Home / Opinion / DORI, DRITËROI DHE UNË…

DORI, DRITËROI DHE UNË…

Nga Ridvan PESHKEPIA-

Momentet e kujtimeve janë pa fund, të gëzueshme dhe të trishtueshme por unë gjithmonë kam prirjen të kujtoj atë më të këndshmet, te cilat krijoheshin rreth një tavoline në kafen e Kuvendit ku zakonisht ulesha me Dorin dhe Dritëro Agollin. Unë i doja shumë të dy dhe më pëlqen të mendoj (dhe shenjat ishin) se të dy ata më donin po ashtu. Ata ishin poetë të mëdhenj dhe aso kohe edhe unë e kisha botuar librin tim me poezi. Tavolina kishte shumë verë, duhan dhe cinizëm, ndonëse unë nuk isha i zoti për asnjerën prej tyre, sidomos krahasuar me Dorin dhe Dritëroin. Ndonjëherë bashkohej edhe Gramoz Pashko. Në fillim të gotave të verës biseda ishte shumë e zymtë dhe e përqëndruar në zhvillimet politike të ditës, e cila mishërohej në shtëllungat e tymit të duhanit mbi kokat tona. Me kalimin e kohës (dhe gotave të verës), përqëndrimi politik i linte vendin cinizmit dhe më pas plaste hareja, e cila zakonisht kulminonte me vargje nga poezite erotike të K. Th. Spirit. Ia niste Dori më të madhe: Gjarpër do të bënem Dritëroi vazhdonte me një zë thuajse të fikur: Do t’futem ndënë dhe Vazhdonte Dori në të njejtën oktavë si më parë: Ta kërkoj me dorë E mbyllte Dritëroi me zërin e tij baritor një apo dy oktava më lart se më parë: Aty ku e ke Ndërsa unë, i paaftë të shijoja verën dhe cigaren dhe me nivele amatoreske cinizmi, rrija aty dhe mendoja: ja ku kam këtu përpara meje dy nga poetët më të mrekullueshëm të shqipes, çakërqejf dhe të frymëzuar dhe ajo çka po marr prej tyre janë vargjet e K. Th. Spirit. Andej matanë, në seancën e Kuvendit “diskutoheshin” fatet e kombit, ndërsa unë përfytyroja poetin legjendar të qytetit të jugut, ulur si Naimi në rrëzë të një lisi, me librin e Kamasutrës në duar. Nata shtyhej në orët e vona dhe më së fundmi Pjetër Arbnori vendoste se kishte qenë mjaft për atë ditë. Atëhere dilnim në një mbrëmje me të ftohtë të thatë, ku fryma e bardhë lëshohej e lirë nëpërmjet mustaqeve të Dorit dhe kollës së Dritëroit. Zakonisht ndahesha me ta aty ku tani është një bust i Fan Nolit, përballë Akademisë së Shkencave (nëse është ende aty, sepse u bë kohë pa kaluar andej pari) ndërsa tani vetëm se qortoj veten se pse nuk vazhdoja të ecja edhe ca me ta, që të shijoja edhe më shumë kohë me ta, që të mësoja edhe më shumë vargje nga të K. Th. Spirit. Ia niste Dori: Binte bora floqe-floqe… Ia mbante Dritëroi: Ulërin era ndër vidh… Ata iknin nëpër mjegullën e natës, duke ecur të lëkundur dhe pakëz të mbështetur te njeri tjetri (vallë çfarë do shkruante për ne të nesërmen Rilindja Demokratike?). Ikja edhe unë në një drejtim tjetër, pakëz i magjepsur dhe pakëz i hutuar. Tek ecja, recitoja vargjet e porsamësuara: K. Th. Spiri, K. Th. Spiri Ndër poetët më i miri Lojti botën nga fiqiri

Check Also

Barazia sociale e Jonës dhe privilegji i Shkodrës me Ramën!

Nga Besi BEKTESHI – Te deputeti që duam i PS-së, apo më mirë të them …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

seventeen − sixteen =