Home / Aktualitet / Dominimi maqedonas po natyralizohet

Dominimi maqedonas po natyralizohet

Nga Sead ZIMERI-

Ne duhet ta hapim një debat gjithëkombëtar për situatën e shqiptarëve në Maqedoni. Unë vij nga Maqedonia por rrallë herë i përkushtoj shkrime të veçanta shqiptarëve të Maqedonisë, dhe jo pse disa herë më kanë sulmuar rëndë, sigurisht duke menduar që unë jam nga Kosova. Por është vërtetë situatë e vështirë për ta zgjidhur, sepse ka shumë shtresa të shtypjes që na kanë thyer vullnetin dhe kurrizin por edhe mendjen. Pa vullnet, pa kurriz e pa mendje kemi rënë në situatë të mjerë intelektuale dhe shpirtërore. Shumica e rinisë kërkojnë të largohen nga andej dhe të gjejnë strehë në ndonjë vend tjetër. Të tjerët kërkojnë të mbijetojnë. Neve na duhet të hapim një debat të sinqertë, pa mashtrime dhe pa iluzione për pozitën tonë në mënyrë që të fusim arsyen në përdorim mos vallë ndoshta gjejmë një mënyrë kolektive, të pranueshme për shumicën e popullit që ta largojmë, ta heqim qafe, barrën e rëndë të mjerimit. Kemi nevojë ta freskojmë veten me disa ide të reja, ide që na trondisin, që na zgjojnë nga gjumi, që na prishin rehatinë, që na përplasin fytyrës realitetet që nuk duam t’i shohim si realitete të errëta e të dëmshme për kulturën dhe shpirtin tonë. Kjo është e domosdoshme sepse nëse vërtetë duam të dalim nga situata ku jemi, nga shtypjet që na kanë dërrmuar, që na kanë vjedhur shpresën për një të ardhme më të mirë, është imperativ absolut moral dhe intelektual, që ia kemi borxh vetit, që të fillojmë një debat të gjërë e të thellë, por edhe të dhimbshëm dhe të zorshëm, për vetë-implikimin tonë, për fajin tonë, në këtë mynxyrë kolektive që mbajmë mbi supet tona. E keqja e dominimit nuk është kur tjetri, një i huaj të dominon, por kur dominimi i tjetrit natyralizohet, interiorizohet, bëhet pjesë e dominimit të vetes dhe tjetri pastaj mund të largohet rahat nga ne sepse tani ne vetë bëjmë punën e tij, tani më vetë e shtypim veten, duke iu përmbajtur disa traditave, disa ideve, disa praktikave shoqërore, disa politikave dhe disa besimeve që nuk na lënë të qëndrojmë drejtë. Cilat besime, cilat praktika, cilat ide, cilat politika na mbajnë të dominuar duhet të determinohen bashkarisht, kolektivisht, brenda mundësive reale që i kemi, por pa rënë në kurthë të racionalizimeve, arsyetimeve, ideologjizimeve, moralizimeve, fshehjen pas kësaj apo asaj tradite apo personi, e kështu me radhë. Ne nuk mundemi të lëvizim nëse nuk e shkundim veten nga këto ide e praktika që na mbajnë të dominuar. Nuk ekziston vetëm një arsye për dominimin tonë, sikur që nuk ekziston vetëm një zgjidhje, por me rëndësi është të fillojmë të mendojmë seriozisht se si mund të lëvizim, si mund të çlirohemi nga prangat me të cilat e kemi lidhur veten. T’u japim mirënjohje kolektive para së gjithash njerëzve të dijes, dhe t’i pranojmë disa rregulla praktike si lirinë e shprehjes dhe përmbajtjen nga sulmet e pashije të atyre që do ta dekonstruktojnë situatën tonë kolektive. Asnjë ndryshim nuk bëhet pa dhimbje, por mënyra se si do ta pranojmë dhimbjen e ndryshimit është vendimtare, sepse nëse zërat kritik kërcënohen, heshten, përjashtohen nga debati kur na i përplasin fytyrës disa të vërteta të hidhura, atëherë ne nuk do të lëvizim. Si projekt kolektiv duhet t’i pranojmë disa të vërteta të dhimbshme që ne jemi të shtypur, dhe që për këtë kemi faj edhe ne, jo si individë por si shoqëri, dhe vetëm si shoqëri mund ta zgjidhim fatin tonë duke pranuar përgjegjësi për të.

Check Also

Këshillat që duhet të dini nëse po kaloni një ditë të keqe

Nuk ka lumturi të përhershme, por ka një rrugëtim drejt saj që mund të jetë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

2 × one =