Home / Editorial / E majta radikale i urren themeluesit e vendit/ A do të zgjohet Amerika para se të jetë tepër vonë?

E majta radikale i urren themeluesit e vendit/ A do të zgjohet Amerika para se të jetë tepër vonë?

Nga David Limbaugh “Fox News”

* Të paktën 600 punonjës policie, janë plagosur që kur nisën trazirat pas vdekjes së Xhorxh Floidit. Edhe për sa kohë mund të mbijetojë ky komb, kur institucionet e tij kryesore kulturore dhe arsimore, u predikojnë një rrymë të pamëshirshme dhe me prirje anti-amerikane të rinjve (dhe të tjerëve), të cilëve u mungojnë mjetet për t’i rezistuar kësaj atmosfere helmuese?

Bashkë me të tjerët, unë kam argumentuar prej kohësh se e majta amerikane ka një problem të madh me Amerikën ashtu siç ajo është themeluar. Gjithsesi, demokratët janë të indinjuar nga kjo akuzë, dhe shumë republikanë duken mjaft të shqetësuar për këtë.

Këta të fundit bëjmë më mirë të zgjohen. Nëse ngjarjet e deritanishme nuk janë të mjaftueshme për t’u fokusuar seriozisht mbi problemet që ka sot vendi, ju lutem të mbani parasysh të dhënat e mëposhtme të bëra publike nga Erik Kaufman, politolog në Universitetin Birkbek në Londër.

Kaufman shkruan se “revolucionarët kulturorë”, që po rrëzojnë ngado përmendore dhe po riemërtojnë godina të ndryshme “po ndryshojnë mendjen e njerëzve, dhe mund të jenë në gjendje të realizojnë një rindërtim rrënjësor të Amerikës, në diçka krejtësisht të panjohshme për banorët e saj aktualë”.
Ai shton:”Imagjinoni për një moment një vend, kujtesa kolektive e të cilit ndryshon, me një kushtetutë, himn dhe flamur të ri, dhe me emrin e ndryshuar nga ai “mëkatar” Amerikë, në diçka më pak “fyese”. Jo shumë larg sipas të dhënave që kam mbledhur vetë, mbi atë që besojnë sot amerikanët liberalë të bardhë”.

Vini re, Kaufman nuk po flet thjesht për ata të ekstremit të majtë, por për liberalët amerikanë. Dhe kjo është për mua gjëja më interesante dhe befasuese. Në librin tim “Fajtor për shkak të marrëzisë”, unë kam paralajmëruar se socializmi nuk është e vetmja ide e tmerrshme që po promovon e majta.
Unë ndër të tjera shkruaj: “E majta nuk po i drejtohet socializmit, vetëm sepse anëtarët e saj mendojnë se ai është më i drejtë se kapitalizmi, por edhe sepse kërkon hakmarrje ndaj brezit që e themeloi dikur Amerikën, dhe përfituesve të tij të mëvonshëm.

Ata duan që ta zhdukin traditën perëndimore, e cila ka prodhuar kulturën tonë unike amerikane, gjoja sepse ajo ka çuar në lënien në harresë të amerikanëve vendas (indianëve të SHBA-së), ka hyrë në një borxh të pashlyeshëm moral me skllavërinë, dhe është përgjithmonë fajtore për shtypjen e minoriteteve dhe grave përmes privilegjit të të bardhëve, dhe shfrytëzimit të qenësishëm prej tyre të kapitalizmit”.

Unë nuk pretendoj të jem profet, por a nuk e vërtetojnë thëniet e mia trazirat aktuale në SHBA? Kaufman anketoi liberalët amerikanë, për të vlerësuar gatishmërinë e tyre “për të zhbërë identitetin kulturor të vendit”.
Më datën 7 maj (para vrasjes së Xhorxh Floid), ai anketoi një grup prej 870 amerikanësh, të cilët ishin “të rinj, liberalë dhe të bardhë”. Grupi nuk ishte përfaqësues i popullatës amerikane në përgjithësi, por ishte kopjuar nga platformat e anketimit “Amazon Mechanical Turk” dhe “Prolific Academic”, të përdorura nga mijëra studiues.

Ai përjashtoi me vetëdije nga sondazhi konservatorët dhe centristët, për t’u fokusuar vetëm tek ata që cilësojnë veten liberalë. Ai u paraqiti të anketuarve 16 deklarata “të çuditshme” dhe u befasua me përgjigjet e tyre. Ai i anketoi ata sërish më 15 qershor, pas vrasjes së Floidit dhe protestave që pasuan, dhe zbuloi se gjërat “ishin bërë edhe më të çmendura”.

Ai i pyeti ata nëse binin apo jo dakord që amerikanët:

1. Të rishkruajnë historinë e mësuar në shkolla, derisa zërat dhe subjektet e saj të reflektojnë demografinë e popullatës, trashëgiminë e vendasve dhe qytetarëve zezakë.

2. Të miratojnë pas një konsultimi publik një himn të ri kombëtar, që pasqyron më mirë diversitetin tonë si popull.

3. Të riemërtohen qytetet tona, me emra që i përshtaten demografisë së popullatës.

4. Të ketë një rebalancim të shfaqjes së veprave të artit në muzetë e mbarë vendit, derisa një analizë përmbajtësore të tregojë, se sa ajo reflekton demografinë e popullatës dhe perspektivën e amerikanëve vendas dhe zezakëve.

5. Të miratohet pas një procesi të hapur publik, një emër i ri për vendin tonë, që të pasqyrojë më mirë kontributet e amerikanëve vendas, dhe diversitetin tonë si popull.

6. Të riemërtohen shtetet tona, në mënyrë që emrat e rinj të pasqyrojnë më mirë trashëgiminë e amerikanëve vendas dhe qytetarëve me ngjyrë.

7. Të zëvendësohen gradualisht shumë godina publike të vjetra me struktura të reja, që nuk glorifikojnë një rend eurocentrik, derisa të arrihet një hapësirë publike më përfaqësuese.

8. Të zhvendoset monumenti i madh i 4 presidentëve të bardhë në malin Rashmur, pasi ata drejtuan dikur pushtimin e territoreve të amerikanëve vendas, shtypjen e grave dhe pakicave.

9. Të lejohet që parqet tona publike të kthehen në gjendjen e tyre natyrore, përpara se t’u imponohej një ndjenjë e rendit evropian.

10. Të miratohet, pas një konsultimi publik, një flamur i ri i SHBA-së, që të pasqyrojë më mirë diversitetin tonë si popull.

11. Të merret në konsideratë përdorimi i një gjuhe të re kombëtare, e cila do të lindë nga diversiteti gjuhësor i emigrantëve dhe i atyre vendas.

12. Të hiqen përmendoret ekzistuese të burrave të bardhë nga hapësirat publike, derisa numri i monumenteve në tërësi, të përputhet me demografinë e popullatës.

13. Të rimodelohet Statuja e Lirisë, për ta bërë atë të reflektojë më mirë diversitetin e Amerikës.

14. Të riemërtohen rrugët dhe lagjet tona, në mënyrë që emrat e rinj të përputhen me demografinë e popullatës.

15. Të miratohet, pas një konsultimi publik, një kushtetutë të re e vendit, që të pasqyrojë më mirë diversitetin tonë si popull.

16. Të nisë ndryshimi i pamjes së qyteteve dhe autostradave tona, për të ndjekur shtigjet më natyrale të përdorura fillimisht nga vendësit.

Kaufman raporton:”Secili prej këtyre propozimeve, përfaqëson goditje në themel ndaj kombësisë kulturore amerikane. Megjithatë, 6 prej tyre mbështeten nga më shumë se 50 përqind të liberalëve të devotshëm… Tetë të tjera, mbështeten nga më shumë 40 për qind e liberalëve që identifikohen si “shumë liberalë”.

Ndërsa rreth 80 për qind e tyre, janë pro zëvendësimit të himnit kombëtar dhe kushtetutës aktuale të SHBA-së. Duke supozuar se ky sondazh nuk është larg nga të qenit shkencor dhe përfaqësues i të menduarit liberal, nuk është kontradiktore të thuhet se e majta amerikane dëshiron ta transformojë rrënjësisht Amerikën.

Pasi të keni parasysh këto të dhëna, dhe mbështetjen dhe simpatinë e së majtës ndaj dhunës, plaçkitjeve dhe anarkisë që ka përfshirë këtë vend javët e fundit, a mund të jetë më e qartë sesa kaq, se çfarë është në lojë në zgjedhjet presidenciale të këtij viti?
Unë u bëj thirrje njerëzve të arsyeshëm në të dyja anët e spektrit politik që ta lexojnë si duhet atë që po ndodh me kombin më madhështor në historinë e njerëzimit, dhe t’i kundërvihen asaj para se të jetë tepër vonë. Këto lloj revolucionesh nuk mbarojnë mirë për askënd, përfshirë edhe nihilistët që i organizojnë ato.

Shënim: David Limbaugh, shkrimtar dhe jurist në profesion. Libri i tij i fundit titullohet “Fajtorë për shkak të marrëzisë:Pse demokratët duhet të mos i fitojnë zgjedhjet”.

Përshtatur nga CNA.al

 

Check Also

Aksident tragjik/Përplasen 2 motorrët, një i vdekur dhe një i plagosur rëndë

Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e së premtes në Peqin. Burime bëjnë me …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

18 + three =