Home / Editorial / Dy artistë globalë sa dy perandori propagande në Botë

Dy artistë globalë sa dy perandori propagande në Botë

Nga Aleksandër ÇIPA

Një ndër utopitë tona kombëtare në gati 100 vjetshin e fundit ishte dhe mbetet bashkimi kombëtar. Një utopi e formësuar si ide dhe frymë më shumë prej Rilindjes Kombëtare të shekullit XIX. Elita kulturore dhe ajo e mendimit iu përkushtua kësaj utopie, duke e shndërruar në program dhe konceptuar si proces. Patëm shkrimtarë e poetë, që madje flijuan talentin e tyre, (edhe pse jetonin në kryeqendër të perandorisë më të madhe të këtij shekulli), në shërbim të kësaj utopie të mbrothët dhe mbrothësuese. Prej atëhere, ndonëse edhe më herët, kemi pasur shumë raste e shembuj, kur artistët dhe mendimtarët tanë, të tillë jo vetëm në gjuhën tonë kombëtare, konsiderohen “fanar” të idesë kombëtare, të utopisë së paheqshme e të pashuar, të identifikimit dhe prirjes dëftuese kah Europa, pra, të identitetit tonë zanafillor.

Në këtë mënyrë, elita jonë kulturore, na rrëfeu, se kjo utopi e jona edhe pse e pakapshme ndër dekada, nuk na zhgënjeu. Madje nuk i zhgënjeu kurrë, as adhuruesit dhe as heronjtë për të.

Emulatorët e shekullit të Rilindjes sonë, për këtë arsye u lartësuan në adhurimin popullor, si emulatorë të vizionit të dëshirueshëm e të nevojshëm, për lartim kombëtar dhe rikthim tek identiteti europerëndimor. Kohë pas kohe, diçka e tillë, (pra pjesët substanciale të kësaj utopie), u bënë dhe mbetën stimuj rigjallërues dhe referues, për prosperimin tonë kah ri-integrimi me kontinentin, të cilit i përkasim.

Qëndrueshëm, kjo utopi na u desh edhe për procesin e vështirë, të ngadaltë dhe kohëpafund, të largimit nga mendësia që na injektoi ndenjia nën perandorinë e zymtë, të së shkuarës. Në këtë kah ndarës, pra rikthyes tek identiteti ynë europianist, rishtazi u vunë në protagonizmin dhe udhërëfyesinë e tyre, emrat e shquar të artit dhe kulturës sonë kombëtare. Por, ndryshe nga rilindasit, të cilët patën shkëlqim brenda hapësirës kombëtare, pa patur interesim për shkëlqimin dhe suksesin letrar apo kulturor në nivel ndërkombëtar, shumë artistë dhe interpretë të talentuar të përkatësisë sonë kombëtare, sot janë garues në nivelet më të larta të tregut kulturor global. Në këtë rast, vlershmëria e tyre kombëtare nuk mbetet thjesht për shkak të përkatësisë, por tek përfshirja e tyre me ndërgjegje dhe veprimtari të vendosur, jo vetëm për identifikim, por për aktivizëm kombëtar. Në një këndvështrim ata janë të frytshëm më shumë se vetë diplomacitë zyrtare institucionale të dy shteteve shqiptare në Botë (Shqipërisë dhe Kosovës).

Ditët e fundit, një postim dhe disa reagime në rrjetet sociale të këngëtares me famë botërore Dua Lipa, kanë shkaktuar jo vetëm zhurmë, por kanë ndezur rishtazi polemikat serbo-shqiptare. Prej këtij shkasi, janë përfshirë në këtë debat njëshekullor mes dy kombësive më të rëndësishme të rajonit ballkanik, edhe emra të famshëm të debatit dhe diskutimit publik global. Shqiptarja- ndërkombëtare Lipa ka botuar simbolin e flamurit “Autoktonus” me dy figurat historike të bashkimit kombëtar shqiptar, Ismail Qemali dhe Isa Boletini. Komenti i saj bashkëshoqërues në Instagram është pretencioz: “Autoktonë, mbiemër. Të një vendi të banuar. Indigjenë të vendosur në vend përpara zbritjes së migrantëve ose kolonistëve”. Më herët Dua Lipa dhe pas saj edhe këngëtarja tjetër e së njëtës fame, Rita Ora, janë kthyer kundër kompanisë prestigjioze në Botë “Apple”, për njohjen e hartës administrative të Republikës së Kosovës dhe ndarjen e saj nga ajo e Serbisë.

Kjo është diplomaci e pastër politiko-kulturore, së cilës në gjithëkohësi, artistë të famshëm të cilët nuk heqin dorë prej ndërgjegjes dhe kredos së tyre kombëtare, jo vetëm i janë përfshirë, por edhe e kanë shndërruar në qëllim të ndërgjegjes dhe udhëtimit përgjatë karrierës së tyre. Modusi i tyre argumentues për përkatësinë dhe të drejtën shtetërore, është një shërbim subkoshient ndaj kombit dhe popullit prej së cilit vijnë. Në kësi rastesh, artistet shqiptare si Lipa dhe Ora, vlejnë për PR (pi-ar-n) kombëtar, jo vetëm simbolikisht, më shumë se dy perandori globale propagande.

Për kombet dhe popujt e vegjël demografikisht, kësi aktivizmi, ka rëndësinë e madhe potenciale. Duke u ndalur te përcaktimi i termit “komb i vogël”, Milan Kundera nënvizon: “është pikërisht ai, ekzistenca e të cilit mund të vihet në pikëpyetje në çdo moment: një komb i vogël mund të zhduket dhe ai e di këtë gjë.”
Në botën e sotme, me procese të vrullshme rrjedhëse dhe heterogjeni përmbytëse, ndër të tjerat edhe me ankthe demografike, shërbesa si kjo e Dua Lipa-s dhe Rita Ora-s për shqiptarët dhe kombin, janë të dorës së parë. Meritojnë jo entuziazmin nacionalist, por maturinë dhe ndërgjegjen detyruese kombëtariste për të krijuar reagime dhe lëvizje shërbyese. Kontrasti që artistët shqiptarë ndërkombëtarë, me ndërgjegje të shpallur kombëtare dhe aktivizëm të pastër si qytetarë të Botës, krijojnë me papërgjegjshmëritë e elitës apo kastave politike, është i fuqishëm. Eshtë mishërim i së thënës së Bejkonit, të cilën e kam ndeshur tek memuaret e të paharruarit Vedat Kokona për pushtetin: “Është një dëshirë e çuditshme të kërkosh pushtetin dhe të humbasësh lirinë”. Në politikë lirinë e humbet më keqazi, pasi Atdheut ia ke shpallur pavarësinë dhe e merr në dorë për qeverisje. Mundi dhe ndërgjegjia e pavarësimit substancial, fatkeqësisht në kohët që i karakterizojmë si “tranzicion”, rezultojnë në mos të munguara, në masë të konsiderueshme, të tradhëtuara. Kosova, si shteti ynë i ri kombëtar, vijon të mbetet prej më shumë se dhjetë vitesh në shpërgënj të shumtë dilemash, papërgjegjshmërish, korrupsioni dhe keqpërdorimesh politike. Diplomacia shqiptare, (si e shtetit të vjetër dhe kjo e shtetit të ri), jo vetëm që nuk ia dalin të avokatojnë dhe afirmojnë shtetnjohjen dhe partneritetin dhe paritetin cilësor të Kosovës, por trishtueshëm japin prova të papjekurisë, keqpërdorimit dhe amatorizmit punëprishës. Në debatin dhe diskutimin e brendshëm shqiptar, në morinë tematike më diverguese rishfaqet ajo e bashkimit kombëtar dhe e utopisë për unitet administrativ. Ndërhyrës të paformuar, argumentues gjysmakë dhe interpretues të dyshimtë, për një kombësi rishtare të dytë shqiptarësh, nuk kanë sjellë gjë tjetër, veçse një investim dëshpërimi kohëhumbjeje për utopinë tonë gjithëbashkuese kombëtare.

Përballë kësaj gjendjeje dhe frocës dhe kapacitetit mjerues të diplomacive tona shtetërore, (në përballje me risqet dhe kostot që u shkakton shqiptarobelaja), artistët tanë të kalibrit dhe me ngjitje në kuotat më të larta të konkurimit dhe ballafaqimit global,(si Dua, Rita, Rexha etj., etj) po na dhurojnë shërbimin e tyre të madh dhe propagandën më të fuqishme të cilësishmërive si talente dhe qytetare bote. Në këtë përkim kohor dhe nevoje marketingu kombëtar e gjeopolitik, aktivizmin e tyre mund ta cilësojmë si një fat specifik për njohje dhe dijeni globale rreth nesh dhe sidomos së drejtës shqiptare për njohjen shtetërore të Kosovës. Identifikimi dhe patosi aq civil e europianist i Dua Lipa-s apo Rita Ora-s, i Andri Salës, më herët i Ismail Kadaresë e shumë, e shumë të tjerëve, janë mjaftueshëm prova dhe dëshmi e valencës së lartë dhe cilësive qytetare që i ofrojnë bashkësisë së gjerë njerëzore dhe hapësirës globale, si shqiptarë. Ata nuk u shpallën apo ofruan si aktivistë politik, por u evidentuan kulturalisht dhe botërisht si talente të një kombi të vogël me ekzistencë të thellë historike. Nuk hipën në skenë apo në foltoret ndërkombëtare me flamuj, por pasi u duartrokitën dhe shumëfishuan adhurimin për talentin dhe artin e tyre, shpalosën simbolikisht edhe përkatësinë e identitetin e tyre vetiak. Nga pozita e artistëve botërorë, ata mirësisht po i dhurojnë kombit dhe sidomos atdheut të tyre edhe një propagandë pozitive. Ndoshta kontributi i tyre për identitetin tonë të përbashkët është më i fuqishëm dhe më ndikues se disa perëndori propagande kundër nesh dhe injorueshëm ndaj nesh. Për këtë arsye, sidomos për gjestin e tyre, ne shqiptarët nuk kemi pse ndezim kotësisht debat, ndërsa me fqinjët tanë aq më tepër nuk mund të rindezim polemikën ballkanike. Ndaj këtij shërbimi, kemi detyrimin mirënjohës. Në raport me të drejtën tonë, serbët janë adhurues të së vjetrës (Pra, historisë së shkuar. Dhe dihet se e vjetra, ka nostalgji për të shkuarën). Ndërsa ne, na duhet të ngremë e mësojmë vetveten e bashkuar. Nëse vonojmë dhe s’po ia dalim kësaj, kjo është për fajin tonë. Nuk kemi pse ta mbajmë utopinë e bashkimit përherë të tillë. Se nuk na ka zhgënjyer, prandaj duhet ta kapim! Arritja e saj do të thotë vetvete e plotë dhe jo hise apo e drejtë e shkelur e tjetrit. Kumti “Autoktonus” i Dua Lipa-s nuk ka vlefshmërinë e aktit të dronit të Ballist Morinës, përkundrazi: Shpalosja e flamurit dhe ankesa tek “Apple” , përbëjnë spontanisht një akt të diplomacisë individuale të artisteve me famë, për sjellje ndërkombëtarisht të duhura.

Nisur nga parimi i respektit, artistët tanë ndërkombëtarë, ekspozojnë lirinë e identifikimit dhe të shprehjes sovrane. Kjo ka diçka të themeltë e të përbashkët me qytetarinë dhe antropomendësinë prej perëndimorësh. Artistët tanë ndërkombëtarë e dinë se tolerancat nuk përplasjen, intolerancat, po./Arberianews.net

Check Also

RUHUNI NGA MARRËDHËNIET “E SHKËLQYERA” ME GREQINË!

Nga Shaban MURATI – Marrëdhënie të shkëlqyera Shqipëria ka patur me Jugosllavinë, kur ishte satelite …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

one × 5 =