Home / Aktualitet / Emërohet shefi i ri i Agjencisë së Zbulimit në Kosovë

Emërohet shefi i ri i Agjencisë së Zbulimit në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, emëruan të enjten Petrit Ajetin në postin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Zbulimit të Kosovës.

Në një njoftim të zyrës së presidentes Osmani thuhet mes tjerash se shefi i ri i kësaj agjencie i lindur në tetor të vitit 1981 është i specializuar në disa programe ndërkombëtare në kuadër të zhvillimit profesional në fushën e Sigurisë dhe ka një përvojë pune 15 vjeçare në institucionet publike dhe private në fushën e sigurisë.

Petrit Ajeti është shefi i gjashtë me radhë i Agjencisë së Zbulimit të Kosovës dhe pason në këtë post ish shefin e kësaj agjencie, Kreshnik Gashi, i cili në dhjetor të vitit të kaluar u shkarkua nga detyra.

Vendimi atëbotë pasoi pretendimet se një inspektor i agjencisë kishte provuar të marrë disa dokumente nga kasaforta e presidencës më 6 nëntor 2020, një ditë pas dorëheqjes së ish presidentit Hashim Thaçi, cili ndodhet në Hagë për t’u përballur me akuzat për krime luftë dhe krime kundër njerëzimit.

Kosovë, shkarkohet shefi i Agjencisë së Zbulimit

Përpjekja, sipas zyrtarëve të presidencës, thuhet të jetë bërë në praninë e tashmë ish sekretarit të zyrës së presidentit, Driton Gashi, i cili më herët kishte shërbyer si drejtor i Agjencisë së Zbulimit.

Driton Gashi, ishte shkarkuar nga posti i shefit të Agjencisë së Zbulimit më 30 mars të vitit 2018 pas arrestimit dhe dëbimit atëbotë të gjashtë shtetasve turq, që kërkoheshin nga Ankaraja.

Në shkurt të këtij viti, Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti akuzë ndaj zotit Gashi dhe dy zyrtarëve të lartë të policisë për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “privim i kundërligjshëm nga liria”, në lidhje me arrestimin dhe dëbimin e shtetasve turq.

Kosovë: Tre të akuzuar në lidhje me dëbimin e shtetasve turq tre vjet më parë

Ai u pasua në atë post nga Shpend Magjuni, i cili dha dorëheqje më 6 nëntor të vitit 2019 dhe u pasua nga Kreshnik Gashi, i cili u emërua në atë post më 25 nëntor të atij viti.

Agjencia e Zbulimit u themelua pas pavarësisë së Kosovës, e cila u shpall në shkurt të vitit 2008. Tre prej shefave të saj dhanë dorëheqje ndërsa dy u shkarkuan duke bërë që asnjëri të mos përmbushë mandatin deri në fund./VOA

Check Also

Vrasja e Mehmet Qemës nxjerr në dritë krime të tjera/ Çfarë zbuloi Policia në magazinën e viktimës

Disa ditë pas vrasjes së 27 vjeçarit Mehmet Qema në zonën e 5 majit në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

3 × 2 =