Home / Bota / Erdogan, lideri turk me grusht të çeliktë, bëhet zë me ndikim në skenën botërore

Erdogan, lideri turk me grusht të çeliktë, bëhet zë me ndikim në skenën botërore

Ai paraqitet si zëri i myslimanëve kudo që janë dhe i jugut botëror.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pëlqen të arrijë te pika pa humbur shumë kohë. Të tjerët mund të mendojnë se mosmarrëveshja shumëpalëshe mbi ujërat territorial, e po ashtu mbi hidrokarburet në Mesdheun lindor, që e kanë sjellë Turqinë afër luftës me Greqinë, është e komplikuar, shkruan “The Economist”.

Por për liderin e Turqisë, është thjeshtë një “shembull i kolonizimit modern” nga shtetet evropiane, siç e ceku në një fjalim më 1 shtator.

“Epoka e atyre që me shekuj nuk e kanë lënë asnjë rajon pa eksploatuar nga Afrika deri në Amerikë të Jugut, nuk e kanë lënë asnjë komunitet pa masakruar dhe asnjë qenie njerëzore të pa shtypur, po mbaron”, tha Erdogan.

Erdogani ka protestuar prej kohësh kundër Perëndimit për të nxitur mbështetjen patriotike në vendlindje. Tani, ai po i drejtohet gjithnjë e më tepër audiencës botërore, po ashtu. Pasi ka dështuar të riformësojë Lindjen e Mesme pas pranverës arabe, Erdogan po shikon diku tjetër për madhështi. Ai po përpiqet të rishpikë veten si zëri i ummës (i myslimanëve kudo) dhe po ashtu i të varfërve në botë.

Angazhimet e tij deri më tash kanë qenë kryesisht të fokusuara në Evropë. Turqia tradicionalisht e sheh veten si mbrojtëse e turqve etnik në shtetet si Francë, Belgjikë e Gjermani.

Së fundi, Erdogan ka nisur të mendojë për më tepër.

“Turqia po mundohet të pozicionojë veten si mbrojtëse kryesore e gjithë myslimanëve”, ka thënë Sinem Adar, një hulumtues në Institutin Gjerman për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

Politikat kanë funksionuar tashmë në Ballkan, ku Turqia ka garuar kundër parave të Gjirit Persik, për simpatinë e boshnjakëve, shqiptarëve dhe kosovarëve, por është relativisht e re në vendet tjera.

Një pjesë e madhe e shtrirjes së re është fushata e Turqisë në gjithë botën kundër islamofobisë, për të cilën qeveria e Erdoganit ka mobilizuar misione të huaja, agjenci ndihme, grupe lobimi dhe po ashtu akademikë miqësorë.

Konsulatave turke i është kërkuar të inkurajojnë myslimanët të raportojnë te to për çdo instancë të paragjykimit apo abuzimit. (Turqia i kushton më pak vëmendje abuzimeve në Kinë, ku miliona myslimanë ujgurë janë mbyllur në kampe dhe shumë janë sterilizuar).

Paragjykimi ndaj myslimanëve është problem serioz në Evropë. Por kritikët dyshojnë se fushata e Erdoganit ka për qëllim të provokojë pakënaqësi ndaj qeverive perëndimore dhe të legjitimojë synimet e politikës së tij të jashtme. Të tjerët frikësohen për implikimet për lirinë e të shprehurit.

“Islamofobia”, thotë Samim Akgonul, një akademi në Universitetin e Strasbourgbut, “po përdoret nga Turqia si mburojë për të ndaluar dhe evituar gjitha diskurset kritike ndaj islamit në botën akademike dhe në media”.

Turqia po kërkon gjithashtu myslimanët dhe afro-amerikanët në Amerikë. Fushata ka përfshirë të zakonshmen – Erdogan ka hapur një qendër islamike afër Washingtonit – dhe të pazakonshmen.

Një fondacion në bordin e të cilit është drejtoreshë një nga vajzat e tij, së fundi ka blerë pronën e Muhammad Alisë në Chicago, boksierit kampion të peshës së rëndë, për 3 milionë dollarë. Planifikon këtë pronë ta kthejë në shkollë verore për myslimanët.

Disa vjet më parë Erdogan ishte takuar me vajzat e Malcolm X, një myslimanë me ngjyrë dhe kështu një hero tjetër; një vajzë raportohet se tha se i forti i Turqisë mishëronte trashëgiminë e babait të saj të ndjerë.

Pak më vonë, Turqia e riemërtoi një rrugë afër ambasadës së re të SHBA-së në Ankara, si “Malcolm X Avenue”.

Por jo gjithçka ka shkuar sipas planit. Erdogan u desh të anulonte udhëtimin për në funeralin e Alisë në vitin 2016, pasi mësoi se ai nuk do të lejohet të flasë. Dhe kur ai dënoi vrasjen e afro-amerikanit George Floyd, duke e quajtur vdekjen e tij në një postim në Twitter si “një nga manifestimet më të dhimbshme të rendit të padrejtë”, një grup socialist afro-amerikan i tha atij që të shoh punët e veta.

Analistët me kujdes thonë se mesazhi i tij mund të rezonojë më mirë nëse Qeveria e tij ndalon arrestimin e mijërave personave me akuza për terrorizëm dhe po ashtu heqjen e të drejtës të milionave kurdëve duke mbyllur liderët e tyre të zgjedhur.

Por asnjë nga këto nuk ka zbehur ambiciet globale të Erdoganit. Presidenti i Turqisë duket se vërtetë e sheh veten jo vetëm si zëri i gjithë myslimanëve, por edhe gjithë jugut në botë. Në rizgjedhjen e tij në vitin 2018, ai ka thënë, se ishte fitore për gjithë “njerëzit e pikëlluar në rajonin tonë, gjithë të shtypurit në botë”. Ai sigurisht se mund të marrë merita për rritjen e shpenzimeve për ndihma humanitare, duke investuar shifra të mëdha në Somalinë e varfër, duke kundërshtuar rrethimin e Kashmirit nga India dhe duke pritur gati 4 milionë refugjatë nga Siria fqinje. Por kjo fushatë e tij e ka çuar atë në vende të çuditshme.

Erdogan ka mbështetur regjimin shtypës të Nicolas Maduros në Venezuelë, një marrëdhënie e mbështetur nga qindëra miliona dollarë në tregti të arit, dhe po ashtu ish-presidentin gjenocidal të Sudanit, Omar al-Bashir.

Muajin e kaluar ai e uroi Alexander Lukashenkon, diktatorin bjellorus, për “fitoren” e tij në zgjedhjet e kurdisura presidenciale.

Ofensiva e tij ka pasur ca suksese. Erodgan gëzon popullaritet në cepet në Afrikë dhe Azi. Rreth 75 për qind e palestinezëve dhe po ashtu një për qindje afërsisht e njëjtë e jordanezëve aprovojnë politikat e tij, sipas një ankete të publikuar vitin e kaluar.

Popullariteti i tij në Pakistan është aq i madh sa kryeministri i Pakistanit, Imrah Khan, në shaka më herët këtë vit ka thënë se Erdogan lehtësisht do të mund të fitonte zgjedhjet e ardhshme në Pakistan.

Një dëshmi anekdotale, thotë Akgonul, që sugjeron se ai mund të jetë edhe politikani mysliman më i popullarizuar në mesin e të rinjëve arabë në Evropë.

Lideri i Turqisë dhe bashkëpunëtorët e tij duket se janë të bindur se rendi i vjetër botëror po prishet dhe po shikojnë për një rol në rendin e ri. Përqafimi i tij i periferisë globale është plotë me kontradikta dhe hipokrizi, duke e bërë atë më shumë promovim sesa substancë. Por është këtu për të qëndruar./KOHA.net/

Check Also

DW: Rama në Berlin, nuk pritet nga Merkel, as nga drejtuesit e CDU

Ndryshe nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria nuk e ka të sigurt, se do të marrë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

fifteen − 1 =