Home / Aktualitet / Edukimi mbi median dhe informacionin në epokën digjitale: Sfida e Shqipërisë

Edukimi mbi median dhe informacionin në epokën digjitale: Sfida e Shqipërisë

Nga Jonila GODOLE-

Për të rinjtë e sotëm, përdorimi i internetit dhe rrjeteve sociale si burim i përditshëm informacioni është i vetëkuptueshëm. Për ta përdorur internetin në mënyrë sa më efikase nevojiten sidoqoftë disa aftësi dhe mekanizma reflektues për t‘i përdorur burimet e mediave (online) në mënyrë kritike, dhe këto kompetenca përfshihen kryesisht te edukimi mbi median dhe informacionin (EMI). Duke pasur parasysh ndryshimet në peizazhin e mediave dixhitale që kanë bërë të mundur përhapjen në masë të lajmeve të rreme, disa ndryshime në konceptin tonë të EMI-t janë mëse të nevojshme: Tani kërkohet më shumë aftësi dhe kujdes në mënyrën e të lexuarit kritik të përmbajtjeve në internet.

Në politikat e shkollimit kjo do të ishte themelore për t’u dhënë mundësi të rinjve të ndjehen më të sigurt përballë burimeve të larmishme të lajmeve online, të mësojnë perspektiva të reja dhe t’i përdorin këto aftësi në shkollë, ose në bisedat me moshatarët e tyre, me mësuesit dhe familjen. Roli i edukimit mediatik në mënyrë kritike duhet të shihet si një qasje gjithë-shkollore, ndërkurrikulare që inkurajon nxënësit të sfidojnë atë që lexojnë duke bërë pyetje kritike ose duke paraqitur këndvështrime të ndryshme. Në një kontekst më afër ekspozimit ndaj mediave sociale, EMI nënkupton të pajisurit e brezit të ri me mjetet dhe teknikat e duhura për të dalluar të vërtetën kundrejt retorikës manipulative, si dhe me njohuri për t’i ndihmuar ata të gjykojnë mbi bazë të informacionit dhe normave etike.

Megjithatë në Shqipëri edukimi për median mbetet ende një koncept i pastudiuar gjerësisht, prandaj nuk mund të flasim për politika zyrtare të implementuara në këtë fushë. Prandaj aftësimi i të rinjve për të dalluar informacionet e vlefshme në internet, për të përfshirë në mënyrë kritike mediat e reja në procesin e të nxënit mbetet prioritar. Por, pa mësuesit i gjithë ky proces do të jetë i vështirë. Janë ata të parët që duhet të zotërojnë teknikat dhe mjetet e EMI-t përpara se t’ua mësojnë nxënësve.

Edukimi mediatik në axhendën digjitale 

Digjitalizimi ka përfshirë të gjitha fushat e jetës edhe në Shqipëri dhe kjo padyshim e ka vendosur sistemin arsimor përpara sfidave të reja. Por edhe vetë mësuesit dhe pedagogët duhet të jenë të përgatitur për këtë sfidë. Studentët e tanishëm të degës së mësuesisë i përkasin një brezi që është rritur me larmi mediash. Gjithsesi nga ata kërkohen aftësi dhe njohuri didaktike që jo vetëm t’i përdorin mediat, por edhe të reflektojnë saktë mbi aspektet kulturore, sociale e shoqërore që shpalosen në një botë digjitale. Për fat të keq ky aftësim nuk ndodh në shkollën e lartë për mësuesit e ardhshëm.

Duket sikur i gjithë zhvillimi i sistemit arsimor në këtë drejtim është i mbingarkuar. Nuk ka as trupë të mjaftueshme mësimore, as pajisje të duhura teknike dhe as koncepte të qëndrueshme për edukimin mbi median dhe informacionin në shkolla. Që edukimi mbi median dhe informimin të funksiononte ai duhet të aplikohej qysh në sistemin parashkollor në mënyrë adekuate dhe nga edukatorë dhe mësues të trajnuar me bazat e EMI-t.

Barometri i Ballkanit 2020 tregon se interneti përdoret gjerësisht për qëllime komunikimi me përhapje të shpejtë në mediat sociale (69%) ndërsa më pak e popullarizuar për edukim (30%) dhe për blerje online (22%). Edhe pse ka pra një prirje të qartë për të përdorur internetin dhe rrjetet sociale për qëllime informimi, aftësia e popullsisë për të gjykuar në mënyrë kritike burimet dhe përmbajtjen mediatike mbetet ende e kufizuar. Kështu mund të lexohet renditja e ulët e Shqipërisë në Media Literacy Index për vitin 2020 (bashkë me Bosnjën, Maqedoninë e Veriut, Turqinë dhe Malin e Zi) për mungesën e kompetencës për të gjykuar me filtrat e duhur analitikë në epokën e lajmit të rremë dhe post-të vërtetës.

 

Edukim i mësuesve apo i nxënësve?

 

Aftësimi i të rinjve për të kuptuar median është edhe pjesë e edukimit qytetar të tyre. Fokusimi vetëm te kompetencat individuale të mësuesve nuk mjafton për të realizuar këtë qëllim. Që studentët të përgatiten denjësisht për të transmetuar dije në një shoqëri digjitale kur të jenë mësues, i gjithë cikli i studimeve të tyre duhet të jetë i orientuar në këtë drejtim. Për ta arritur këtë:

  • Edukimi mediatik duhet të jetë një pjesë e detyrueshme e studimeve për mësuesi dhe pedagogji dhe të asistohet nga staf i kualifikuar në teorinë, kërkimin shkencor dhe praktikën e medias;
  • Kompetenca për edukimin mediatik duhet të jetë një komponent i rëndësishëm në vlerësimin me notë përmbyllëse të studimeve, që do të rriste edhe autoritetin e studimeve universitare të fushës;
  • Temat që lidhen me median, proceset e zhvillimit të saj, dhe sfidat në shoqërinë digjitale duhet të plotësojnë edukimin në lëndën e detyrueshme të EMI-t;

Po kështu, kompetenca për edukimin mediatik mund të ishin të nevojshme dhe të aplikoheshin në degë të ndryshme, si shkencat pedagogjike, didaktika mësimore, gazetari dhe komunikim, sociologji, psikologji, apo dhe degë të profilit juridik.

 

Që këto kompetenca të mund të shpalosen në orën e mësimit është thelbësor aksesi i shpejtë dhe i sigurtë i internetit në shkolla, materiale mësimore digjitale, mbështetje teknike për problemet që mund të dalin si dhe hapësira ku nxënësit të mund të ushtrohen në praktikë.

Prandaj bazuar në kontekstin shqiptar sa më sipër, japim këto rekomandime:

  • Ministria e Arsimit dhe Sportit duhet të krijojë kushtet e duhura dhe të vërë në dispozicion mjetet e duhura financiare për trajnimin e trupës mësimore dhe pajisjen e institucioneve arsimore në frymën e epokës digjitale;
  • Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASAP) dhe drejtoritë e saj, si ajo e Zhvillimit të Kurrikulës të përgjigjet për vlerësimin e nevojave për zhvillimin profesional të programeve dhe materialeve plotësuese në fushën e EMI-t dhe të mbështesë kualifikimet e nevojshme të personelit arsimor;
  • Institucionet e arsimit të lartë që formojnë mësuesit e ardhshëm duhet të motivohen për të rritur kapacitetet e tyre në fushën e EMI-t. Vetëm trajnimet e vazhdueshme të mësuesve mund ta çojnë seriozisht përpara “Axhendën Digjitale”;
  • Shkollat dhe universitetet duhet të punojnë ngushtësisht për të zhvilluar peizazhin arsimor. Shkollat e larta të krijojnë profile të reja studimi për të zhvilluar ekspertizë në fushën e EMI-t;
  • Kualifikimet dhe studimet pranë Departamenteve të Gazetarisë dhe Komunikimit në vend duhet të mendohen si ndërdisiplinore në mënyrë që të garantojnë ide inovatore në trajtimin e EMI-t;
  • Bashkëpunim të ngushtë me aktorë dhe institucione të shoqërisë civile që japin kontribut në këtë fushë dhe kanë përvojë dhe ekspertizë profesionale për t’i trajnuar mësuesit dhe forcuar kapacitetet e EMI-t për nxënës dhe staf mësimor;
  • Raporte dhe anketa të vazhdueshme që analizojnë perceptimet e të rinjve në lidhje me EMI-n në epokën digjitale, si dhe problematika të aplikimit të saj në kurrikulën shkollore;
  • Ndihmë edhe nga institucionet ndërkombëtare duke i sensibilizuar ato për këtë problem të përbashkët; një Shqipëri me një indeks të dobët të EMI-t dobëson edhe vetë Bashkimin Europian, ku vendi synon të integrohet.

 

Ky artikull është botuar në kuadrin e projektit “Media për Qytetarët – Qytetarët për Median,” të zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias dhe organizatat partnere, me ndihmën financiare të Bashkimit Europian.  

Check Also

Procedohen penalisht 4 efektivë në Elbasan

Policia e Elbasanit, në kuadër të hetimeve për zbardhjen e ekzekutimit te Everest Çakës, ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

18 − 15 =