Home / Editorial / ËSHTË KOHA PËR T’U DISTANCUAR NGA AVENTURIERËT E RREZIKSHËM POLITIK

ËSHTË KOHA PËR T’U DISTANCUAR NGA AVENTURIERËT E RREZIKSHËM POLITIK

Nga Erion DASHO * –

Në përpjekje për t’u kapur pas pushtetit me çdo kusht dhe duke e bazuar këtë kryesisht tek vaksinimi anti-COVID, Edi Rama dhe pasuesit e vet po u bëjnë dëmin e fundit të madh shqiptarëve, po u premtojnë një verë normale bazuar në imunizimin me një milion vaksinat kineze të “CoronaVac”.  A është e mundur kjo?  Absolutisht JO dhe ja përse:

Le të supozojmë se brenda 15 majit, Ministria e Shëndetësisë do të kapërcejë paaftësinë e vet dhe do të arrijë të administrojë vaksinën “CoronaVac” tek 500 mijë shqiptarë.

Vaksina vlerësohet se është rreth 50% efektive, por ndoshta edhe më pak tashmë që në vend qarkullon varianti britanik i SARS-CoV-2!  Pra, në Shqipëri do të ketë 250 mijë persona të vaksinuar të mbrojtur dhe 250 mijë persona të vaksinuar, por të pambrojtur, të cilët mund të infektohen dhe të përhapin virusin.

Kompania kineze pretendon se këta persona ndonëse preken prej COVID-it, nuk zhvillojnë forma të rënda të sëmundjes, por kjo është thjesht deklarata e tyre, e paverifikuar nga EMA, FDA apo agjenci të tjera të besueshme!

Në çdo rast, personat e vaksinuar por të pambrojtur e cënojnë imunitetin e grupit, pasi marrin pjesë në transmetimin e sëmundjes si hallka të dobëta të zinxhirit!

Pra në maj, Shqipëria, sipas Ramës, do të ketë rreth 500 mijë persona të vaksinuar, por vetëm 250 mijë prej tyre të mbrojtur.  Do të ketë edhe persona që kanë fituar imunitet natyral për shkak se kanë kaluar COVID-in, por situata edhe në këtë rast është e paqartë. Pasi ende nuk dihet me siguri se sa zgjat imuniteti pas infeksionit dhe se sa të mbron ai kundër varianteve të rinj të virusit.

Situata që shpresohet të arrihet në fund të majit në Shqipëri është larg imunitetit të grupit që kërkon një “verë e qetë” dhe një “turizëm me kufij të hapur”!

Një verë të tillë nuk po e garantojnë dot Izraeli dhe Britania e Madhe të cilët do të kenë vaksinuar shumë më tepër njerëz (Izraeli pritet 100% të popullatës me vaksina 95% të efektshme!)

Me çfarë përgjegjshmërie e garanton Edi Rama verën e sigurt, kur ai do të ketë vaksinuar në verë vetëm 20% të popullsisë, pjesa dërrmuese e të cilëve me një vaksinë 50% të efektshme??!!

Në foto: Çadrat ku po kryhet vaksinimi me vaksinën kineze.

Pasi i mashtruan një vit rresht shqiptarët, duke u thënë se nuk kanë nevojë për teste, pasi ju premtuan rimbursim të trajtimit, por i gënjyen me vitamina, pasi fshehën çdo shifër të infektuarish madje edhe të vdekurish, pasi i lanë njerëzit të vdisnin në shtëpi duke shkaktuar një katastrofë me mbi 9,000 viktima, pasi i detyruan familjarët e fatkeqëve të blinin ajër në tregun e zi, Rama dhe të tijët po luajnë këto ditë aktin e fundit të tragjedisë së COVID!  Po u ofrojnë shqiptarëve një iluzion që mund të shkaktojë të tjera vdekje!

Një pyetje e vetme mjafton për të nxjerrë zbuluar mashtrimin e Edi Ramës dhe kjo është: Nëse vaksinimi i 20% të popullsisë me vaksinën kineze garanton verë “normale”, përse Britania e Madhe, që sot ka vaksinuar mbi 50% të popullsisë me vaksina shumë më të efektshme, ka ende masa kufizuese, vazhdon programin e testimit dhe gjithë grupin tjetër të masave anti-COVID?!

Nëse antarët e komitetit të të ashtuquajturve ekspertë dhe antarët e Komitetit të Imunizimit kanë ende një grimcë etikë dhe profesionalizëm, sot është koha për të folur dhe për të sqaruar shqiptarët për atë që po ndodh dhe atë që pritet!

Është koha për të marrë masa serioze kundër COVID-it, përndryshe ardhja dhe përhapja e varianteve të ndryshuara të virusit rrezikon të shkaktojë tragjedi dhe katastrofa të reja shëndetësore.

Kolegë! Koha për të folur dhe për t’u distancuar nga këta aventurierë të rrezikshëm politik është sot!

*  Autori shërben në Kompaninë “Partner”, si Drejtor për Shëndetin Dixhital dhe Inovacionet, në Frankfurt të Gjermanisë.

Check Also

Fantazmat e lëvizjeve të kufijve aviten përsëri në Ballkan

Nga Akri  ÇIPA –   Fantazmat e lëvizjeve të kufijve aviten përsëri në Ballkan. Më …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

4 + 14 =