur konflikte të reja, ose pa mbyllur mundësinë e bashkëpunimit të ardhshëm.

“Puna e tij duhet të fillojë me njohjen se Washingtoni nuk mund ta shpëtojë i vetëm aleancën turko-amerikane, e as Erdogani nuk do të ofrojë ndonjëherë ndonjë rivënie të vërtetë e të qëndrueshme – pavarësisht se sa herë mund të duket se po e bën këtë”, shkruan ai. “Shtetet e Bashkuara dhe Turqia do të vazhdojnë të punojë për qëllimet që iu ndërthuren dhe do të ketë më shumë kriza. Nëse të gjithë janë me fat, do të ketë edhe periudha të shtyrjes së afateve dhe njëfarë përparimi në fusha të interesit të përbashkët”.

Danforth vlerëson se politika e jashtme amerikane do të jetë e lidhur nyjshëm edhe me zhvillimet e brendshme politike në Turqi. Qeveria turke është akuzuar vazhdimisht nga organizatat ndërkombëtare për monitorimin e të drejtave të njeriut, por edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë dhe nga Bashkimi Evropian se nuk po i respekton të drejtat elementare të njeriut. Turqia ka ndërmarrë pas puçit të dështuar një mori masash represive kundër qindra mijëra nëpunësve, ushtarakëve, policëve e gazetarëve, duke i akuzuar se ishin bashkëpunëtorë të një përpjekjeje, sikur insiston Ankaraja, të imamit Fethullah Gulen, i cili ndodhet në ekzil të vetëshpallur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Imami me ndikim i ka hedhur poshtë akuzat se kishte gisht në zhvillimet e brendshme politike të Turqisë.

Përplasjet e jashtme për hesape të brendshme

“Do të jetë pothuajse e pamundshme që të bashkëpunohet me Turqinë kur Qeveria turke i sheh Shtetet e Bashkuara si kërcënim, dhe do të jetë e vështirë të përkrahet demokracia turke kur edhe shumica e opozitës së Turqisë konsiderohet e ngjashme”, shkruan eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare në revistën prestigjioze amerikane.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vënë sanksione Turqisë për shkak të blerjes së sistemit raketor të mbrojtjes nga Rusia. Ankaraja ka ngulmuar se si anëtare e NATO-s nuk ka kryer kurrfarë shkeljeje të parimeve të aleancës me blerjen e sistemit rus S-400.

“Një numër shpjegimesh janë ofruar për atë se pse Turqia ka treguar qasje më luftarake kundrejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj perëndimorë në vitet e fundit”, ka shkruar Danforth, duke shpjeguar se disa analistë kanë spikatur dobitë e politikës së brendshme që burojnë prej qëndrimit antiperëndimor të Erdoganit, sidomos tani që është në koalicion qeveritar me partinë ultranacionaliste turke. E të tjerët kanë theksuar rolin e ideologjisë islamike dhe aspiratat për lidership të Erdoganit në botën myslimane.

“Megjithatë, ka disa të tjerë që theksojnë një seri zemërimesh specifike turke, si përkrahja e Uashingtonit për luftëtarët kurdë sirianë, ose refuzimi amerikan për të ekstraduar predikuesin Fethullah Gulen në Turqi, dhe argumentuan se kjo shpjegon ose justifikon armiqësinë turke”.

Erdogani luan me dy karta

Turqia e Erdoganit është akuzuar se po ndjek politikë të jashtme neo-osmane, me të cilën po mundohet të kthejë ndikimin në territoret që dikur ishin nën kontrollin e Perandorisë Osmane, prej rrënojave të së cilës doli Turqia pas Luftës së Parë Botërore, që prishi edhe perandori të tjera. Analistët turq, proqeveritarë në qasje, thonë se fuqitë perëndimore janë alarmuar prej politikës së jashtme turke për shkak se i druajnë ngritjes së saj. “Dhe meqë fuqia e Perëndimit është në rënie dhe bota po bëhet përherë e më multipolare, ata besojnë njashtu se Turqia mund të përdorë fuqinë e ashpër dhe bashkëpunimin selektiv me Rusinë për të rishkruar rregullat e lojës në favor të saj”, shkruan Danforth.

Ai kujton se kjo qasje ndaj botës është e njohur në mesin e votuesve të Erdoganit dhe se përkon me supozimet ideologjike të presidentit të tyre. Danforth shkruan se mbështetësit e Erdoganit mendojnë se kjo logjikë tashmë ka marrë edhe vlerësim ndërkombëtar, saqë është e vështirë të diskreditohet.

Përplasjet e vazhdueshme të Ankarasë me aleatët do të rrisin presionin mbi politikanët perëndimorë për të pasur një kundërpërgjigje më të vendosur ndaj Erdoganit. “Por kjo kërkon edhe mbajtjen e derës hapur për Ankaranë nëse ajo vendos. Me fjalë tjera, politikëbërësit nuk duhet të hidhen pas secilës deklaratë pajtuese nga Erdogani, ose ta shohin ofertën e tij të rivënies së raporteve si arsye për t’i bërë Ankarasë koncesione”.

Bashkëpunimi i (pa)mundshëm

Në verën e kaluar qarkulloi një video në të cilën shihej Bideni në një bisedë të mëhershme me redaktorët e “New York Times”, duke bërë thirrje që Amerika të mishërohet me ata që brenda Turqisë po punonin për ta rrëzuar Erdoganin nëpërmjet procesit zgjedhor. “Dhe pothuajse po aq shpejt sa Erdogani, liderët e opozitës u hodhën për t’i dënuar komentet e Bidenit. “ata denoncuan ndërhyrjen amerikane në çështje të brendshme të Turqisë dhe ngulmuan se nuk do të bëheshin pjesë e lojës imperialiste të Washingtonit”, kujton Danforth në analizën e tij në “Foreign Policy Magazine”.

Ai shkruan se ky reagim tregon për ndarjen e thellë në mesin e opozitës nacionaliste të Turqisë lidhur me mënyrën e ndihmës që mund të vijë nga Shtetet e Bashkuara për Turqinë. “Duke ngulmuar se “Turqia është më e madhe se Erdogani”, shumë kundërshtarë të Erdoganit kanë argumentuar se fuqitë perëndimore nuk duhet ta ndëshkojnë krejt Turqinë për shkak të zemërimit të tyre kundër burrit në krye. Ata pretendojnë se për të shmangur humbjen e pesëdhjetë për qind të Turqisë që e urrejnë Erdoganin, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet t’i ofrojnë Turqisë mundësi të përmirësuara tregtare në vend të sanksioneve, njëherësh të punojnë për akomodimin e shqetësimeve të përbashkëta turke për Lëvizjen Gulen, YPG-në, dhe Mesdheun lindor”.

Danforth thotë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dënuar për bashkëpunim me regjime autoritare në Lindje të Mesme. Presidenti Donald Trump vetëm sa e thelloi këtë politikë, duke “akomoduar autoritarizmin e Erdoganit dhe për mosshpërblimin e kurrfarë bashkëpunimi në këmbim”. Danforth vlerëson se nuk mund të “bashkëpunoni me një regjim autoritar që kundërshton bashkëpunimin me ju”.

Check Also

Opozitarizmi po merr fuqi në Rusi

Nga Sebastian ZONJA- Bashkëopozitarët e Alexei Navalnyt në Rusi, i cili përballet me akuza që …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

17 − thirteen =