Home / Letersi / DY TË PËRZGJEDHUR NGA I NJËJTI FAT

DY TË PËRZGJEDHUR NGA I NJËJTI FAT

Pozaet Qose/

1
I sillet përqark varkës, me nje bisht cigareje të shuar në buzë. Këndon nëpër dhëmbë një mëmëmë, që as ai vetë nuk e di se ç’ melodi mban saktësisht brenda vetes.
Prek rrjetat, sheh plumçet, kuvendon me lopatat dhe i nis prapë nga fillimi ato që ka çuar deri në fund, der të vijë çasti qe të niset të dalë në ujë. Çdo ditë niset me mendjen që të kthehet në breg me rrjetat plot, por ujë është ai i bekuar; dhe ia jep dhe s’ia jep pasurine e vet. Po ai, ç’duhet të bëjë, i bën më së miri. Dhe në ndodhtë të kthehet si u nis, të paktën të mos gjejë pikë faji te vetja e të mos i sulet asaj, si shoshari së shoqes, për ta ngrënë mish me bukë, nëse fati tregohet me të më koprac se Grandeja.

2
I sillet përqark fletës së bardhët, me një bisht cigareje në buzë, harruar qyshkur nga zjarri. Në vënd të këngës, shfryn e psherëtin për këngën e munguar, që s’po do e s’po do t’i vijë pranë. Hap dritaren, sheh qiellin, sheh ujin, sheh tokën dhe nis një thirrje drejt tyre, që t’ia çlirojnë nga heshtja e pagojë zanën e shumëpritur.
Bishti i cigares vazhdon t’i tundet në buzë, as dhembje, as shpresë, kur ai prek lapsat, merr me të mirë fletën, ngul sytë në tavan, duke kërkuar në pusin e heshtur fjalën e munguar.
Edhe atij mund t’i qëllojë që, kur ta shtjerë në dorë atë përndritje fjale e ta bëjë pjesë të atij peizazhi të trazuar shpirti, ndoshta të mos e hasë asnjë lexues për një mijë shkaqe të aesyeshme e të paarsyeshme, reale e të famtazuara, se kohë është kjo e bekuar, por ai, me kokëfortësi elefanti, vazhdon të endet në luginën e tij të mjegullt.

3
Takohen dikur të dy; të rraskapitur sa më s’bëhet më prej kërkimit, të dëshpëruar prej mungesës, por të lumtur se bënë atë që duhej të bënin, edhe pse humbja i vështroi shpesh me sytë e sarkazmës.
Të lumtur për ekzitencën e tyre dhe për mundësinë e mosekzistencës së gjërave që i deshën me gjithë shpirt t’i bënin një çast të vetat; Peshkut e Poezisë.

Check Also

MOTIVI ATDHETAR NË POEZITË E LEFTER ÇIPËS

Idajet Jahaj/ (Duke rilexuar një nga librat e tij) Përmendim një strofë nga një vjershë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

two × 2 =