Home / Intervista / Ekskluzive/ Me këtë sëmundje u izoluan dhe fetarët!

Ekskluzive/ Me këtë sëmundje u izoluan dhe fetarët!

Lefter Çipa jeton në Himarë. Prej gati tri muajsh jeton në një gjendje të re mundimesh fizike. Por nuk e braktis asnjë moment punën me vjershërimin dhe shkrimin, me polifoninë dhe kuvendimin patriotik. Ky i fundit, tek Lefter Çipa është i barasvlefshëm me kryebesimin e tij. Besnikërinë ndaj identitetit dhe ndjenjës kombëtare e sheh si fenë e vetme të shpirtit të tij. Në këtë aspekt, ai është rast i një shqiptari të rrallë.
Ne, përmes linjës telefonike i morëm këtë intervistë të shkurtër, për të mësuar diçka nga përjetimi dhe meditimi i tij, në ditët e një izolimi të tillë që imponohet në kushtet e pandemisë së njohur me emrin coronavirus.

-Çështë për ty një botë pa lëvizje?

Për mua ? Unë nuk dua t’ia di fare, por meraku është për njerëzinë. Nuk ka besë kjo sëmundje, se ka dalë nga misteri që mund të pjellë njeriu.
Për këtë arsye është më tepër se një vdekje. Është me gjithë mend mundësi bashkëkuvendimi me vdekjen. Dhe ky bashkëkuvendim është më i rëndë se vdekja, se të imponohet dhe të vjen edhe nga ndarja e njeriut me njeriun.

-Si e përjeton mbylljen e njerëzve në shtëpi?

Mbyllja e njerëzve në shtëpi është tamam si shprehja e popullit: rrëntë e të zëntë një gur nën vete!

– Ju, shumicën e kësaj kohe e shkoni duke ndenjur veçmas, në shtëpinë tuaj, në Himarën e heshtur të stinës. Pse ju bën kaq përshtypje izolimi i njerëzve?

Unë, ndryshe nga të tjerët, nuk kam qenë asnjëherë i izoluar. Kam zenë një zog i lirë në erë. Tani që ma thanë izolimin, më duket se më kanë imponuar vdekjen paraprake. Se njeriu nga natyra, cilësi të parë të të gjithë jetës së vet ka nevojën për komunikim dhe kuvendim.

– Ç’do t’iu këshilloje njerëzve që të mos bien në gjendjen e rëndë psikologjike?

Do t’iu siguroja takimin me shpresën. Shpresa është destinacion dhe përkatësi vetëm për njerëzit.

-Në këto ditë pandemie ose murtaje, siç thotë rëndom populli, çdo t’iu thoje veçanërisht poetëve?

Korona në gjuhën e Jugut ka qenë diçka pozitive. Ne thonim lëvdueshëm koronë, kur një njeri mbaronte një hall. E falenderojmë dhe i themi: “Do të mba koronë mbi krye”! Po kjo është epokë e koronës së zezë që të merr mushkërinë, të heq oksigjenin nga mushkëria jote… Kjo koronë tinzare ka një veçori tjetër: Të vjen pa trokitur. Të futet në derë dhe e kupton se ç’shpërblim të jep, kur të del nga dera. Pastak vepron heshtja.
Njerëzit me këtë sëmundje humbasin shpresën. Kur të mbërthen kjo, atëhere të dominon ana psikologjike e së keqes.
Këto tronditje ka kjo koronë-sëmundje. Jo vetëm për veten tënde. Veçoria e saj është se të shkon mendja tek të gjithë njerëzit e afërt, tek të gjithë pjestarët e familjes dhe tek të gjithë miqtë.
Zakonisht kjo është si puna e mushtit kur shtypet rrushi. Kur shtypet rrushi pi gota e nuk ke të ngopur. Por nga pirja e mushtit do një javë të të dalë sëmbimi nga gjaku. Pra, mund të themi se nga ana e frikës që kanë njerëzit “të merr ujë gjaku”. Eshtë më pak frika e vdekjes, se sa frika e koronës së zezë që na dërguan kushedi se nga ku, nga dorë jashtë-nesh-ësh!

-Beson se do e ndryshojë botën kjo sëmundje?

Me këtë sëmundje u izoluan edhe fetarët. Kjo është sëmundje përmbysëse. Ajo të sjell natën në mes të ditës, për shpresën e popullit të Botës. Prandaj them se do lërë pas ndryshim.

Check Also

Mjeku italian letër kolegëve të tij: “Mos lejoni askënd t’iu thërrasë Hero”

Kirurgu italian dr. Alberto Mingione, që punon në spitalin “San Carlo” në Potenza, u ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

12 − 6 =