Home / Kryesore / EMRI “SHQIPËRI” NË VARGJET E LEFTER ÇIPËS

EMRI “SHQIPËRI” NË VARGJET E LEFTER ÇIPËS

Nga Idajet JAHAJ –

Në një varg ai thotë: “Dheun tim përsipër mbaj”. Këtë e ka vendosur edhe titull të një libri me poezi. Kjo fjali metaforike flet shumë. Është e pleksur me metoniminë. “Dheu” është Atdheu, Mëmëdheu, Shqipëria. Me gjithçka që ka mbi e nën tokë. Lefteri është nga patriotët më të ndjeshëm. Ky dhé e bën atë krenar, e përndrit, e frymëzon, e mrekullon. Këtë mesazh e përcjell në sa e sa vargje, me ngrohtësi e lëbyrje drite shpirtërore. Ka frymë Rilindësi në vjershat e tij. Motivi atdhetar është nga më kryesorët. Ai i del vetvetiu, si ujët e një gurre të pashtershme.

Sa e sa maksima e fjalë të urta poetike i ka thurur ai këtij vendi, këtij guri, këtij dheu! Ka kënduar për historinë e tij, burrat e Rilindjes, epopenë Çlirimtare, heronjtë, trimat e pushkës e të penës. Dhe gjithnjë me lirizmin e tij karakteristik. Naimit i ka kënduar më shumë nga të gjithë. E “ka qarë” vargun për ‘të, siç thuhet në popull. Le të dëgjojmë tingëllimën e disa prej vargjeve të tij për këtë krye-motiv- atdhetarinë.

Në shkurtesën më të madhe të vargjeve ai jep një inkadeshencë të rrallë poetike:

Shqipëri,
ç’ bukuri ke;
Si flori
në kadife !

Sikur i ndan në rrokje fjalët, zërin e melodinë, për të theksuar mesazhin. Mahninë. (Është trajtuar më lart). Brilantina lirike, rimuese, tonalizuese, kumbon si një zile… Si erë mendore flladit meditimin.
I kushton Shqipërisë cilësorë dy-pjesësh: ballëhapur, dritë flamuri, gur xhevahiri, ballë-shkruar, ballë-krenare, një pëllëmbë, kryelartë, flakë dyfeku, e të tjerë. A kish mundësi t’i zgjeronte edhe më tepër këto epitete të përbërë, për të shprehur emocionin për atdheun hyjnor? Prandaj vazhdon me metaforë-epitete të ndara: Mëma Shqipëri, mali me këngë, shqiponjë e shkruar, diell me dritë, e të tjera. Strofa vezullon:

Shqipëria- një pëllëmbë,
E vogël, po përmbi shoqe;
Është, do jetë e ka qënë
Kryelartë e lavdiplote.

Shqipëri, moj ballë-hapur,
Nëpër vetëtima rritur.

Pa trima shekujve s’ mbete.

Dhe, sikur të mos mjaftonin epitetet e metaforat e shumta, të thurura me rrezet e zemrës, poeti thërret në ndihmë thirrorët, si për ta dëgjuar më larg, e gjithë bota, madhështinë e këtij dheu:

O ti, Atdheu stërrall,
Varret me gurë të bardhë.

“Gurë të bardhë”- duket thjesht si ngjyrë, por jo, është faqja e bardhë e heronjve të shumtë të kësaj toke nëpër dallgët e shekujve.

Toka ime, nënë e shtrenjtë,
Jetë e gjak i kam për Ty.

Përkushtim e betim atdhetari të flaktë.

O moj Shqipëria ime,
Që më mbajte e më rrite.

Më poshtë ndërron vendin e fjalëve e të figurave, për të nënvizuar më shumë dhembshurinë:

Shqipëri, e shtrenjta mëmë,
…O Atdhe, i dashur Atdhe
Të kam at’ e djalë më ke.

Drita naimiane duket se ka ndikuar: “Shqipëri, të qofsha falë”. Sonda e poetit tonë futet në histori:
Nëpër shekuj, në karvane,
Nëpër male bishte-bishte;
Në mërgime e nizame
E lëçisje gjuhën shqipe.

Realitet i trishtë, por mbijetesë heroike.

Ne kemi diell mbi gjokse,
Gjoksi ynë përmbi tallaze;
O populli im, nuk u lodhe,
Flamurin në dorë e mbajte.

Poeti futet edhe në kozmogoni dhe aty, që në prehistori, gjen fillesat e gjuhës shqipe. Ajo është diamanti filologjik i botës së gjuhëve. Lefteri skalit vargje edhe në këtë drejtim.

… Po i flas diellit shqip.

Gjuha shqipe – ëngjëllore
Është dritë e Perëndisë;

Gjuhë e shpirtit, gjak’ i këngës.

Zeusi këtë gjuhë fliste
kur ndiz’ e shkrepte rrufetë …

Vargjet sjellin krenari e ngazëllim për vlerat ekzistenciale të këtij kombi. Prandaj gjuha shqipe, për poetin, është një rreze e Gjithësisë, e religjionit dhe Universit njerëzor.

Jemi komb që na do zoti,
Zoti shqip botës i foli;
Diell’ i kupës qiellore,
Zbriti, ndenji me ne pranë.

Dhe, si përfundim ekzistencial, nënvizon, jo pa një mburrje të ligjshme:

Se një shqipe ka Evropa !

Edhe në një varg të shkurtër poeti Lefter ndriçon mesazhin atdhetar. Ai thërret, këshillon, shpreh dëshira, bën betime, por i vesh ato me sa më shumë figura, të ndriçuara nga emri “Shqipëri”.

Ta duam kombin si jetën,

Kokën ma do Shqipëria;
Jemi komb nga mjalti i bletës;

Shqipëri, historinë tënde,
Me gjak të zemrës e pikse…

E të tjera, e të tjera. Vargjet shpesh i skalit si maksima cilësore. I mbrun me ndjenjën e zemrës e i zbukuron me varakun e penës. Shumë herë ndërton strofa të një cilësie shumë të lartë, si te vjersha- himn “Shqipëri, shqiponjë e shkruar” e shumë të tjera. Dhe, midis dhjetëra thënieve të vargëzuara, ndrit ajo- njëra prej tyre, e cila bart tërë mesazhin:

Kokën ma do Shqipëria !

Check Also

Fantazmat e lëvizjeve të kufijve aviten përsëri në Ballkan

Nga Akri  ÇIPA –   Fantazmat e lëvizjeve të kufijve aviten përsëri në Ballkan. Më …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

20 − two =