Home / Bota / Elez Biberaj lë drejtimin e VOA, ja kush emërohet në vend të tij

Elez Biberaj lë drejtimin e VOA, ja kush emërohet në vend të tij

Shefi ekzekutiv i Agjencisë Amerikane për Mediat Globale (USAGM) Michael Pack emëroi zotin Robert Reilly si drejtor të ri të VOA, ndërkohë që Drejtori i Përkohshëm Elez Biberaj tha se do të kthehet në pozicionin e tij të mëparshëm, si kreu i departamentit të Euroazisë.

Zoti Biberaj, i cili u emërua drejtor i përkohshëm i Zërit të Amerikës në qershor, i dërgoi një email stafit të martën vonë, duke thënë se koha e qëndrimit të tij në këtë pozicion po përfundon dhe se ai i uron drejtorit të ri suksese në përmbushjen e misionit të Zërit të Amerikës.

Elez Biberaj
Elez Biberaj

USAGM njoftoi të mërkurën se Robert Reilly, autor dhe diplomat, i cili ka punuar në VOA mes viteve 2001 dhe 2002 është emëruar drejtor i ri i VOA. Zoti Reilly është shprehur publikisht në mbështetje të kreut të USAGM, Pack.

Muajin e kaluar një gjyqtar federal tha se disa nga vendimet e zotit Pack si kreu i USAGM shkelnin të drejtat e Amendamentit të Parë të Kushtetutës, që gëzojnë gazetarët. Gjyqtari urdhëroi zotin Pack të ndalte ndërhyrjen në mbulimin e lajmeve të Zërit të Amerikës si dhe kryerjen e hetimeve mbi gazetarët e saj. Megjithatë zoti Pack ruan kompetencën për të zgjedhur një drejtor të ri të Zërit të Amerikës.

Në emailin e tij për stafin, zoti Biberaj shkruante se “gjashtë muajt e fundit kanë qenë periudha më sfiduese në historinë e kohëve të fundit të Zërit të Amerikës”. Ai thekson se “disa zyrtarë të USAGM nuk respektuan rregullat, protokollet dhe proceset, që unë i konsideroj të paprekshme”, duke shtuar se “përpjekjet për të shkelur pavarësinë e gazetarëve të Zërit të Amerikës kërcënuan të minonin besueshmërinë tonë të fituar me shumë punë”, por pa hyrë në detaje.

Zoti Biberaj njoftoi se do të kthehet në pozicionin e tij të mëparshëm si drejtor i Sektorit të Euroazisë të Zërit të Amerikës.

Michael Pack
Michael Pack

Presidenti Donald Trump e emëroi zotin Michael Pack si kreun ekzekutiv të USAGM më shumë se dy vjet më parë, por Senati nuk pranoi ta shqyrtonte kandidaturën e tij, deri në qershor të këtij viti. Agjencia Amerikane për Mediat Globale mbikëqyr Zërin e Amerikës, Radion Azia e Lirë, Radion Evropa e Lirë dhe transmetuesit e tjerë ndërkombëtarë të financuar nga SHBA.

Check Also

RENEA aksion blic gjatë natës në Nikël, kryen kontrolle

RENEA ka zhvilluar një operacion blic gjatë mbrëmjes së djeshme në zonën e Niklës, ku …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

fifteen − 6 =