Home / Editorial / Dy mijë e njëzeta apo nëntëdhjetë e shtata?

Dy mijë e njëzeta apo nëntëdhjetë e shtata?

Çapajev GJOKUTAJ-

‘Në të s’ëmës 2020-a!’ Kështu po e sikterisn vitin që po ikën parodistët e Vlorës. Mund t’i hakërreheshin edhe ‘prapa diellit vaftë!’, ‘në djall/në esfel!’, ‘qafën theftë!’, ‘nga sytë këmbët’ e gërmushje të tjera të këtij lloji dhe prap të mos shprehnin dot stresin dhe mllefin popullor që ka gjeneruar ky vit i mbrapshtë.

Me të drejtë ikonikja ‘Time’ e quante 2020-ën vitin më të keq që kemi parë ndonjeherë, duke shtuar se vite, që afrohen me të, publiku i sotëm vështirë se mund të kujtojë. Duhet të jesh mbi 100 vjeç të kujtosh kahsapanën e L1B dhe plojën e gripit spanjoll. Duhet të kesh shkelur në të 90-at për ta krahasuar me mjerimin që solli Depresioni i Madh. Duhet të jesh duke kullotur të 80-at, që ta perqasësh me apokalipsin e L2B.

Por në këtë pikë ngjan se ne shqiptarët jemi disi të… privilegjuar🤡. Historia e afërt na ka dhenë një pikë tjetër referimi, më të freskët e më masive: vitin 1997. Vështirë të thuash se 2020-a është më i mbrapshtë se ‘97-a, vit kur u bën fir paret e një shumice shqiptarësh, kohe kur ra shteti dhe vendi hyri në kaos e desh u përgjak në një luftë civile.

Këtë balancë e ndikon sadokudo edhe fakti që pandemia na erdhi nga bota, kurse gjullurdinë dhe kaosin e 97-ës e krijuam vetë, natyrisht të udhëhequr nga prijsa largpamës🤡.

Deri tani pandemia ka marrë 1170 jetë, ndërkohë që kaosi i piramidave vrau rreth 2 mijë e plagosi afro 5 mijë të tjerë. Do të duhet kohë që të marrim vesh humbjet e sivjetme në ekonomi dhe të themi nëse 97-ia kalon 2020-ës edhe në këtë pikë.

Gjithsesi krahasimet me vitin e rënies së piramidave nuk janë të sakta. Gjullurdia e ‘97-ës është proces i përfunduar dhe, si i tillë, i takon historisë, pandemia është në zhvillim e sipër ndaj, me gjasë, jemi herët për të bërë bilance. Askush nuk e di me saktësi ç’do të sjellin muajt e vitit që po troket. Është mbase kjo pasiguri që i bën festimet e sivjetme krejt të veçanta, shoqëruar nga një tis pasigurie e frike.

Me logjikën e humorit, paradostët e Vlorës kanë të drejtë që vaffanculo-n e italianëve ta përkthejnë lirshëm e t’i gërmushen 2920-ës me sharjen ‘në të sëmës!’. Por përtej humorit, dmth në realitet, 2020-a do kujtohet gjatë. Nuk hyn në vitet e zakonshëm, që ngatërrohen me njeri – tjetrin.

Do kujtohet për keq, si vit vuatjesh e vdekjesh, si vit pasigurish e ankthesh kolektive, si vit që e detyroi ekonominë globale të bëjë pas e të zhytet në një recesion të frikshëm, si vit që i tregoi njerëzimit se asgjë s’është e dhënë njëherë e përgjithmonë, aq më pak siguria dhe progresi.

Del një gjë mikroskopike si virusi dhe përmbys çdo plan e çdo parashikim, gjunjëzon sistemet më të përparuara shëndetësore, provon se ata që na ndriçojnë e na udhëheqin, dmth shkencëtarët dhe burrat e shtetit ecin edhe kuturú, të paktën herë pas here.

Por pas gjasash 2020-a do kujtohet edhe si vit që solli ndryshime globale për mirë. Këto ndryshime shtrihen në një gamë të gjerë duke filluar nga higjena personale, duke vazhduar me punën dhe komunikimin në distancë e duke përfunduar me një qendrim më modest ndaj sigurisë dhe të vërtetës.

Në se vaksinat e reja kundër covid-19 do të rezultojnë të sigurta e të sukseshme edhe në rrafsh afatgjatë, 2020-ta preston të hyjë në histori e të kujtohet jo aq si vit pandemie, por si vit që shënon pikë kthese në perdorimin masivisht të terapive genetike. Kjo do të ndryshonte thellësisht jo vetëm mjeksinë, por edhe vetë të ardhmen e njerëzimit.

Sido që të venë punët, për një gjë duhet të jemi të sigurt: sa më shumë te kalojnë vitet, aq më shumë do sjellim ndër mend anët pozitive të 2020-ës. Kjo nuk lidhet me vitin dhe ato që ai solli, por me një reng që na punon kujtesa dhe që psikologët e quajnë retrospektiva rozë.

Është në natyrën e njeriut që të shkuarën ta përjetojë më pëlqyshëm se të tashmen. Me gjasë kjo buron nga fakti se të shkuarën e kujtojmë të seleksionuar e të përpunuar, si punë metali të shkrirë në furrat e kujtesës, kurse të tashmen e përjetojmë bruto, si mineral që të lodh e të merzit me bëzhdile e hollësi të panumërta.

Sidoqë të jetë 2020-a është pjesë e jetës sonë dhe njeriu e ka të pamundur të flakë pjesë të vetes.

Check Also

Covid/ Pëson rritje kurba e infeksioneve gjatë 24-orëve të fundit

COVID19/ Ministria e Shëndetësisë: 3088 testime, 457 të shëruar, 678 raste të reja dhe 5 …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 + nine =