Home / Kryesore / “DUET PËR NJË” TRAUM PSIQIKE

“DUET PËR NJË” TRAUM PSIQIKE

Miho GJINI-
(Nga Teatri Shqiptar i Shkupit)
Në mbrëmjen e parafundit të Festivalit Mbarëshqiptar të Dibrës se Madhe (në RMV), do të shihnim diadramën tronditëse “Duet për një” të dramaturgit Anglez Tom Kempinski, ku trauma depresive e artistes muzikante shpaloset dhimbshëm, në një interpretim brilant të aktores Vjollca Bekteshi. Në një përpëlitje midis jetës dhe vdekjes së pashmangëshme. Me një vërtetësi rrëqethëse, jepet ngjarja reale ku është mbështetur autori Kempinski, mbi traumën depresive të Violençelistes Zhaklin Dy Pre, e cila nuk mundi dot të shpëtonte prej vdekjes së sigurtë. Vështirë të mbetej pa nje theks melodramatizmi shfaqja nga kushdo aktore, në këtë pasqyrim real të tragjedisë njerëzore, kur dihet fundi i jetës dhe i lavdisë së arritur me shumë mundim e talent. Po, ja ku aktoria Bekteshi triumfon me rolin e saj dhe rrëmben “Çmimin e Parë” për Personazhet Kryesore Femra !Sukseset e bujshme, me meloditë më të magjishme, lumturia kulmore e koncerteve, me lulet që i hidhen artistit,- zhbëhen që të gjitha përnjëhershëm, në pragun e asgjësë, nëse nuk interpretohen realisht, me forcën që ka aktrimi!
Regjisori Kushtrim Bekteshi, ngaherë e më tepër, është duke dëshmuar se, përzgjedhjet e tij skenike, janë duke u drejtuar prej këtyre veprave madhore që e kanë brënda vetes kolizionin e “jetë-vdekjes”. A nuk ishte i tillë edhe inskenimi i dramës “Ata që ikin” në sfondin “Bardh e Zi” të një ikjeje dëshpëruese, për një jetë më të mirë, kur ikja dihet e kthimi jo dhe, kur fundi përgjon gjithandejë, me tragjizmin e vet të pashmangshëm? Po përzgjedhja e krijimeve të dramaturgjisë botrore, sikundër qenë “Tartufi” i Moljerit dhe “Shërbëtori i dy Zotrinjve” nga Goldoni, a nuk flasin vetiu po për ato kërkesa madhore që duhet të ketë kushdo artist i skenës që të “matë forcat” e tij? Duke mbrritur në shprehjen e dramës universale që përcjellë Diadrama “Duet per një”, ku këmbëngulja e artistit, do të thoshnja se i kalonte fort mirë caqet e një prove interpretuese emocionale dhe konceptuale mbi të vërtetat reale, kur jeta arrinë kulmet e digresioneve të saj, me kriza tronditëse, në një dyluftim njerëzor midis një të sëmure të pashërueshme dhe të një psiqiatri të devotshëm, i cili përpiqet ta shërojë me domosdo dhe ta risjellë atë në rrjedhën e zakonshme të jetës.Edhe skenografia, më tepër se sa një kabineti mjeku, i ngjanë një krematorjumi ku ruhet hiri i të vdekurve, nëpër disa sirtare të bardha, në afërsi të kryqeve e të disa vazove me lule të freskëta që u vihen enkas atyre që ikin nga kjo botë. Po edhe muzika e përzgjedhur, do të shoqëroj këtë “udhëtim të para vdekjes” që regjisori përpiqet ta shprehë, më së shumti me disa mizanskena, herë konçize e herë të shqetsuara e nervoze, ku vërtitet po me atë shqetsim edhe karroca e pacientes depresive. Dueti i personazheve, ka në përballje të fantazisë krijuese, pikërisht të sëmurën depresive, Dë Pre, e cila mishërohet nga personazhi i artistes Stefania Abrahams dhe nga Mjeku Psikiatër Fejdman, i cili pozicionohet herë në një linjë lineare, si të ishim në nje hetuesi dhe herë me një dinamikë e nerv të ashpër, kur durimi e mosdurimi përplasen, derisa do të bjerë gjithshka në caqet fundore të një jete pa shpresë.
Aktoria Vjollca Bekteshi ndodhet këtu në një nga rolet më të arrirë të saj, interpretuar me virtuozitet, jo vetëm në çastet normale, kur ajo i spiegon Psikiatrit dhimbjen e saj, me një gjestikulim të karakterit e të psikologjisë së saj femërore, ku eleganca është gjithsesi brënda e jashtë vetes, si edhe kur sëmundja përparon e ajo nuk do të përmbahet aspak, në çaste krize, për t’u shndruar në një panterë të vërtetë që edhe mund ta mbërthente njeriun e shkencës me “kthetrat” e saj. Apo, duke u “plandosur”, fare pa ndjenja, papritur dhe në një “prerje jete” të menjëhershme, në afërsitë e mortit! Një diagrame e bukur aktrimi, me mjeshtëri dhe brënda kontureve të asaj sëmundje të pashëruueshme, cituar si “Multi ble Skleroz”! E pata parë këte aktore edhe në skenën e Gjirokastrës, po edhe një herë tjetër në skenën e Dibrës dhe isha mrekulluar me rolin e Gabit në dramën psikologjike “Gratë”, përsëri të një autori të huaj, ku do të nderohej përsëri me “Çmim të Parë”, si aktoria më e mir, po ja tek më thotë se ka interpetuar role edhe më të rëndësishme, si figurën kryesore-femër në Komedinë e Karaxhales “Një letër e humbur”, Murgeshën tek drama e Teki Dervishit me të njejtin titull, rolin e Ëngjëllit në inskenimin e një vepre të Fishtës etj. Pra, e aftësuar të interpretojë në dramë e në komedi, kudo e ka nderuar veten me nje interpretim dinjitoz. Partneri i saj në shfaqjen në fjalë është aktori veteran i Teatrit Shqiptar të Shkupit Vebi Qerimi, mbi shpatullat e të cilirt “rëndojnë” 104 role, sidomos për të përmëndur rolet e tij, tek “Henriku IV” i Pirandelos, tek “Hamleti” i Shekspirit, tek “Kaligula” e Kamys, si edhe tek “Kush e solli Doruntinën” të Kadaresë, pa përmendur edhe shumë vepra të tjera skenike, ku është përballur me personazhe të rëndësishme. Linja interpretuese e aktorit Vebi Qerimi, do të jetë këtu edhe më e vështirë, për vetë diagramën e ngatëruar të sëmundjes që ka pacientja e tij, me kriza e të papritura reagimesh psikologjike, me të cilën, sado i përmbajtur që është,-shtytur prej profesionit human të shëruesit, për të qenë sa më i qetë, do të arrijë ta humbas durimin, deri ne një eksitim dhe evulim të ndjenjave, bile edhe me shfaqje të atilla nervoziteti qe aktori nuk do t’i përmbaje dot, në nivelin e lejueshm mjeshtëror të etikës interpretuese. Gjithsesi, spektatori do ta kuptojë thelbin e tronditjes së pazakontë, kur trauma do të zbulohet gradualisht, deri në shpërthimin e vetë. Sipas asaj analize Frojdiste të rasteve të ngjajshme, kur psiqika e njeriut shkatrrohet, jo vetëm nga krizat e sëmundjes së pashërueshme, po edhe nga rrethanat që e shoqërojnë njeriun e gjorë. Gjithëçka bëhet më se e qartë nga përjetimi i krizës si Violinistes viruoze,kur depresioni avancon në shkallën më të lartë të mundëshme e nuk ka ç’fare ti bëjë më as Stefania e Vjollca Bekteshit e as Dr. Fedman i Vebi Qerimit. “Kurthi i vdekjes” bëhet i pashmangshëm! Po janë si “mesazhe të arta” ato pasazhe të vatrës dramatike, kur kërkoheshin prej të dy personazheve “shtigjet e jetës”, kur ajo tjetësohet nga krizat e padurueshme. Edhe pse, në marrdhëniet midis bashkëshortëve, të asaj dhe kompozitorit David, ishin krijuar acarimat e tjera të jetës, sidomos me shfaqjen e deshirës së shenjtëruar që ajo, si nënë, të kishte një fëmijë që të merrej me të, apo ay pikësynim i gjithe jetës së saj për t’u bërë një pjaniste e famshme, pa u realizuar asnjëherë. Po gjithëçka merr fund me trishtimin e vetë, si një rrënim i dhimbshëm e i pashmangshëm, per të patur në finalen e dramës edhe një rezatim jete që do të jepej në çastet e një finaleje të mjeruar, kur Mjeku i Qerimit rrikthehet bukur ne qetësimet e veta dhe vaditë vazot e luleve.
Vënia në skenë e veprave të tilla dramatike, me ngarkesë psikologjike, janë përherë të dobishme për kohën që jetojmë, krizë pas krizash njerëzore e natyrore, sidomos kur profesionalizmi teatror, bëhet i pranishm e evidentë, si në ketë “duet ” të dhimbshëm

Check Also

Naftëtarët duan bukën e gojës!

Çapajev Gjokutaj/ Naftëtarët e Ballshit janë në grevë urie. Kërkojnë rrogat e papaguara. Thënë ndryshe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 × five =