Home / Aktualitet / Ekonomia drejt “vdekjes së kontrolluar”

Ekonomia drejt “vdekjes së kontrolluar”

Një Europë e re dhe një Shqipëri e re do të shihet në të ardhmen si pasojë e pandemisë Covid-19, e cila si një tsunam pushtoi dhe ndryshoi jetët tona, duke i dhënë një grusht të dhunshëm ekonomisë e duke gjeneruar një trajektore të pa sigurt për të ardhmen tonë.

Kriza ekonomike e ditëve të sotme nuk ka asnjë lidhje me krizat e 2 dekadave të fundit. Ngjan më tepër me një luftë botërore. E them këtë pasi Covidi “dogji” mbi 12.500 miliardë dollarë në më pak se një vit; mbylli rreth 25 milionë vende pune, gati 65% më shumë se kriza e 2007-2009 e rreth 170 shtete do të kenë një rënie ekonomike mesatare me 3% (në Shqipëri rënia ekonomike parashikohet të jetë nga 7.5%-9.5% të PBB-së) e vetëm në 2022 ekonomia shqiptare mund të kthehet në gjendjen e saj të 2019 ndërsa borxhi publik pritet të arrijë në nivelin e fundit të 2019 (68%) vetëm në 2024.
Zhgënjimi nga ndërhyrja e qeverisë për të mbështetur biznesin dhe individët (e pranishme kjo mbështetje por e pa mjaftueshme) i bëri shqiptarët më të varfër e më pesimistë për të nesërmen (niveli i personave që do jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë do të shkojë në rreth 41.5% të popullsisë ndërkohë që ky tregues për 2019 ishte 35.6%). Kjo rritje është shumë më e lartë sesa ajo që ndodhi nga kriza e 2008-2009.

Nga ana tjetër edhe pse në 2021 pritet një rikuperim i shpejtë i ekonomisë së vendit, vendet e punës që do të rikuperohen do të jenë gjithsesi më pak se ata që u humbën përgjatë 9 muajve të parë të vitit (rreth 80000).

Kjo do të përkeqësojë edhe më tepër jetën e qytetarëve shqiptarë, sidomos atë të rinjve, të cilët edhe në të kaluarën mbi 70% e tyre e mendonin se Shqipëria ishte një vend pa të ardhme dhe kërkonin të iknin në emigracion.

Përsa i përket të ardhmes ekonomike të vendit në kompleks mund të thuhet se ajo është edhe më e zymtë sesa e ardhmja e të rinjve.

Rritja e çmimit të arit përgjatë 9 muajve të parë të 2020 nga një anë dëshmon frikën e njerëzve për të investuar në stock market në një periudhë pasigurie ekonomie, nga ana tjetër është rezultati logjik i një krize bankare gjithmonë e më të sigurt. E them këtë pasi në situata krize dhe pasigurie, njerëzit kanë tendencën të heqin kursimet nga depozitat bankare apo në favor të lingotave fizike që mbahen jashtë sistemit bankar. Kjo në një farë mënyre është edhe një tregues i qartë se investitorët besojnë gjithmonë e më pak te sistemi monetar e te ai bankar në kompleks. Nga ana tjetër nëse do të shohim indeksin e çmimeve të konsumit dhe nivelin e konsumit, këto të dyja kanë tendencë rënëse, që vjen sigurisht edhe si reduktimim i të ardhurave.

Mos rritja e çmimeve dhe preferenca për mbajtjen e lekëve në cash tregon nga një anë reduktimin e shkëmbimeve në një ekonomi (më pak të ardhura për biznesin) e nga ana tjetër një frenim i kreditimit bankar. Pa harruar këtu se si në Shqipëri si në vendet e ndryshme të botës vërehet një tkurrje e madhe e kredimarrjes dhe një reduktim i shitjeve të pasurive hipotekare, të dyja këto së bashku mund të çojnë në të ardhmen në një krizë të sektorit bankar, duke gjeneruar një krizë monetare dhe kreditore e në vijim në një krizë imobiliare. Përkundrazi nëse rritja ekonomike në nivel global nuk do të jetë në formën V atëherë me shumë gjasa shumë banka në nivel European por jo vetëm, që janë shumë të futura në borxh nuk mund t’i mbijetojnë një përkeqësimi të situatës së kreditimit dhe një recensioni të gjatë e si pasojë mund të shkojnë drejt paaftësie paguese (defaul

Një problem tjetër që po kërcënon frikshëm ekonominë e vendit tonë është borxhi publik i cili sipas Bankës Botërore pritet të arrijë në 81.3% në 2020, nga 68% që ishte në fund të vitit 2019. Pa harruar këtu që nëse do të kontabilizoheshin të gjitha PPP (të cilat duhet kontabilizuar) borxhi publik do të kalonte nivelin e 100% të PBB-së. Kjo rritje e ndjeshme e borxhit nga një anë ka një shtim të kostove të tij por mbi të gjitha bën shumë të vështirë hartimin e politikave për të mbështetur rritjen ekonomike në të ardhmen. Po ashtu në 8 muajt e parë të vitit është rritur ndjeshëm edhe deficiti i skemës së sigurimeve shoqërore (me rreth 6%), e tendencat janë që kjo të përkeqësohet edhe më tepër deri në fund të vitit. Me siguri rritja e rrogës minimale (që dëmton biznesin) do të ndihmojë sado pak në përmirësimin e skemës në fjalë por kurrsesi nuk do të stimulojë rritjen e punësimit që tashmë konsiderohet sfidë për vendin.

Nisur nga kjo situatë ekonomike lind natyrshëm pyetja se çfarë mund të bëhet në të ardhmen për të përmirësuar sado pak këtë situatë të rëndë ekonomike?

Me siguri nevojitet mbështetje për të gjithë bizneset e vogla dhe të mesme, kjo mbështetje duhet të jetë në para cash për çdo vend pune që ato mund të hapin në të ardhmen.

Heqjen e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë kohore që mund të shkojë nga 6 muaj deri në 1 vit për të gjitha ndërmarrjet që punësojnë për herë të parë të rinj me moshë nga 16-29 vjeç.

Analizë rrënjësore e të gjitha koncesioneve të dhënë ndër vite për të parë nëse kanë arritur objektivat e parashikuar në momentin e firmosjes së kontratës, nëse nuk janë arritur objektivat në fjalë mund të bëhet prishja e kontratës në mënyrë të njëanshme nga ana e shtetit.

Thjeshtëzimin e politikës fiskale dhe luftë të ashpër kundër burokracisë.

Jo heqjen e taksave dhe TVSH për biznesin e vogël se kjo me siguri do të gjeneronte pabarazi.

Luftë ndaj korrupsionit dhe paaftësisë në administratën tatimore. Në Shqipëri, raporti i të ardhurave tatimore si përqindje e PBB-së shkon sa 24.1% e kësaj të fundit për 2020. Vendi jonë mund ta çojë këtë raport me mbi 10% nëse do të luftonte korrupsionin në strukturat e administratës tatimore.

Një bonus bebe për të stimuluar lindshmërinë dhe shtimin e popullsisë, nëse do jepet një pagesë mujore deri në 40 euro në muaj për 15 vjet radhazi, kosto e saj do të jetë 13-18 milionë euro.

[1] Lektor ekonomie pranë UNIZKM. Opinionet janë personale të autorit dhe nuk përbëjnë qëndrimet e institucionit ku punon apo të revistës./Monitor

Check Also

Tito e helmoi Stalinin?

Josif Stalini, në vitin 1923 i dërgoi një letër Byrosë Politike, përmes së cilës informon …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

seventeen − sixteen =