Home / Kulture / Duke medituar mbi një përrallë të Sokratit

Duke medituar mbi një përrallë të Sokratit

Nga Jorgo MANDILI-
Ka disa kohë që presidentit tonë i është prishur qetësia dhe dashuria dhe i është shtuar shqetsimi për mbrojtjen e ” demokracisë” ,duke aluduar për një “komplot” kundër demokracisë dhe vetë atij që është “objektiv i mafies ndërkombëtare” , për faktin se ai “mbron”çdo vlerë e parim të saj, kundër sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore”.
Duke u përshfaqur herë si Skënderbeu,herë si Robin Hud,herë si Alende,herë si Vojo Kushi,herë si Avni Rustemi ,madje duke arritur deri atje sa edhe të “vetsakrifikohet” në malin e Robit si “objektiv” për raketat amerikane , vetëm e vetëm për ta shpëtuar ” demokracinë” dhe ” drejtësinë” e uzurpuar nga një lob serb në Amerikë që përkrah Edi Ramën…
Duke dëgjuar këto artikulime të përçatura të këtij “adoleshenti të përjetshëm” ,që nuk di se ç’është puna ,dija ,varfëria e përpjekjet e njerëzve për mbijetesë ,si shumë politikanë të tjerë ,që janë përshfaqur në skenën politike si ” Feniks nga Hiri i Zhuritur i Asgjësë”, dhe që nuk u maturuan kurrë , por u mastrubuan me paratë ,pushtetin e hedonizmin e tyre, të përfituar nga kusaria ,kupton çdo ditë e më tepër fatkeqësinë tonë se nga ç’ figura groteske e të pështira sundohemi në këtë despotat oriental ,të quajtur Shqipëri , që është venë në pikpyetje e ardhmja e saj europiane …daljet e fundit të këtij individi të trishtojnë e duke menduar në qetësi pas ulërimave, thirrjeve,mllefit e shfryrjeve të tij ,ve në pikpyetje edhe ekzistencën tënde : se ku jeton?
Në një republikë europiane demokratike apo në një sulltanat oriental ,me një president si unitet i kombit apo një sulltan i një despotati ,që bën çfardo e sido ai.Përse duhet kushtetuta atëhere ,kur ky njeri është i pari që e shkel atë dhe nuk mban asnjë lloj përgjegjësie .Përse duhet drejtësia kur nuk e ndalon ose izolon zëmërimin dhe tërbimin e një individi të tillë që hiqet se është president?
Po sikur të ishim çmendur edhe ne ,të ngriheshim me shpata, kosore,hanxharë ,thika ,lopata,cfurqe e t’i binim njeri tjetrit sepse presidenti haluçinonte për manipulime e puç shteti nga vetë mazhoranca që kish pushtetin? Lajthitje? Lojë? Alibi? Çmenduri? Çfardo që të jenë ,veprimet e tij janë turpi ynë kombëtar .Kushdo që i ka parë këto veprime ,jashtë kufijve të Republikës sonë të shkretë ( që për çudi nuk ka as datë krijimi )të presidentit tonë të ndjerë, me të drejtë i ka venë duart në kokë e ka thënë : jo ,kur presidentin e republikës e kanë të tillë ,atëhere mendo si janë qytetarët e thjeshtë …a meritojnë këta të jenë bashkëudhëtarët tanë në Europë ? Ku e dinë këta të shkretët se presidentii ynë ka lexuar vetëm një libër dhe nuk ka punuar asnjë ditë dhe i ka ra ” bingo” në politikë ,ashtu siç i ra Saliut,Mediut ,Lulit,Ndokës,Flamurit , Gjek- makut e Mak- makut e rosakëve të tjerë të politikës ,falë ” demokracisë” që u zbuloi ” aftësitë” e tyre kusarëve dhe mediokre!
Kjo është drama e një populli të vuajtur e të nëpërkëmbur në shekuj ,që ëndërroi pas viteve 90 ” Shqipërinë si Europa” …por për hir të lakmisë e babëzisë së këtyre kusarëve ,që nga leckamanë u bënë brenda një kohe relativisht të shkurtër ” bosa të Ballkanit” ,e ndoshta më gjerë ,…që nuk dinë kuptimin e fjalëve ” nder”,” fisnikëri” e ” humanizëm” e që nuk ndjenë dhimbje njerëzore dhe dashuri për atmëmëdheun …atë ëndërr që këta kusarë ua kthyen shqiptarëve , për 30 vjet rresht në një makth përjetimi të një ” tragjedie shekspiriane” shqiptare ,të inspiruar nga i ” pandëshkuari i madh” , “përbindëshi” që u ngriu buzëqeshjen ,u piu gjakun e tani po u thith edhe palcën e kurrizit shqiptarëve me thirrjet e tij nekrofilike,për të mos i njohur zgjedhjet ,për t’u ngritur në protesta kundër Noriegës Rama etj …
Dilni! Dilni! Dilni! Guxoni!Guxoni!Guxoni! ,në unison me thirrjen e presindetit ” O sot ,o kurrë!,për një ” front të përbashkët për rivendosjen e demokracisë” ! Eh, kur i sheh këto figura groteske që flasin për demokracinë e mbrojtjen e saj mendon se asgjë nuk ka ndryshuar qysh nga lashtësia ,hipokrizia dhe demagogjia me ” demokracinë” loja më e tërheqëse me popujt e shtypur e të skllavëruar në shekuj
SOKRATI PARA TRUPIT GJYKUES
Eh,si përsëritet historia -mendon me vete .Në kohë të ndryshme ,në vende të ndryshme ,me personazhe të ndryshme ,por në mënyrë komike .Por në rastin konkret ,e pandryshueshme mbetet Hipokrizia dhe Demagogjia Eh,more president i nderuar pse na çove “në mon’e shkuar, thellë në lashtësi ,aty ku Sokrati i urtë përballej me fytyrën e maskuar të “demokracisë” skllavropronare,në Athinën e lashtë .
Aty ku gjykohej e nga i akuzuar u kthye në akuzues të kastës politike ,parisë së qytetit,që në pretencën e tij,demaskoi kusarinë mashtrimet,gënjeshtrat e poshtërsitë e tyre ,farsitetitin e demokracisë që e trumbetonin si liri e popullit ,por që nuk është gjë tjetër veçse një “tirani e maskuar”.Sokrati me mençurinë dhe qartësinë e tij për të kuptuar të vërtetat e hidhura dhe për tua bërë të ditura popullit të vet(zaten edhe për këtë u dënua),na ndihmon ne të ndërlidhim”demokracinë”skllavropronare” me “demokracinë tonë feudototalitare” ,të cilën ne e përjetojmë ,tash e 30 vjet, pavarësisht se mjediset, situatat e frazeologjia janë marrë nga antikiteti.
Para trupit gjykues – Sokrati.
” I pari i vendit” – alias presidenti – u mbante fjalim qytetarëve duke u shpjeguar se ç’është demokracia,korrupsioni dhe armiqtë e demokracisë që kërkonin të prishnin imazhin e qytetit ( shtetit) të tyre ,me sjellje qëndrime e veprime që binin në kundërshtim me parimet morale të demokracisë ,duke aluduar për Sokratin .
Fjalim,që Sokrati e kish dëgjuar shumë herë nga “paria e qytetit” . Sokrati,mbasi mbaroi i “pari i Athinës” ,priti sa ai zuri vend aty ku ishte paria e qytetit ,u kthye nga ata dhe tha:
…Ju që jeni në pushtet keni frikë nga ndryshimet.Të tjerët që janë përmbysur ëndërrojnë dhe luftojnë për ndryshime e përdorin çdo mjet e rrugë për t’i realizuar ato dmth për të ardhur në pushtet.Kurse populli qëndron në mes dhe paguan pasojat .Ai njëlloj vuan edhe nën regjimet legale dhe nën ato ilegale , edhe kur pushteti quhet tirani , edhe kur quhet demokraci .Dhe që të mos kuptojë e të mos protestojë e hutoni me gënjeshtra,mashtrime,përralla e shpesh herë dhe me terror .Kjo është tirania e maskuar e instaluar nga ju të fortët ! Të fortët jeni JU KUSARËT! – tingëlloi fort zëri i Sokratit ,duke iu kthyer parisë me gishtin tregues.
Si, si ne jemi kusarë? – njëzëri bërtitën ata të revoltuar.Kjo është një përrallë që e dëgjojmë çdo ditë ,është fryt i fantazisë së njerëzve si ty që nuk ja duan të mirën qytetit tonë .Na akuzoni ne që ju prumë demokracinë dhe lirinë ,ne që u sakrifikuam për ju për t’u çliruar nga diktatura? E tani keni lirinë për të zgjedhur,lirinë e fjalës e të mendimit,lirinë për të lëvizur lirinë për drogë,prostitucion ,lirinë për të sharë ,ofenduar shpifur,akuzuar …liri pa kufi ..çfarë doni më shumë? .
I quani përralla ju këto që them unë ?-iu përgjegj Sokrati ..Doni përalla ju? Hajt se po ju tregoj edhe unë një përrallë që të çlodhemi pakëz ..e filloi…
PËRRALLA ME KUSARË
….Njëherërë e një kohë kusarët e qytetit të parë të botës,mbasi u pasuruan mjaft ,vendosën të rregullonin jetën e tyre.Një ditë i mblodhën të varfërit e qytetit në sheshin kryesor e i urdhëruan :”Duart lart!”
Ju duam të mirën!Nuk kemi ndërmend t’u rrëmbejmë as lopatat,as kazmat,as trastat ku mbani bukë e djathë , as këmishët tuaja zhele-zhele plot me morra,as kasollet pa dysheme,ku hyn ujët nga të katër anët .Jeni të lirë!( Duart lart! )Jeni të lirë të jetoni sipas qejfit ,të fitoni,të kurseni ,të pini e të bëheni xurxull,të shtohi e në fund të vdisni .
Vetëm një gjë kërkojmë nga ju ..Ne do t’u predikojmë ..të vërtetën..!Do t’u falim një fantazi të pasur e një zemër të ndjeshme Do t’u japim edhe shpirt të pavdekshëm .Dhe kujt t’i pëlqejë,të shkruajë vjersha,të kërrejë libra,të zbulojë teorira të reja ,të fitojë famë e lavdi
Ju do të jeni populli i plotfuqishëm!Ne vetëm do t’u qeverisim.!Do të përpiqemi t’u sigurojmë jetën ,nderin e pasurinë ,me pak fjalë lirinë tuaj.!Ju vetëm do të punoni si të doni e kur të doni! Ne do t’u sigurojmë punë , kur të ketë! Dhe natyrisht frytet e punës do t’i marrm ne ..Dhe që të mos dyshoni për ndonjë padrejtësi nga ana e jonë ,do të paguajmë edhe ne një lloj takse shtetit,dmth vetes tonë!
Eeee ,jo vetëm kaq.!
Edhe ju edhe ne do të kemi po ato ligje që do t’i bëjmë ne ,e që ju pastaj do t’i aprovoni me anë të votimit nga deputetët tuaj që do t’i caktojmë ne me lista të mbyllura e do t’i zbatoni me gjykatësit tuaj që do t’i emërojmë ne .
Vazhdojmë më tej.. E në rast lufte , nëse rrezikohemi nga kusarët e fqinjëve ose kusarë të ardhur nga përtej deteve në bashkëpunim me kusarët e brendshëm ,ne do t’u armatosim që të mbroni veten tuaj dhe zotërinë tonë dmth atdheun!
Ju tregohuni trima të vrisni e të vriteni që të rrojmë ne !Ata që do vriten për atdheun do t’i shpallim dëshmorë të Atdheut e për t’a do ketë varreza të veçanta dhe do kujtoheni brez pas brezi .Dhe nëse ju nuk do t’a kuptoni se ku është interesi juaj për të mbrojtur vetveten ,do t’u detyrojmë ne t’a bëni këtë gjë me pahir (Duart lart!). Vetëm një gjë ju ndalojmë ..Në asnjë mënyrë të mos vidhni njeri tjetrin . Do të dënoheni rëndë.Kjo sepse mësoheni e na vidhni edhe ne pastaj.
Kështu pra ,populli punonte i lirë e mendonte lirisht – vazhdoi Sokrati me ironi.Dhe çdo mbrëmje engledisej nëpër taverna,e këndonte i gëzuar si mëllënja në kafaz…gëzonte “lirinë dhe demokracinë” e prurë nga kusarët .
Ndërkaq, shpëtimtarët e tij shtriheshin sa gjërë gjatë,dimrit brenda pallateve të ngrohta e beharit nën hijen e pemëve të bleruara në gjirin e Lalëzit. Rreth tyre mblidheshin mizëri gra të bukura me duar në qafë e që i përkëdhelnin prapa veshit.Lumturia e tyre ishte forca e atdheut dhe paturpësia -shpëtimi!
Fundi i përrallës? E ku t’a di unë e ku t’a gjej -u tha Sokrati.Vetëm një gjë ju them:”Mjerë ai qytetar që arrin në shkallë të fundit të dëshpërimit e ,me qëllim që të shpëtojë ,dorëzohet në mëshirën e perëndisë e të ligjeve te kusarëve”!– përfundoi Sokrati dhe ul në vendin e tij para trupit gjykues.
MJERË NE ….
Dhe ja pra ne u dorëzuam në mëshirën e kusarisë tuaj ,u bëmë viktima të ligjit të kusarisë tuaj ,që mbasi u nginjët me para , pushtet e pasuri ,u kujtuat përsëri dhe kërkoni të merrni prapë “frenat” e parisë së demokracisë në dorë ,por jo për ne . Por për veten tuaj !Për të mbrojtur pasuritë tuaja ! Përsëri kërkoni të na përdorni ? .
Tani jo më në emër të “antikomunizmit”,por të ” përçudnimit ” të demokracisë nga një grup komplotistësh…Përsëri të vritemi midis nesh që të rroni ju o Like hallemadhi ? Likepresidenti ,” floriri” i politikës shqiptare ,që ke ” sakrifikuar” familjarisht për demokracinë dhe i shpërblyer ” mbretërisht” ,për të na i kujtuar këto sakrifica të familjes e të ngjashmëve të tu nuk po lë “gur pa lëvizur”,të ” vdekurit nga varri po i nxjerr” ( videoja e protestave të 90) ,vetëm e vetëm që të bindësh ” kokëpalarët” që të të ndjekin pas për të ” mbrojtur” demokracinë nga përçudnimi dhe për të shkatërruar ” puçin kushtetues
Alibi e rradhës për të ruajtur pushtetin që të mbroni pasurinë tuaj të vënë me rrugë të paligjshme .Por lojrat e pazaret tuaja tashmë po bien erë .Jo më kot ambasadoria amerikane ua ka venë ” këmbët në një këpucë” .Nuk duhet të luani me Reformën në Drejtësi dhe pranimin e rezultatit të zgjedhjeve !Mos i bëni hyzmet zëmërimit dhe mllefit deri në atë shkallë sa që ky zemërim e mllef t’ju detyrojë të dilni jashtë ” linjave” të logjikës e diplomacisë ,për të bërë hapa të mëtejshëm lajthitjeje.Përmbahuni president e opozitarë! A do guxoni vallë? Të gjuani me ” raketat ruse e të Kim Jongut” ? Mos u nxitoni as për dekretin për mbrojtjen e Republikës ,se nuk ka ngelur në dorën tuaj .E kuptoni sa qesharak jeni bërë ? Po ,mirë juve ,se nuk keni cipë e moral për asgjë por ne qytetarët e thjeshtë pse duhet të paguajmë tekat apo injorancën tuaj ? Çfarë mallkimi është ky ?
Nga nesër e tutje duam të shohim një president tjetër, tepër institucional e i kujdesshëm, që nuk do përfshihesh më në këto ” lojra” kalamajsh… duam ” një president që do zbatojë Kushtetutën e vendit të tij e nuk do përfshihet më shumë me gjëra që lënë vend për diskutime e alibira …
Këtë vërtetë e dëshirojmë si qytetarë ! Zoti ju dhëntë pak,pakëz inteligjencë dhe dhimbshuri për njerëzit !
Jorgo Mandili,2 maj ,2021

Check Also

Ese e filozofit spanjoll Unamuno ku i thur lavde përtacisë

“Pse nuk ka një Ditë ndërkombëtare të përtacisë?”, pyet përkthyesi Bekim Qoku …. poeti para …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

twenty − nineteen =