Home / Kryesore / Duke ndjekur “thërrmijën” e zanafillës…

Duke ndjekur “thërrmijën” e zanafillës…

(Fjala përcjellëse për Prof. Artan Hamit Boriçin, Shkoder me 27 Mars 2021)

Nga Aleksandër ÇIPA-

Në frymë të pikëllimtë dhe për shkak se vdekja e kafshoi një jetë të vyer njeriu-shkencëtar, gjendemi sot në këtë vend të shenjtë ku qenia shndërrohet në shpirt.

Toka e Shkodrës së Artanit e mori trupin e tij dhe la pas, çmueshmërisht më tej, tash e tutje, emrin e tij.
Tani nuk është më. Por, siç thotë Shekspiri: “Përderisa dhembja/ është ligji më i lartë që ka jeta/ Si mundet atë vallë/ ta ndash nga dashuria!”

Profesor Artan Boriçi, bir i Profesor Hamit Boriçit, shkencëtari që qëmtoi “thërrmijën e zanafillës”, na mori të gjithëve, – por përveçmërisht Nënës Myzejen, Babës Hamit, zonjës Mirelë dhe birit të vet Dalin – provën më të rëndë të dhembjes: ikjen në amëshim të parakohshëm.

Shkencëtarin e identifikuar, shkodranin e lauruar dhe Profesorin e adhuruar në disa universitete e rrëmbeu në moshën 56 vjeçare ajo që nuk e kuptojmë dot. E përballë kësaj pafuqie ndërhyrëse ne po e mbështjellim dhimbjen prindërore dhe atë familjare për akademikun Artan Boriçi me të vetmin stof të artë që ka shpirti njerëzor: mirënjohjen dhe dashurinë për çka bëri dhe çka na la.

Fjalët dhe ndjenjat e mira paskëtaj, për Profesor Artanin, do t’i mbledhim nëpër ditët e ardhme si të vetmen bukë të pamungueshme, për shkak të urisë së paheqshme që na imponon mungesa fizike që nisi në natën e 25 marsit të vitit 2021.

Nga sot e në pakohësi do ta kemi Profesorin në gjendjen e të qenit atje; tek ajri dhe fryma; lart, në papërcaktueshmërinë fizike, por në praninë shpirtërore.
Jeta e ndërprerë është një copëtim shkëlqimi dhe laurimi vijues, të lakmueshëm jo vetëm prej shoqërisë sonë, por prej entitetit më të rëndësishëm shkencor të kërkimit dhe studimit. Në 56 vitet e kësaj jete, Tani ia doli të vijojë dhe shtojë pasurinë dhe përfaqësimin intelektual të familjes prindërore, traditën shkencore të Shkodrës dhe Atdheut, si dhe të përfshihej në kuotat e elitës akademike të Europës së sotme.

Zotnia që përcjellim të veshur me dhimbje dhe mbathur me dashuri, është shëmbëllimi pa mungesa i të fismit të ditur dhe i shkencëtarit të ndërprerë. Por, është edhe biri i vetëm që u shqua në jetën dhe botën akademike dhe universitare si meritor i aureolës së dy prindërve profesorë. Në këtë ndërprerje të jetës së akademikut Boriçi, vdekja shtoi një gjurmë katile dhe po përballet me madhështinë çmuese të gjithë shkodranëve, shqiptarëve, profesorëve, studentëve dhe institucioneve të shumëta ndërkombëtare, ku akademiku i asociuar shqiptar, Profesor Artani, shenjoi vlershëm kontributin dhe frytet prej shkencëtari.

Profesor Artani nuk iu shqit fetarisë së punës dhe kërkimit. Ky besim e bëri pjesë të komunitetit ndërkombëtar në shkencën e fizikës. U përfshi dhe u bë i njohshëm në botën shkencore, në botën e teorisë rrjetore të fushës për “fermionet Boriçi-Creutz”. Bashkëpunoi ngushtë me institucionet si Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe me institucione të tjera prestigjioze si Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (për propozimin e çmimeve Nobel në fizikë), Qendra e Kërkimeve Bërthamore Evropiane CERN, Qendra e llogaritjeve intensive në Jylih të Gjermanisë, e shumë të tjera.

Botoi në revistat të mirënjohura të fizikës, si dhe mori pjesë në dhjetëra konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit. Për mbi 20 vjet ai iu përkushtua, si pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, shpërndarjes së dijes.
Providenca e çmoi më të duhur në atë Botë se ndër ne!

Hirtësia e mungesës së parakohshme nuk mund të zhbëjë të gjithë atë që Profesor Artani la pas. Ky mendim duhet t’i dhurojë forcë Mirelës dhe Dalinit, i cili tashmë merr stafetën e vyer të Boriçëve! Familja dhe krejt miqtë e studentët e Profesor Tanit nuk do ta presin tek dritarja e kujtesës, por do të sodisin në çdo kohë nga dritarja e paharresës.

Check Also

6 maj 1405 – ditëlindja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut

Portretin e rrallë, e sjell historiani Profesor Dr. Jahja Drancolli, që shkruan: “Portret i rrallë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 + twenty =