Home / Bota / Ekspozita si stacion i rrugës së gjatë planifikuese!

Ekspozita si stacion i rrugës së gjatë planifikuese!

Aleksandër Cipa

Sikurse është reflektuar gjatë muajve të fundit, pandemia COVID-19 nuk është një sfidë vetëm në aspektin shëndetësor, por ka prekur gjerësisht dhe fushat e tjera të shoqërive tona, ku spikat ekonomia. Shtete të ndryshme janë të ndërgjegjshme për nevojën e rikthimit të aktiviteteve ekonomike me qëllim rimëkëmbjen e ekonomisë. Një pjesë e madhe e shteteve në botë janë të mëdyshur ndërmjet luftës me koronavirusin dhe përpjekjeve për të rikthyer normalitetin ekonomik. Kina është një nga vendet që nuk bën pjesë në këtë grup. Pavarësisht origjinës, virusi u vu nën kontroll shumë herët dhe krejt ndryshe nga shumë vende në botë, Kina iu rikthye relativisht shpejt gjendjes së normalitetit, si në pikëpamjen sociale dhe shëndetësore, edhe në atë ekonomike. Kjo është e dukshme dhe në këtë fillim nëntori, teksa në Kinë po mbahet Ekspozita e Tretë Ndërkombëtare e Importit.

Këtë vit, ky event i rëndësishëm u mbajt nga data 5 deri në 10 nëntor. Ekspozita e ka zanafillën në vitin 2018, nga një propozim i presidentit Xi Jinping. Ajo ka si objektiv të mbështesë liberalizimin e tregtisë, globalizimin e ekonomisë dhe hapjen e tregut kinez përkundrejt botës. Ekspozita Ndërkombëtare e Importit përbën rastin unikal të një ekspozite që i dedikohet importit dhe mundëson forcimin e bashkëpunimit dhe tregtisë me shtete dhe rajone të ndryshme të botës.

Pesha specifike e këtij organizimi i tejkalon interesat ekonomike që lidhen me përfitimet nga ekspozita. Në ndryshim nga aktivitete të tjera me bazë ekonomike që janë shtyrë ose po organizohen online, Ekspozita e Tretë Ndërkombëtare e Importit, do të jetë edhe në këtë edicion të tretë një event me pjesëmarrje fizike. Kësisoj, kjo ekspozitë mishëron një sinjal të fortë që Kina i jep botës. Jo vetëm me të synohet të reflektohet suksesi i kinez në përballimin e epidemisë dhe rimëkëmbjen e ekonomisë së brendshme, por vërehet dëshira për t’u identifikuar si një nxitëse e tregtisë globale, pavarësisht situatës anormale në botë.

Në mars, lidershipi i Kinës shpalli fitoren ndaj pandemisë dhe rikthimin e shumicës së aktiviteteve ekonomike. Kjo u pasqyrua në rishfaqjen e vlerave pozitive të ngritjes ekonomike dhe ky trend pozitiv vazhdon të jetë një realitet për ekonominë kineze. Në shtator Kina përjetoi një numër rekord në importe dhe eksporte, duke shënuar një rritje prej 13.2% dhe 9.9% respektivisht në krahasim me vitin e kaluar. Rritja e eksporteve duket të jetë ndikuar dhe nga rritja globale e kërkesës për pajisje mjekësore. Në kuadër të këtij zhvillimi, Ekspozita e Tretë Ndërkombëtare e Importit do të shërbejë edhe për njohjen e kërkesave të Kinës në fushën e shëndetësisë dhe do të jetë një platformë për paraqitjen e rezultateve kërkimore të fundit dhe eksplorimit të mundësive për bashkëpunime me përfitime të ndërsjella.

Gjithashtu, ky aktivitet është në linjë me disa nga pikat strategjike të planit të katërmbëdhjetë pesëvjeҫar të zhvillimit, i cili u paraqit në fund të muajit tetor. Në këtë aspekt, kjo ekspozitë mund të konsiderohet si një nga angazhimet e para drejt arritjes së objektivave të planit pesëvjeçar. Kësisoj, shteti kinez po e shfrytëzon këtë event për t’i mëshuar nxitjes së inovacionit dhe po ushqen dëshirën për të kënaqur kërkesën në rritje të konsumit të popullit kinez.

Numri i pjesëmarrësve në ekspozitë duket të jetë më i ulët se në dy edicionet paraardhëse për shkak të masave të rrepta për parandalimin e përhapjes së pandemisë. Megjithatë interesi i vendeve të tjera për organizime të këtij kalibri mbetet i madh. Kjo vërehet si në pjesëmarrjen e shumë firmave të mëdha ndërkombëtare që shpalosin në këtë ekspozitë produktet dhe shërbimet e tyre më të reja, ashtu si edhe nga pjesëmarrja dhe adresimi i disa liderëve të shteteve të ndryshme. Në përgjithësi është vërejtur një qasje vlerësuese për kontributin e këtij aktiviteti në zhvillimin global dhe krijimin e mundësive që ndihmojnë ndeshjen me sfidat e krizës ekonomike. Gjithashtu në arenën ndërkombëtare, duket të vlerësohet suksesi i Kinës në trajtimin e pandemisë si edhe respektimi i angazhimeve të tilla si ekspozita.

Me organizime të përmasave të tilla, Kina po vazhdon një rrugë të gjatë planifikimi që synon konsolidimin e pozitës së saj në arenën ndërkombëtare. Tanimë synimi i Kinës nuk është vetëm rritja ekonomike, por edhe rritja e peshës së Kinës në skakierën e ekonomisë botërore, duke luajtur tashmë një rol udhëheqës dhe stabilizues. Ekspozita e Tretë Ndërkombëtare e Importit është në këtë mënyrë jo vetëm një organizim me benefite të mëdha të drejtpërdrejta ekonomike, por edhe një sinjal i aspiratave të Kinës.

Check Also

Numërimi me dorë i votave në shtetin e Georgia-s konfirmon fitues Joe Biden

Sekretari i Shtetit i Georgia-s, Republikani Brad Raffensperger sapo ka njoftuar se procesi manual i …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

13 − 7 =